Agnesa Hadërgjonaj: Surprizat e festës “Baby Shower” te “Prestige”

Jul 26, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

Në foto Fabiola Hysenbelliu, Agnesa e Angjelina Hadërgjonaj
Në foto Fabiola Hysenbelliu, Agnesa e Angjelina Hadërgjonaj
Vajza e madhe e Albërie Hadërgjonajt, Agnesa, ka shijuar festën e ashtuquajtur “Baby Shower”, të organizuar te restorant “Prestige” nga dy këngëtaret e njohura të familjes, nëna e saj dhe motra, Angjelina. Pasi është pushtuar nga një “dush dhuratash” për bebin që pret të sjellë në jetë së shpejti, vajza simpatike që ka zgjedhur të jetë jashtë vëmendjes së publikut, jep këtë intervistë për ndryshimin e bukur në jetën e saj në pritje për t’u bërë nënë dhe marrëdhënien me motrën dhe nënën artiste.

Jeni vajza e panjohur e familjes me dy këngëtare të njohura. Pse keni zgjedhur të bëni jetë jashtë vëmendjes së publikut?
Ka qenë një drejtim i natyrshëm, nisur prej faktit që unë nuk zgjodha të njëjtin profesion si mami dhe motra. Vëmendja e publikut duhet thënë se është privilegj i artistëve, më shumë se i çdo profesioni tjetër. Por dhe natyra ime është e tillë që priret ndaj jetës së qetë, private, dhe e shijoj këtë pjesë po njësoj, sa shijoj faktin që mami dhe motra janë shpesh në qendër të vëmendjes së publikut, me sukseset e tyre në muzikë.
XA3V4232f
Si është marrëdhënia juaj me Albërien dhe motrën Angjelinën, meqenëse ato janë pranë artit?
Ne jemi shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Kjo është një arsye më shumë që e vuajmë largësinë, duke mos jetuar në të njëjtin vend këto vitet e fundit. Megjithatë, mundohemi ta zbehim distancën duke ndenjur në kontakt çdo ditë dhe duke komunikuar në çdo moment që gjejmë mundësi. I detyrohem shumë mamit për këtë që jam, për mënyrën si na ka rritur dhe edukuar, mua dhe motrën time. Aq më tepër, e kuptoj këtë gjë sot që do bëhem vetë nënë.

Jo thjesht të bukura, por me linja prej kukullash. Cilat janë disa nga sekretet tuaja të bukurisë?
Sekretet e bukurisë sonë? Ndoshta gjenetike.

Do të jeni mami e një vajze apo djali, dhe  si do e quani?
Pavarësisht se kryesorja për mua është që të jetë një fëmijë i shëndetshëm, thellë dhe në fshehtësi preferoja të isha mami i një vajze, dhe vërtet ashtu ndodhi. Emrin nuk e kemi vendosur ende, edhe pse kemi një listë të gjatë emrash të preferuar. Kjo duket pjesa më e vështirë deri tani.

Dhe natyrisht e keni bërë gati dhomën për mysafiren e re në shtëpi…
Po, arredimin e dhomës e kemi përfunduar duke qenë diçka që e kemi bërë shpejt dhe me shumë qejf, si prindër për herë të parë që jemi.

Njohja me partnerin ishte një dashuri me shikim të parë, apo një lidhje që erdhi natyrshëm?
Me partnerin tim jemi njohur krejt rastësisht, pak kohë pasi ai ishte kthyer nga studimet në Angli, për të hapur biznesin këtu në Shqipëri, një distribucion produktesh profesionale për kozmetikë. Ngjan si klishe, por vërtet ka qenë dashuri me shikim të parë. Lidhja jonë është forcuar me kohën, gjatë rrugës së njohjes kemi qenë mbështetje për njëri-tjetrin në momente të mira dhe të vështira, ku jemi dashur gjithnjë e më shumë.

Albëria si e priti këtë lajm? Dhe çfarë këshillash ju  jep, pasi ajo është bërë vetë nënë shumë e re?
Mami e priti me shumë gëzim lajmin që do të bëhej gjyshe për herë të parë. Edhe për të ishte e papritur natyrisht. Është bërë shumë e re vetë nënë dhe është shumë e re për të qenë edhe gjyshe. Përpos shumë këshillave që më jep tani gjatë kohës së shtatzënisë, për mënyrën e të ushqyerit, për regjimin dhe kontrollin e stresit, këshillat më të mira ajo tashmë m’i ka dhënë me shembullin e saj se si rritet një fëmijë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura