Ahmet Pasha: Teatri, i përdorur si lopë për t’u mjelë

Mar 20, 2018 | 15:05
SHPËRNDAJE

Ahmet Pasha ishte 23 vjeç kur filloi punë në Teatrin Kombëtar dhe e ndjera Violeta Manushi i thoshte që ai do të kishte fatin të luante në teatrin e ri, që ishte premtuar të ndërtohej. Tashmë Ahmet Pasha ka 5 vjet që ka dalë në pension e ndoshta nuk do ta ketë asnjëherë këtë shans.

ahmet_pasha_aktori_faqe_18_intervista

“Isha në Kryeministri, por nuk më pëlqeu projekti. Kështu nga pamja e jashtme ishte i bukur, por më së shumti u paraqit një godinë që qëndronte bukur me godinat e tjera, me pedonalen dhe daljen te sheshi, sesa ana funksionale e tij. Në ndërtesat e institucioneve artistike, parësore është krijimtaria dhe ajo ka nevojë për ambientet e veta. Natyrisht, ato bëhen në bisedim, para se të bëhet projekti me njerëzit e interesit, aktorët, regjisorët, skenografët dhe njerëz të tjerë të prapavijës. Fundja, kështu është bërë edhe në kohën e diktaturës. Kur është bërë Teatri i Fierit është marrë si këshilltar nga arkitekti i famshëm Mosko, Agim Zajmi, skenograf i famshëm asokohe. Pra, në çdo hap që hidhej është marrë mendimi i skenografit. Është diskutuar për skenën, ambientet e tjera….”, tha Pasha, duke shtuar se, gjatë atij prezantimi pa një godinë si kompozohej me ambientet e tjera, por jo skenën, kabinat e aktorëve, teknikën, si do funksiononte, çfarë ventilimi ka ajo sallë etj.

“Unë nuk jam për të prishur, jam për të ndërtuar. Të gjithë e dimë se kjo godinë e ka kryer funksionin e saj dhe që në mënyrë urgjente të rindërtohet ose të ndërtohet një i ri. Por, të marrësh dy modele afër e afër: modeli i Kiço Londos andej dhe këtë tjetrin këtej, shikoj që edhe ku mund të bëhet si teatri i Kiço Londos, që ka dhënë shpirtin dhe pasionin për teatrin, ndërsa këtej është trajtuar më shumë si një lopë për t’u mjelë. Duket si e lënë me qëllim. Dhe duke parë atë model, mund të mendosh se edhe ajo anë mund të bëhet. Se sa do të rrojë ajo godinë, nuk di të them. Sa i takon partneritetit publik-privat, nuk e di se si funksionon. Për mua e rëndësishme është që të bëhet një teatër, një godinë e re, sepse mbaj mend që kur kam hyrë në teatër në vitin 1970, Violeta Manushi më ka thënë se diskutohej ndërtimi i një teatri tek “Avni Rustemi” apo te Ministria e Mbrojtjes, apo atje ku ka qenë monumenti i Enver Hoxhës. Dhe më ka thënë: “Lum si ti dhe bashkëmoshatarët e tu që do të luani në atë teatër”. Dhe unë kam 5 vjet që kam dalë në pension dhe nuk kam luajtur në teatrin e ri. Asokohe isha 23 vjeç”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura