AV. DENISA DAKA
Skandali në Gjykatën e Fierit, ku të gjithë bashkë pamë sesi një gjyqtar kërkonte para e favore seksuale në këmbim të një vendimi kujdestarie, suportuar nga një psikologe Gjykate, nuk është i pari në morinë e shumë episodeve e ngjarjeve të tjera që ndodhin çdo ditë në dyert e gjyqësorit shqiptar. Një mori episodesh të tjera përcillen çdo ditë nga qytetarë të shumtë, pranë organeve të vetingut tashmë, raste flagrante të etikës e mungesës së profesionalizmit të togave të zeza, ndërsa prej vitesh pluhuri i harresës ka mbuluar shqyrtimin e çdonjërës prej tyre. Fakti i të bërit publik të këtij rasti, i cili konsiderohet skandal në këto përmasa, u bë shkak të çojë në pranga këta të fundit.
Është e dhimbshme dhe e pafalshme absolutisht për gjithë çfarë ndodh e ç’ka ndodhur përgjatë 28 viteve, në “tempullin e drejtësisë”.
Mijëra qytetarë, përgjatë këtyre viteve, janë rrekur të gjejnë mundësi e alternativa pa fund për të blerë lirinë, kujdestarinë e fëmijëve, shtëpinë a pronën e tyre, vendin e punës humbur padrejtësisht e në shumë raste dhe nderin a qetësinë e mohuar a nëpërkëmbur, përmes një kalvari përpjekjesh titanike.
Fare pak syresh gjyqtarë a prokurorë janë larguar apo pezulluar nga detyra pas konstatimit të rasteve flagrante krejt, ndërsa askush nuk është detyruar të shpërblejë dëmin e shkaktuar apo të kërkojë ndjesë publike në favor të të dëmtuarve, të cilët padrejtësisht kanë mbajtur mbi supe kusuret e zullumeve të tyre.
Në shumë raste, gjyqtarë e prokurorë janë suportuar e mbështetur ndër vite jashtë çdo kriteri nga organet mbikëqyrëse, çka ka sjellë një perceptim tejet të rëndë e të skajshëm para publikut, duke i konsideruar në shumë raste këto institucione, bashkëpunëtore në krim.
Të tjerë syresh, qytetarë të shumtë, pa mundur të gjejnë fijet e duhura për të zgjidhur problemet e tyre, kanë vuajtur pa limit pamundësitë a dështimin për të fituar të drejtën, përballë një sistemi të kalbur e problematik që kundërmon prej vitesh.
E ndërsa vetingu po vijon me hapa të ngadaltë e SPAK do të marrë dhe ca kohë të ndezë motorët për të nisur, dhjetëra syresh gjyqtarë e prokurorë të korruptuar e joprofesionalë anembanë Shqipërisë vijojnë qetësisht “punët” e tyre.
Në morinë e proceseve të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga organet e vetingut, kriteri i integritetit dhe profesionalizmit kaloi në shumë raste tangjent krejt, ndërsa në mendjen e shumëkujt lanë gjurmë veç pasuri të shumta a llogari të fshehura a të padeklaruara, të dhuruara me bujari nga familjarët e tyre.
Do të ish frytdhënëse dhe efikase, që çdo ankesë e ligjshme dhe e drejtë e çdo qytetari drejtuar paskësaj organeve të vetingut, të vinte menjëherë në lëvizje këto të fundit, për të nxjerrë përballë ligjit secilin prej tyre, duke i bërë nder këtij sistemi, qytetarëve të këtij vendi posaçërisht.
Në rast të kundërt, mbledhja dhe arshivimi i ankesave për t’u shqyrtuar në një kohë (pa kohë) për secilin prej tyre, përveçse do të krijonte një precedent të rrezikshëm do t’u jepte mundësi e shans sërish këtyre të fundit, të vijonin me dëmet e tyre pa limit.
Ndërsa një pjesë e togave të zeza i bëjnë nder këtij sistemi, shumë syresh duhen larguar sa më parë për t’i kthyer shansin e mundësitë e humbura gjithsecilit prej nesh.
Të gjithë bashkë shpresojmë që vullneti i mirë dhe qasja e duhur ndaj këtij fenomeni të rëndë, një sistem rregullash përmes institucioneve të pavarura që garantojmë zbatimin e ligjit, të nxjerrë nga agonia një sistem të tërë, i cili po shkallmon e prish jetë njerëzish çdo ditë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al