Ahmet Pasha: Si u pezullua shfaqja me Margarita Xhepën në ’74, nga Komisioni Partisë

Feb 16, 2018 | 12:40
SHPËRNDAJE

ANI JAUPAJ

Prej disa vitesh, aktori Ahmet Pasha nuk ka qenë pjesë e projekteve të teatrit. Menjëherë pasi doli në pension, përditshmëria e tij ndryshoi. Nga dita e ngjeshur që niste me prova në mëngjes e përfundonte pas shfaqjes në mbrëmje, u gjend, befas, duke u përpjekur të mbushë ditët…deri disa kohë më parë…Shfaqja e Kutalit, që e ringjiti në skenë, ishte fatsjellëse.

Pikërisht aty, i propozoi drejtori i Teatrit Eksperimental, Kiço Londo, për t’u bërë pjesë e “Medeas”, pjesës që është aktualisht duke u shfaqur në atë teatër. Ahmeti e pranoi, natyrisht, me dëshirë, i bindur se në mungesën e propozimeve, ndikon pak edhe karakteri i tij i ‘mbrapshtë’, që e ka lënë mënjanë jo pak herë. Sikur të kishte qenë ca më i qeshur e ‘i llastuar’ me drejtorët që kanë ardhur e kanë ikur, do të kishte qenë më tepër i pranishëm.4141747474584747

Jo se nuk ka qenë…janë më shumë se 92 role që numëron, prej vitit ’70-kur u bë pjesë e Teatrit Popullor, fill pas përfundimit të shkollës, e deri ca vite më parë, kur doli në pension. Në 70-vjetorin e tij të lindjes, atë që e gjeti në skenë, kemi folur me të, duke e nisur së pari nga shqetësimet kryesore të të gjithë komunitetit artistik, për të prekur më pas gjithë karrierën e tij…

Situata e ndezur e teatrit, ta nisim pikërisht me aktualitetin. Ç’qëndrim keni mbajtur ju në ato që kanë ndodhur aktualisht?

Unë jam prononcuar shumë herët për problemet e teatrit, që në vitin 1999. Në atë kohë, unë kam qenë kryetari i sindikatës së teatrit dhe e kam udhëhequr këtë punë me të ndjerin Vangjush Furxhi, Agim Qiriaqin dhe Roland Trebickën, asnjëri prej të treve nuk është më gjallë sot. Që në atë kohë, kur u dha sinjali i parë për prishjen e teatrit, kur ka qenë ministër kulture Edi Rama, atëherë ne ishim kundër që kjo godinë të prishej. Jo se godinat janë të përjetshme, edhe kësaj do t’i vijë fundi. por problem është të mos prishej teatri. Mos të hidheshin vrerët mbi teatrin. Unë nuk kam qenë te mbledhja që është bërë në Universitetin e Arteve, për arsye shëndetësore, por më vjen mirë që disa nga kolegët tanë, që në atë kohë nuk na kanë mbështetur fort, për çudi, tani ishin aty.54154454587878

Edhe pse qëllimi i intervistës nuk është ky, nuk mund të mos flasim së pari për shqetësimin e të gjithë komunitetit të aktorëve e regjisorëve të Teatrit Kombëtar. Ju, ç’qëndrim mbani?

Unë nuk mendoj që kjo godinë është e përshtatshme për të qenë një teatër kombëtar. Që të jetë një godinë me kushte, duhen ca kritere të tjera. Duhet të jetë autentike, kjo nuk i plotëson kushtet, madje ka kohë që ka filluar të prishet nga brenda. Pra, nuk jam që kjo godinë të mbetet siç është, më duken iluzione të ekzagjeruara ato që dëgjoj, por jam që po te ky vend, duhet të ngrihet një godinë e përshtatshme e dinjitoze, që të na përfaqësojë edhe ne siç shohim në çdo vend që shkojmë. Kjo godinë ka pasur fatin se aty ka nisur historia e teatrit tonë, aty brenda është pjesa më e bukur, më cilësore e Teatrit Kombëtar shqiptar. Nëse do fillojë nga fillimi apo mund të shfrytëzohen këto ambiente dhe të rikonstruktohet, duke i shtuar vlerat që mungojnë, nuk e di, por jam që te ky vend të bëhet një teatër.

Pra, qendra e artit “Turbina”, që është në ndërtim, nuk është e përshtatshme?

Keni shkuar, e keni parë? Nuk mund të bëhet teatër nëpër qoshet e qytetit. Unë nuk e kam parë, por më kanë thënë që ajo nuk përmbush asnjë kriter për të qenë teatër. Por ky është vetëm një nga hallet e teatrit sepse ka edhe të tjera…

Që janë?

Ai teatër, përveç asaj që duhet të bëhet një ndërhyrje dhe reformë e thellë edhe nga ana drejtuese. Për mua është gjetur mënyra më e gabuar për të drejtuar atë teatër. Ai ka nevojë të ketë njerëz me histori, me vlera, figura të rëndësishme. Mund të jenë pjesë e artit ose jo por të kenë përmasa të tjera. Për mua, që këtu fillon problem kryesor I teatrit.

Ju keni qenë pjesë e teatrit nëpër dekada. Cila ka qenë koha më e mirë e tij, qoftë nga ana drejtuese, qoftë e profesionistëve?

Unë të them të drejtën, janë ca vite që nuk mund t’i pres me thikë, por mund të them që kur kam ardhur unë në këtë teatër, në vitin 1970, teatri ka qenë në kulmin e arritjeve të veta. Qoftë për dramaturgjinë që është vënë në skenë, qoftë për profesionistët që i vinin. Kanë qenë regjisorët dhe aktorët me përmasa vërtet të mëdha, nuk do të nguroja të thosha që kanë pasur përmasa europiane, por që për shkak të sistemit nuk kanë mundur të tregojnë vlerat nëpër botë. Megjithatë, edhe pas viteve ’70-të, sidomos pas ’74-ës, kur u shtrënguan shumë politikat e teatrit, sidomos për dramaturgjinë e huaj, ka pasur përsëri arritje shumë të mira sepse vërtet në atë kohë ishte brezi i artë i teatrit, me të cilin kam pasur fatin të punoj me një brez të shkëlqyer, emrat e të cilëve dihen. Unë, pasi kam përfunduar studimet, kam menduar se dija shumë gjëra, por kur erdha, kuptova që këtu nisa të mësoj.vipat

Deri kur mendoni se vazhdoi ky nivel?

Deri në vitet 80-’85, pastaj më vonë pati një lloj tërheqjeje.

Çfarë e shkaktoi?

Pas viteve ’85, mekanizmi i sistemit që filloi të shkërmoqej, nuk kishte se si të mos ndihej edhe në teatër apo ndonjë zhanër tjetër të artit. Prandaj, kjo gjë u reflektua edhe në teatër. Megjithatë, pas viteve ’90-të, teatri ra poshtë e më poshtë. Jo për arsye të artistëve sepse ata kanë qenë shumë të mirë (vitet e para), por sepse njerëzit nuk e dinin ku ishin, çfarë bënin. Vëmendja ndaj institucioneve kulturore ishte zero, gjendja ishte kaotike, shteti i paorganizuar. Nuk merrej vesh çfarë ishte, kapitalizëm, demokraci a socializëm…as sot nuk e kuptoj çfarë është, të them të drejtën.

Pse nuk ka më emra si ata, që të gjithë ju u referoheni?

Çfarë ka ndryshuar sepse aktorët a regjisorët e sotëm janë studentët tuaj, kanë mësuar atë që ju keni marrë prej paraardhësve… Nuk është problemi te studentët, por te vëmendja ndaj artit në përgjithësi dhe sidomos ndaj teatrit. Nuk është mungesë predispozite e pasioni nga artistët, të paktën unë nuk e kam vënë re këtë.

Megjithatë shfaqje ka, por pak prej tyre vlejnë për t’u parë?!

Unë kam dëgjuar nja dy herë këtë ministren e Kulturës, për të cilën nuk mendoj se është në vendin e duhur, që mburrej duke thënë se teatri ka bërë aq e kaq shfaqje. Të gjithë ne e dimë mirë që vlera e një institucioni artistik nuk është te sasia, por te cilësia, tek ajo që mbetet. Nëse do kthejmë kokën pas, s’kam si të them që s’kanë mbetur sa e sa shfaqjee që as mund t’i marrësh me radhë. Megjithatë, sot, edhe në këtë situatë kur shumë teatro me vlera kanë filluar të bykosen, janë dy teatro, që për mua funksionojnë shumë mirë. Është Teatri Eksperimental dhe ai i Metropolit. Te ky i fundit unë nuk kam punuar asnjë ditë, por më kanë thënë që punohet.ahmet

Çfarë i bën këta dy teatro të funksionojnë më mirë se ai Kombëtari që, në fund, e synojnë të gjithë?

Ata i bën të funksionojë drejtimi i duhur, njerëzit e zgjedhur që kanë pasion, dëshirë dhe janë të përgjegjshëm e të ndë1gjegjshëm për atë që bëjnë, kjo i bën. Këtu ku jam unë, shoh që punojnë të rinj, aktorë pak më me përvojë dhe aktorë nga më të njohurit e më të mirët që kemi. Dua të them gjithashtu, se më vjen shumë keq për shumë teatro të rretheve, që janë pothuajse inekzistentë.

Konkretisht është shfaqja “Medea”…

Po, aty janë gërshetuar shumë mirë të tre brezat; është brezi im, që e përfaqësoj unë, Viktor Zhusti dhe Roza Anagnosti, pra, ne që jemi mbi të 70-tat, është Luiza Xhuvani dhe të rinjtë.

Cili ka qenë roli juaj i fundit, përpara “Medeas”?

Unë kisha një kohë të gjatë që nuk luaja, gati 5 vjet dhe për një moment jam ndier keq. Isha mësuar prej shumë vitesh vetëm të punoja, gjatë gjithë ditës e mbrëmjes. Ne sakrifikojmë shpesh edhe familjet, mos të jemi gjithnjë në gëzime a fatkeqësi, për arsye të natyrës së punës dhe ftesa në një kuptim më befasoi se më prishi një çikë ‘rehatin’. Megjithatë, u gëzova dhe nisa të punojë me Milto Kutalin për një dramë shumë interesante. Aty më ka parë edhe regjisori grek i “Medeas”. Pikërisht natën e premierës, më është propozuar nga Kiço Londo që të luaja edhe te “Medea”.

Dhe kështu e festuat 70-vjetorin në skenë…

Po, dhe ishte një surprizë shumë e këndshme për mua. I falënderoj shumë të gjithë, sidomos drejtorin e teatrit, që e mbështeti djalin tim, i cili ishte organizatori i kësaj pune. U ndodha përpara një befasie, që më lumturoi, pikërisht sepse më gjeti 70-vjetori përpara publikut dhe mes kolegëve të mi, atyre që kam punuar prej vitesh dhe të rinjve.

Meqenëse po flasim për kolegët tuaj të vjetër, a kanë qenë ata bashkë me ju që në fillimet tuaja. Si i kujtoni kohët e para kur u bëtë pjesë e teatrit?

Janë disa momente, që njeriut i fiksohen njëherë e përgjithmonë dhe nuk ndahet dot. Dita e parë kur kam nisur punë, ka qenë përballja me një realitet ndryshe nga ç’e kisha menduar. Kur kam ardhur, në teatër punohej drama Arturo Ui, një dramë shumë e fuqishme, një nga shfaqjet më të mira të historisë së teatrit, me regjisor Piro Manin, një nga më të mëdhenjtë që kemi pasur. Momenti që kam hyrë në studio, më ka befasuar sepse ka qenë një tavolinë gjigante me të gjithë aktorët ku bëheshin prova. Aty punohej një nga tablotë e Arturo Ui. Ishin shumë artistë, rreth 40-50 aktorë. Kur kam parë se ç’bëhej, m’u duk si një uzinë ku prodhohej art. Që ditën e parë, unë mora një rol të vogël. Në role kryesore ka qenë Kadri Rroshi, Prokop Mima, Ndrek Luca, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Drita Pelinku, Robert Ndrenika, Lazër Filipi, Margarita Xhepa, pra, i gjithë brezi i famshëm i artit. Atë ditë kuptova që shkolla që kisha bërë, nuk ishte asgjë!

Si e përballuat interpretimin me emrat më të mëdhenj të skenës, ndërsa ju sapo kishit dalë nga skena?

Natyrisht, që unë i njihja të gjithë, edhe pse nuk kisha punuar me ta, por kjo nuk e lehtësonte procesin. Edhe nga ana psikologjike, ishte mjaft e vështirë të punoje.

Ju pse zgjodhët aktrimin?

Kjo është një histori më vete…unë kam mbaruar gjimnazin e përgjithshëm në Fier dhe konkurrova në Tiranë, megjithëse jam marrë edhe me sport e isha shquar më tepër si basketbollist, por aktivizohesha në atë kohë në qendrën kulturore të qytetit. Siç ndodh gjithnjë, nxitja e të tjerëve është vendimtare dhe kjo më bëri të konkurroja edhe në aktrim. E fitova konkursin dhe vazhdova rrugën. Sadisfaksioni më i madh ishte emërimi im i menjëhershëm në Teatrin Popullor, ky ishte fat i madh për mua.

Çfarë erdhi pas Arturo Ui?

Erdhi “Një dimër i shkurtër”, një dramë nga Sheri Mita. Aty pata rolin kryesor, luaja me shoqen time të kursit, Pavlina Mani. Ishte një dramë simpatike, regjisori Dhimitër Pecani ishte gjithashtu i ri, doli një shfaqje e këndshme, me nuanca moderne për atë kohe. Më vonë pastaj, dublova rolin kryesor te shfaqja “Drita”, që e kishin luajtur Kujtim Spahivogli dhe Mario Ashiku, të dy u larguan dhe ma dhanë mua atë rol. Edhe pse isha aktori i tretë në atë shfaqje e luajta më shumë nga dy të parët sepse ajo zgjati shumë në kohë, shkoi nëpër rrethe, fshatra. Pas roleve të para kanë ardhur role të tjera shumë të mira te “Monserati”, ku kisha kryerol, ka qenë Isa Boletini tek “Udha e Flamurit”, te “Nata e Dymbëdhjetë”, te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” pas vdekjes së Sandër Prosit e shumë të tjera, që bëhen në total rreth 92 role.

Çfarë ndodhi pas ’90-ës?

Të them të drejtën, pengu i atyre viteve ka qenë se ne mendonim se nuk po luanim dot atë që donim të luanim sepse ka pasur shumë limite në literaturë.

Në ç’pikëpamje ndihej i cenuar aktori, përtej zgjedhjes së dramës nga regjisori?

Aktori ka qenë i cenuar sepse një natë ose dy net përpara premierës, do bëhej prova e përgjithshme me komisionin e Komitetit Qendror, Komitetit të Partisë, madje edhe nga klasa punëtore. Të gjithë do shihnin shfaqen dhe nëse e aprovonin ata, shfaqja do jepej. Aktori, në një mënyrë, ishte gjithë kohës në presionin psikologjik. Mua më ka takuar të luaj role pozitive në fillim, çka vlerësohej shumë në atë kohë se mbartte ideologjinë e partisë, ndërsa një pjesë të madhe të jetës sime artistike kam luajtur role negative. Të kishe këto role, ishte me rrezik sepse edhe nëse luaje mirë, duhet të zbusje rolet, duhet të ishe më pak i keq sepse fitojë më tepër vëmendje se personazhi pozitiv.

Konkretisht, në cilën shfaqje ka ndodhur që të prekeni direkt nga rregullat e partisë?

Ka ndodhur te Jani, në pjesën ‘Shënomëni edhe mua”, ka qenë ky mendim. Aty kanë ndërhyrë. Ka qenë një shfaqje tjetër e Bashkim Kozelit, “Sinjali i kuq”, ajo ishte dramë interesante dhe tregonte konfliktin e marinarëve shqiptarë dhe atyre rus. Unë bëja një oficer rus, personazh negative kuptohet, edhe aty e njëjta histori. Pra, në përgjithësi ndodhte kjo gjë sepse e tillë ishte atmosfera.

Viti ’74 duhet të ketë pasur me siguri një ngjarje konkrete?

Po, përveçse kanë ndodhur ngjarje të rënda në përgjithësi, edhe mua më preku. Në atë vit, unë kam bërë një nga rolet më të mëdha të miat, që ka qenë Veli te “Orfeu zbret në ferr” ose ‘Lëkura e gjarprit’, siç quhet në variante të tjera, ka qenë një dramë e Williamsit dhe e punonim me Mihallaq Luarasin. Kisha një rol gjigant, rolin kryesor, dhe kisha partnere Margarita Xhepën, edhe ajo në role kryesore. Dublantët tanë ishin Timo Flloko dhe Milika Luca. Kishte edhe një rol shumë të bukur aty Edi Luarasi. Këtë dramë të madhe, me një regji shumë të mirë, arritëm ta konturonim e ta çonim deri në fund. Një natë përpara premierës, siç ndodhte, duhet ta shfaqnim për komisionin e Komitetit të Partisë. Ata kanë qenë eksponentë tipikë, të cilët e pezulluan atë shfaqje sepse nuk ka asgjë të përbashkët me mentalitetin dhe moralin tonë komunist. Morali komunist duhet të ishte në të gjithë krijimtarinë tonë. Shfaqja u dha vetëm atë natë, me sallën plot, dhe asnjëherë më. Shumë nga ata që e kanë parë atë shfaqje, ma kujtojnë edhe sot. Por si mund të pretendosh që Tenesi Williams të kishte moral komunist te drama e tij!? Ishte absurde… Megjithatë, kishte dhe ca të mira ai sistem.

Ç’të mira?

Ishim shumë të vlerësuar, jo vetëm nga njerëzit, por edhe financiarisht. Unë vetëm shtëpi kam ndërruar 4. S’më pëlqente ajo që kisha, shkoja atje kërkoja tjetër dhe ma jepnim.

Meqenëse dolët këtu, a mendoni që gjendja financiare është gjithashtu arsye e rrënimit të teatrit? Është ndër arsyet kryesore! Është dramatike të punojnë aktorët me ato paga. Sepse aktualisht janë hequr edhe vlerësimet për krijimtarinë artistike.

Me filmin ç’marrëdhënie keni pasur?

Jo të mira! Nuk e di pse, edhe unë këtë pyetje i bëj vetes… Kam luajtur pak filma. Atëherë kanë qenë ca regjisorë të mirë filmi, por siç duket, kanë pasur shijet e tyre, grupet e tyre që nuk para i trazonin. Po t’i vësh re filmat, dallohet që regjisorë të ndryshëm kanë punuar me grupe të ndryshme. Jo se nuk kam pasur dëshirë, edhe pse atëherë largoheshe nga shtëpia e kishe edhe problem financiare. Më kujtohet Sandër Prosi, që thoshte, “Shkoj e marr lekë nga shtëpia, të pi kafe”. Megjithatë, filmi kishte popullaritet të madh. Edhe shfaqjet e teatrit filmoheshin e jepeshin në ekran, por nuk ishte e njëjta gjë.

Panorama 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura