Ahmataj bën gati Tiranën, Doka projektohet majtas. Ja si pritet të rreshtohen bardheblutë ndaj Vllaznisë

Nov 7, 2019 | 18:24
SHPËRNDAJE

Tirana vazhdon përgatitjet për sfidën me Vllazninë, ndërkohë që Julian Ahmataj ngarkon skuadrën me analizë dhe ndryshon sërish formacionin.

Tirana55

Edhe të mërkurën, trajneri i bardhebluve zhvilloi një analizë të gjatë me ekipin, para se skuadra të zbriste në fushën e blertë. Pas një ore taktike, grupi i ndarë në dy grupe nisi punën me ngarkesë dhe gjuajtje në portë.

KTHIMI – Me skuadrën është kthyer dje Edon Hasani. Shkodrani duket se e ka kaluar dëmtimin, por zor se do të jetë në fushën e lojës, pasi edhe dje ndonëse u bashkua në lojë me skuadrën, nuk ishte në maksimum.

Futbollisti u rreshtua si qendërmbrojtës. Rezonanca nuk i kishte nxjerrë ndonjë gjë serioze lojtarit të bardhebluve, i cili sezonin e shkuar ishte golashënuesi i skuadrës në Kategorinë Superiore.

MUNGESAT – Me skuadrën dje nuk ishin dy lojtarë. Bëhet fjalë Ernest Muçin që është i grumbulluar me ekipin U-19 dhe Erjon Hoxhallari. Ky i fundit është i pezulluar për këtë sfidë dhe nuk do të luajë, ashtu si edhe Agustin Torasa. Dy lojtarët kthehen në sfidën me Skënderbeun.

tirana

Nga ana tjetër, te bardheblutë rrezikojnë për çështje kartonësh Kale, Halili, Ngo, Batha dhe Çelhaka, të gjithë në fushë kundër Vllaznisë. Të gjithë duhet të ruhen që të mos humbasin ndeshjet e ardhshme.

FORMACIONI – Me sa u kuptua dje, e reja ndaj Vllaznisë quhet Albi Doka. I djathti i mbrojtjes, në ndryshim nga deri tani, do të luajë në krahun e majtë në vend të Ismajlgecit, që pas dy ndeshjeve si titullar bën pushim. Në vend të Hoxhallarit në qendër të mbrojtjes luan Imami. Krah tij Osmani dhe djathtas Vangjeli.

Porta nuk ndryshon me Likën që është titullar, ndërsa në mesfushë Çelhaka, Batha janë në qendër. Nga krahët luajnë Kale dhe Grent Halili, ndërkohë që në sulm Ngo dhe Kobina pas anglezit. Me të gjitha gjasat, kjo do të jetë skuadra anti-Vllazni, me emra si Karabeci, Kërçiku, Dunga në stolin e rezervave.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura