Ahmetaj: Fermerët me NIPT do shesin me para në dorë

May 3, 2016 | 8:21
SHPËRNDAJE

Qeveria firmos udhëzimin që u lejon fermerëve të pajisur me NIPT të shesin me para në dorë produkte deri në 30 mijë lekë në ditë.

Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, fermerët janë të detyruar të kryejnë nëpërmjet bankës vetëm shitjet mbi 150 mijë lekë. Pagesat për shitjet që variojnë nga 30 mijë lekë deri në 150 mijë lekë do të kryhen nëpërmjet postës.

arbenahmetajMinistri i Financave, Arben Ahmetaj, informoi dje ndryshimet fiskale në favor të fermerëve për të shitur mallrat me para në dorë dhe përfitimin e rimbursimit të TVSH-së.

“Lejohen të kryhen shitje me para në dorë deri në vlerën 30 mijë lekë të reja që një fermer kryen për blerës të ndryshëm, shoqëri të agrobiznesit ose të përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, ose për eksportuesit e këtyre produkteve, apo çdo subjekti tjetër që blen produktet e fermerëve që janë të pajisur me NIPT. Pra, në masën 30 mijë lekë të reja, transaksioni kryhet me para në dorë dhe bëhet vetëm për një NIPT, pra, që fermeri të ketë një NIPT, dhe ky është transaksion ditor. Pra, një fermer mund të kryejë transaksione ditore me cash deri në 30 mijë lekë të reja. Ka qenë një kërkesë e sektorit, e përpunuesve, e fermerëve e vazhdueshme, e cila u materializua në atë konsultë me kryeministrin dhe materializohet nëpërmjet firmosjes së udhëzimit të ‘Skemës së kompensimit të fermerëve’”, shpjegoi ministri i Financave.

Ahmetaj tha se për pagesat e shitjes mbi 30 mijë lekë deri në 150 mijë lekë fermerët mund t’i kryejnë nëpërmjet postës. Ministri u shpreh se ka kërkuar nga Posta Shqiptare që të intensifikojë shërbimet e saj për kryerjen e pagesave për fermerët dhe mundësinë e shtrirjes së shërbimit pranë zonave rurale ose aty ku zhvillojnë veprimtarinë blerësit e produkteve të fermerëve.

EKSPORTUESIT

Ndryshimet e paketës fiskale parashikojnë lehtësi edhe për eksportuesit e produkteve bujqësore. Ministri i Financave, Ahmetaj, informoi se eksportuesit që identifikohen me risk zero, iu rimbursohet brenda 30 ditëve automatikisht TVSH-ja.

“Shuma e paguar fermerit prej 20% për normën e kompensimit për blerjen e produkteve të tij, por edhe çdo TVSH e paguar për shpenzimet e përgjithshme që një eksportues kryen në kuadër të veprimtarisë së tij, i rimbursohet brenda 30 ditëve. Kështu, ky biznes ka mundësi të investojë e të zgjerojë kapacitetet e veta përpunuese dhe eksportuese”, u shpreh Ahmetaj.

Përveç kësaj, kompanitë që blejnë produktet e fermerëve nuk do të përdorin më fatura nga blloqet e tatimorëve, por do të përdorin faturën kompjuterike. Lehtësi për eksportuesit ofrohet edhe në pikat doganore.

“Për eksportuesit e produkteve bujqësore është përgatitur urdhri nr.8874, datë 04.04.2016, për të gjitha degët doganore, si dhe janë njoftuar të gjitha agjencitë doganore për të ofruar shërbim 24 orë në dispozicion të eksportuesve të produkteve bujqësore, si dhe e bën të paefektshëm marrjen e autorizimit të zhdoganimit lokal apo kryerjes së procedurave doganore pranë ambienteve për këto subjekte”, nënvizoi Ahmetaj.

PAKETA E RE 

Fermerët të pajisur me NIPT do të kryejnë me para në dorë pagesa për shitje deri në 30 mijë lekë në ditë. Përfitues janë edhe shoqëri të agrobiznesit, përpunues të produkteve
bujqësore, blegtorale dhe eksportuesit.

Pagesat për shitjet mbi 150 mijë lekë fermerët janë të detyruar t’i kryejnë vetëm nëpërmjet bankës.

Pagesat për shitjet që variojnë mbi 30 mijë lekë deri në 150 mijë lekë fermerët do t’i kryejnë nëpërmjet postës.

Eksportuesve të produkteve bujqësore që klasifikohen me risk zero do t’u rimbursohet 20% i TVSH-së brenda 30 ditëve.

Kompanitë që blejnë produktet e fermerëve nuk do të tërheqin më blloqet e faturave pranë Tatimeve, por do të përdorin faturat kompjuterike të vetëmodeluara, që më pas
u paraqiten Drejtorive Rajonale të Tatimeve.

Eksportuesve të prodhimeve bujqësore u ofrohet shërbim 24 orë në pikat doganore për zhdoganimin e kamionëve të mallit.

Për eksportuesit shfuqizohet marrja e autorizimit për zhdoganim lokal.

 

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura