Ahmetaj, letër Autoritetit të Lojërave të Fatit: Afati i largimit të kazinove do jetë …

Sep 17, 2018 | 13:43
SHPËRNDAJE

Kazinotë elektronike kanë afat të zhvendosen nga zonat e banuara të qytetit dhe fshatit brenda 31 dhjetorit të këtij viti.

ahmetaj

I njëjti afat vlen edhe për bastet sportive, të cilët brenda vitit duhet të respektojnë distancën mes tyre dhe ndaj shkollave dhe institucioneve fetare. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ashtu siç lajmëroi më herët në Komisionin e Ekonomisë, nëpërmjet një letre dërguar Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, i kërkon marrjen e masave për zhvendosjen e kazinove brenda 31 dhjetorit 2018.

“PANORAMA” boton të plotë letrën e ministrit të Financave dërguar Autoritetit të Lojërave të Fatit, ku jo vetëm do të mbikëqyrë procesin, por edhe do të raportojë çdo javë për subjektet që zhvendosen.

“Sipas parashikimeve në Ligjn nr. 155/ 2015, ‘Për Lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë’, subjektet, të cilat ushtrojnë aktivitet në fushën e lojërave të fatit, brenda datës 31.12.2018, duhet të marrin masat për: zhvendosjen e kazinove, nga zonat e banuara; respektimin e distancave minimale prej 100 metra ndërmjet pikave të basteve dhe nga institucionet fetare, institucionet e arsimit parauniversitar dhe institucionet e arsimit të lartë.

Duke pasur në konsideratë sensibilitetin e këtij procesi dhe rëndësinë e zbatimit me sukses të tij, Autoriteti i Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit të ndjekë e të mbikëqyrë me imtësi procesin, me qëllim respektimin me rigorozitet të kërkesave dhe afateve ligjore.

Në funksion të sa më sipër e në zbatim të detyrimeve ligjore, të merren të gjitha masat për përmbushjen e detyrimeve nga subjektet e lojërave të fatit dhe të raportohet në terma javorë mbi ecurinë e procesit. Subjektet të informohen për procedurat dhe penalitetet që rrjedhin nga moszbatimi i plotë dhe në kohë i detyrimeve”, thuhet në letrën e ministrit Ahmetaj.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura