Ahmetaj flet për PPP: Janë transparente, ndërtohet Rruga e Arbrit

Nov 16, 2018 | 8:15
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, reagoi pas akuzave të opozitës për formulën e koncesioneve të Partneritetit Publik-Privat.

ahmetaj kuvend

Gjatë punimeve të djeshme të seancës plenare, ministri Ahmetaj theksoi se formula e Partneritetit Publik-Privat mundëson ndërtimin e akseve kombëtare kur buxheti i shtetit është në pamundësi për t’i financuar ato 100% dhe bën shlyerjen e detyrimeve të shtrirë në vite. Ministri Ahmetaj mori si shembull Rrugën e Arbrit, rrugën Thumanë-Kashar, si edhe koncesionet në fushën e shërbimeve spitalore.

“Opozita e ka për qejf dhe e demonizon çështjen e PPP-ve. PPP-të janë transparente. Projektet janë të gjitha transparente në procedurë. Dalin dhe recitojnë aty koncesione, PPP. Janë Rruga e Arbrit, që është Partneritet Publik-Privat. Me paratë e buxhetit do bëhej pas 20 viteve, jo do të bëhet tani se i duhet Dibrës, i duhet Shqipërisë. Po do ta paguajë buxheti për 13 vjet, patjetër. Do bëhet patjetër dhe Balldreni, patjetër do të bëhet dhe Thumanë-Kashar. Patjetër do të bëhet dhe Tiranë-Durrës, është arteria kryesore e vendit dhe do të paguhet ndër vite, për 15 vite. Tiranë-Durrës do të bëhet me toll, asnjë lek nga buxheti i shtetit. I demonizojnë sepse çdo investim, çdo rrugë, çdo shërbim që bën kjo maxhorancë i vret këta se largohen nga pushteti, ngelen aty te 20% që kanë ngrirë. Ne nuk i matim me numër votash, i matim me përgjegjshmëri ndaj qytetarëve. Të dalin të më thonë çfarë kanë me popullin e Dibrës, me popullin e Shkodrës, Durrësin, çfarë kanë më të sëmurët me dializë, çfarë kanë me ata që shkojnë në spitale? Aty i kanë procedurat, le t’i kontrollojnë ndër ditë, ndër javë, ndër vite”, u shpreh ministri Ahmetaj.

Në vijim të fjalës së tij në Kuvend, Ahmetaj akuzoi opozitën se në kohën kur ishin në maxhorancë ka dhënë koncesione që nuk janë në interes të qytetarëve.

“Ju doni koncesionet e pullave fiskale, ato të skanimit? E dini që jemi i vetmi vend në Europë që e bën. Rrugë me koncesione bën e gjithë bota. Vendi pararojë me skanim, biznesit i kushton 22 milionë euro, buxhetit i kushton 19 milionë dollarë. Këta flasin për PPP-të. Ne kemi bërë gjithë ato rrugë, dializë, check-up, inceneratorët për plehrat. Apo doni që qytetarët të mbyten? Janë shërbime publike. Rruga e Arbrit është me PPP-të. Do bëhet patjetër për qytetarët”, tha Ahmetaj.

ÇUPI: PRO RRUGËS SË ARBRIT, KUNDËR VJEDHJES SË 160 MILIONË EUROVE

Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi reagoi dje pas deklaratave të ministrit të Financave dhe të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, mbi formulën e PPP-së për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Përmes një postimi në faqen e saj në rrjetin social “Facebook”, Çupi shkroi se nuk është e vërtetë që opozita nuk e kundërshton ndërtimin e rrugës, duke akuzuar se nga ky projekt vidhen 160 milionë euro. “Po, e duam rrugën, por jo për të vjedhur ju, sepse ky projekt parashikohej të kryhej për 140 milionë euro dhe jo për të dërguar në xhepat tuaj të paktën edhe 160 milionë. Ne duam që kjo diferencë të mos shkojë te xhepat tuaj dhe të blini vota, por duam që kjo diferencë të përdoret për investime në turizëm si Lurë apo Kastriot apo Ura e Vashës, në të paktën 10 shkolla me kushte moderne, në rreth 10 qendra shëndetësore për politika që u shërbejnë qytetarëve dhe jo oligarkëve”, u shpreh Çupi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura