“Agjenti i CIA në Tiranë, u maskua si kryetar i PK holandeze”! Zbardhen prapaskenat dhe takimet me Enver Hoxhën: Si i mori 18 mijë USD për botimin e historisë së Partisë së Punës së Shqipërisë

Aug 13, 2022 | 14:13
SHPËRNDAJE

Enver Hoxha prapaskenat-takimet-agjentetAFRIM IMAJ/ Ka vizituar Shqipërinë mbi 20 herë në harkun e 10 viteve për t’u takuar me krerët e lartë të politikës dhe është larguar i qetë drejt Amsterdamit. Chris Petersen lideri i Partisë Komuniste të Holandës, gjendej mysafir në Tiranë me mision të dyfishtë dhe nuk u zbulua asnjëherë.

Madje, autoritetet nuk i mësuan kurrë as emrin e vërtetë Peter Boevé, pavarësisht se me të identifikohej në të gjitha dokumentet zyrtare. Ai ushtroi për një dekadë agjentin e shërbimeve perëndimore me tagrin e kryetarit të Partisë Komuniste të Holandës! Çudia do mbetej e panjohur, pa angazhimin e Petersenit gjatë viteve të fundit për të zbardhur kujtimet nga ditët e “miqësisë vëllazërore me Enverin dhe liderët e tjerë shqiptarë”, ku rrëfen të vërtetën e inkursioneve të tij në Shqipëri.

Megjithatë, ish-bashkëpunëtorët e dikurshëm në Tiranë, e kanë të vështirë të besojnë këtë pjesë të misionit të Petersenit. Profesor Popa, në atë kohë drejtor i Jashtëm i KQ, pohon se nuk ka dijeni për shërbimet e Petersenit në interes të agjenturave perëndimore. “Çështjet që ngrinin holandezët në Tiranë, rrëfen ai, ishin disi ndryshe nga ato të krerëve të tjerë të lëvizjes marksiste.

Kryefjala e tyre fokusohej te lufta ndaj shfaqjeve dekadente dhe dukurive ekstravagante të rinisë, por diku shfaqej dhe interesi për metodat e luftës terroriste…”. E veçanta në komunikimin me liderët komunistë të Holandës, më shumë se në kujtesën e Profesor Popës, pasqyrohet me detaje në ditarin e mbajtur në periudhën kur drejtonte sektorin e marrëdhënieve ndërkombëtare në aparatin e KQ të Partisë. Interesante në shënimet e tij është problematika e konsumuar gjatë bisedimeve me homologët e Tiranës dhe qëllimet që fshihen pas tyre…

DITARI 16.3.
1973 BISEDIME ME SHOKUN

PETERSEN KRYETAR I PARTISË M-L TË HOLANDËS

Shoku Peterson: Jemi njohur së fundi me disa shfaqje të huaja flokë të gjata, muzikë “Bitëlls” etj., në Shqipëri dhe luftën kundër tyre. Jemi shumë të interesuar për këtë luftë, sepse në vendet Perëndimore përdoret nga borgjezia aventurizmi, muzika pop etj… Në vitin 1972 në një gazetë holandeze është botuar një artikull, ku thuhet se dy anëtarë të lëvizjes së rezistencës M-L paskan mësuar në Shqipëri metodat e luftës terroriste. Më pas edhe një anëtar foli në televizion se metodat terroriste janë të pranueshme nga teoria M-L.

Një anëtar u dënua me akuzën e hedhjes së bombës dhe u dënua 3 vjet. Ky shok bënte pjesë në KQ të Rinisë së Kuqe me detyrën e presidentit të saj… Partia jonë është e vetëdijshme për rolin historik të saj, por është realiste se forca jonë tani për tani është krejt e kufizuar. Megjithatë jemi shumë aktivë në informimin e klasës punëtore. Kërkojmë të na botoni në gjuhën holandeze këtu në Tiranë disa fjalime të shokut Enver (Fjala në mbledhjen e Moskës, raporti në Kongresin e VI etj) si dhe buletinin e ATSH-së… Tani të flasim për punën me të rinjtë. Veprimet e të rinjve janë ekstremiste ose jo efektive, ose të dëmshme (narkotikët, muzika e degjeneruar etj) Por edhe të rinjtë M-L detyrohen të vishen njëlloj si ta, ndryshe nuk futen dot në masa etj. Partia duhet të veprojë kundër shfaqjeve të modernizmit e të mënyrës së degjenerimit të jetës. Për këtë mbështetim masat që ka marrë PPSH-ja…

Ditari Agim Popes1

30.4 1975
TAKIM ME SHOKUN BAKRER E BROVE
TË PARTISË KOMUNISTE HOLANDEZE


Shoku Bakrer:
Antikomunizmi në Holandë është akoma i fortë dhe një pjesë e madhe e masave e shohin komunizmin si armik bile më të rrezikshëm se konservatorizmi. Sipas teorisë së tyre komunizmi është një ideologji që sjell uri, likuidim të së drejtave të njeriut, mbytje të fesë etj.
Shoku Brove: Uniteti i forcave që janë kundër kapitalizmit tani për tani na duket i paarritshëm, pra është një problem i të ardhmes. Vështirësitë rrjedhin edhe nga fakti që revizionistët e kanë katandisur socializmin në diçka më të keqe se kapitalizmi. Shpesh herë grupet majtiste që mbështeten kryesisht tek studentët, janë në shërbim të drejtpërdrejtë të borgjezisë, sepse studentët vijnë nga shtresat e larta.

7.5.1975
TAKIM ME SHOKUN P.BROVE
Lidhur me gjendjen e PK të Holandës, në janar të vitit 75 në gazetën e saj u botuan tre artikuj nga Paul de Groot ku dukej një ndryshim i theksuar i vijës së partisë. 1. BS vlerësohej si një mbrojtës i paqes dhe vihej në dukje se nuk mund të mendohej për të ardhmen që klasa punëtore holandeze pa ndihmën e BS. Sipas Groot tani ka vetëm një armik, SHBA-të. Ndërkaq në qëndrimin më të fundit të PK holandeze shprehet qëndrimi kundër përjashtimit të PK të Kinës dhe asaj të Indonezisë nga lëvizja ndërkombëtare.

Flitet për rëndësinë e madhe të Traktatit të Varshavës për mbrojtjen e vendeve socialiste dhe rolin e BS aty. (Paul de Groot e të tjerë pas shumë vitesh bënë vizitë në ambasadën e sovjetike) Këta artikuj janë interpretuar si sulm kundër Kinës, sepse Mao dhe Çu En Lai flasin për teori të dy superfuqive për social-imperializëm sovjetike etj. Pra, kërkesa e Paul de Groot-it që të mos përjashtohet Kina është demagogji. “Pravda” pas shumë vitesh shkroi për PK të Holandës dhe lavdëroi Paul de Groot-it, si partizan të politikës së paqes.

Bëhemi me dije se në qershor do të zhvillohet Kongresi i 25-të i PK të Holandës, ku do të shqyrtohet vija e re e Partisë. Nga informimi për Kongresin e Partisë SocialDemokrate të Holandës bëhet e ditur se atje u diskutuan këto çështje: Anëtarësia në NATO, blerja e avionëve të rinj, problemi i kryetarit të ri të partisë. Den Eli dha raport për vitet e para të qeverisjes socialdemokrate. Gjatë diskutimeve doli qartë përçarja midis krahut të djathtë e të majtë. Treshja Kryeministër, ministër i Jashtëm dhe i Mbrojtjes, përbëjnë krahun e djathtë dhe janë për bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, për blerjen e avionëve me raketa etj. Krahu tjetër që përfaqësohet nga pacifistë doli kundër këtyre tezave.

Disa çështje praktike që ngritën shokët holandezë të PK: Kemi vështirësi në marrjen e materialeve shqiptare dhe ato deri tani jemi duke i marrë nëpërmjet shoqatës së miqësisë. Ndërkohë, lideri i Holandës falënderoi për dollarët që mori nga ambasada shqiptare në Paris dhe pyeti nëse do të jetë dhe këtë vit në të njëjtën sasi. Lidhur me botimin e historisë së PPSH në Holandë kushton shumë 18-20 gulden, rreth 6 mijë dollarë. Duhen rreth 12 mijë dollarë për 2000 copë. Lidhur më shoqatën e miqësisë: Një e ashtuquajtur “shoqatë miqësie” organizon udhëtime në Shqipëri dhe për anëtarë të partisë revizioniste. Duhet bërë kujdes që garancitë të jepen vetëm nga PK e Holandës.

11.1.1983
TELEFONATË NGA PARISI NR.71
D. Blom i Organizatës për ndërtimin e Partisë Punëtore të Holandës i ka folur pozitivisht Isa Ramës për librin “Titistët” duke theksuar sa tanimë e kanë më të qartë çështjen e Mehmet Shehut. Ai interesohet për punën e ndihmave.

1.2.1983
TELEFONATË NGA PARISI NR.329

Ana Zaharia e Sekretariatit të shoqatës së miqësisë dhe e anëtarëve të Partisë Komuniste Punëtore të Francës i tha Isait (Ramës) se tani pas leximit të librit “Titistët” nuk ka më arsye të thuhet se për Mehmet Shehun mungojnë të dhënat, por problemi kryesor ka të bëjë me atë që, pse PPSH-ja nuk bisedoi më parë me partitë e tjera për këtë çështje. Isai dha sqarimet përkatëse dhe ndërkaq tha se në fjalën e shokut Enver para zgjedhësve ngrihen probleme ndaj të cilave ata nuk mund të qëndrojnë indiferentë. Prandaj, sipas tij mospropagandimi i këtij materiali është një veprim jo i drejtë…

Njeriu i Miteranit në Shqipëri: Do hapeni pas vdekjes së Enverit?

“A do të bëhet ujku qengj?!” Dilema për hapjen e Shqipërisë pas vdekjes së Enver Hoxhës pushtoi faqet e shtypit perëndimor, ende pa mbaruar ceremonia mortore e diktatorit në Tiranë. Të parët që nxituan të tatojnë pulsin e zhvillimeve të pritshme pas ardhjes në pushtet të Ramiz Alisë ishin qarqet zyrtare franceze. Në ditarin e Agim Popës, përshkruhet ndër të tjera vizita e parë e të dërguarit të Miteranit, ishpresidentit të Francës, i cili me aq sa ndenji e hetoi në vendin tonë nuk konstatoi shenjat e pritshme nga bota e qytetëruar. Me sa dukej Tirana dhe për disa kohë do vazhdonte në kursin e Enverit pa Enverin…
15 SHTATOR 1985 NJË SHKRIM I
SHTYPIT FRANCEZ PËR SHQIPËRINË

Një gazetë e njohur franceze boton një shkrim redaksional pa autor: “Bajle-ja në Shqipëri, kur ujku bëhet qengj”. Në të i bëhet jehonë vizitës që bëri së fundi një përfaqësues i qeverisë franceze në Tiranë. Në delegacionin e tij bënin pjesë 60 vetë, pjesa më e madhe gazetarë e industrialistë. J. M. Bajle-ja, sekretar shteti për marrëdhëniet me jashtë pas kthimit nga vizita bëri një koment për të. Në shkrim flitet se zyrtari i lartë i Parisit kishte për qëllim që gjatë kësaj vizite të bënte presion që Shqipëria të fillonte nga ndryshimet.

Troç: Shqipëria të hapet në të gjitha drejtimet. Edhe pse imperializmi francez lëshon ndonjë fjalë të sjellshme në adresë të Tiranës, ai nuk mund të fshehë padurimin për ta parë Shqipërinë të evoluojë ashtu si BS pas vdekjes së Stalinit. Shumë gazeta në Perëndim janë shprehur se një vizitë e tillë nuk mund të bëhej kurrsesi një vit më parë, me fjalë të tjera kur Enver Hoxha ishte ende gjallë. Bajle ishte mysafir në Shqipëri me bekimin e Miteranit.

Ai në Tiranë foli për respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri, duke shtuar se një nga kushtet për të qenë mik të Francës është që një vend të mos ketë të burgosur politik. Është e vërtetë që në Francë socialdemokracia i dëbon këta në Spanjë. Ky ishte një artikull tepër i ndyrë, plot aluzione armiqësore në adresë të PPSHsë, të cilën e akuzon as më shumë dhe as më pak se po hapet në drejtim të imperializmit perëndimor, po shkon drejt rrugës së degjenerimit që ndodhi në BS pas vdekjes së Stalinit, po tradhton rrugën e Enverit, po pranon në heshtje fushatën ideologjike të socialdemokracisë kundër komunizmit e Komiternit etj. Pra, një shkrim tërësisht i shkruar nga pozita trockiste. Duhet thënë A. Seminit në Paris për të gjetur rastin e për t’i thirrur për t’ua vënë këto në dukje gjithnjë si një përpjekje trockiste antishqiptare…

Peter: Në Tiranë si agjent i fshehtë! “Dollarët që më jepnin shqiptarët, ishin që nga Lufta e Dytë Botërore”

Quhej Peter Boevé dhe vizitonte Tiranën me tagrin e kryetarit të Partisë Komuniste të Holandës, por asnjëherë nuk u prezantua me emrin e vërtetë. Në takimet zyrtare, duke filluar nga ato me Enverin, shfaqej me pseudonimin Chris Petersen.

Teksa demonstronte orë e çast para autoriteteve shqiptare besnikërinë për kauzën e marksizmit, nuk harronte të depërtonte në pjesën e panjohur të zhvillimeve politike në vendin e vetëshpallur si “Zemra e revolucionit”. Në fund të fundit ky ishte dhe misioni i vërtetë, për të cilin Peter Boevé u shpërblye nga institucionet zyrtare të Holandës edhe nga CIA amerikane, e cila çmonte fantazinë gjeniale me të cilën ai kapërceu në bunkerin shqiptar. Po si arriti Peter Boevé deri këtu?

Misteri i misionit në Tiranë zbardhet së fundi në një libër të botuar në Holandë me autor Fritz Hoekstra. Në kujtimet e këtij ish-agjenti të hershëm “Në shërbim të sigurimit sekret ndërkombëtar. Spiunazhi dhe kundërspiunazhi në Holandë” bëhet e ditur për herë të parë historia misterioze që mban për protagonist liderin e PK të Holandës…

FANTAZMA E LIDERIT TË PARTISË FANTAZMË

Prezantimi i parë në Tiranë me liderët komunist holandezë është bërë diku nga fundi i viteve ‘60. Në harkun e 10 viteve, autoritetet politike shqiptare, pa ditur ç’fshihej pas profilit të tyre, mbajtën marrëdhënie të afërta, madje kontaktet me ta i vlerësonin me interes.

Agim Popa, ish-drejtori i Drejtorisë së Jashtme të KQ, nga kontaktet me Chris Petersen, kujton interesimin e veçantë të tij për luftën ndaj shfaqjeve të huaja dhe ekstravagancës së rinisë. “Sakaq, pohon ai, liderët holandezë nuk e fshihnin në takimet me ne, një lloj kërshërie të tepruar për të zbuluar depërtimin e ndikimit të “rrezikut maoist” në Holandë. Ish-funksionari i KQ, shprehet se në asnjë rrethanë nuk është vënë në dijeni për qëllimin e dyfishtë të misionarëve nga Holanda. Madje Popa, siç vë në dukje, as tani nuk di gjë për të vërtetën e lojës së Petersenit me shërbimeve agjenturore në Shqipëri…

DOLLARËT E MYKUR TË TIRANËS

“Në Tiranë dhe Pekin teksa shërbeja si agjent merrja dhe shpërblime financiare si kontribuues i lëvizjes komuniste ndërkombëtare” shprehet Peter Boevé në kujtimet e tij nga periudha kur hiqej si kryetar i Partisë Komuniste të Holandës, ku pohon ndër të tjera pagesën që merrte nga “miqtë” që i survejonte në fshehtësi. “Ishin pagesa në dorë me dollarë amerikanë nga Shqipëria, shpjegon ai, dhe më mbaj mend që mbanin erë shumë të keqe, mbase ishte pjesë e mbetur nga Lufta e Dytë Botërore dhe të mbajtura në kushedi se çfarë bodrumi me lagështi”. Ishlideri holandez, vazhdon të mbetet i çuditur nga mënyra si shqiptarët e besuan verbërisht pa dyshuar një herë në misionin e vërtetë të tij.

“Bujaria” me valutën e falur në kohën kur vendi përjetonte krizën e tejskajshme, ishte diçka paradoksale. Ndihma shqiptare shkonte kështu për një shërbim të fshehtë perëndimor që kishte në fokus vet atë. Lideri holandez arriti deri aty sa të krijonte me fondet e Tiranës në Amsterdam Fondacionin Holandë-Shqipëri, i cili fund e krye u destinua për punonjësit e agjenturës vendase. Shumëkush prej holandezëve që do vizitonte Shqipërinë merrte më parë “vizën” nga krerët e këtij fondacioni. Peter thotë se shumat për aktivitetin e tij nga Tirana dhe Pekini ishin jo të pakta.

PETERSENI, AGJENT I CIA-S

Në librin e Hoekstrës që bën fjalë për misionin agjenturor të Peterit në Shqipëri, pohohet se për të ka pasur dijeni dhe CIA amerikane. Madje, shton Hoekstra, CIA kishte mbetur e habitur nga ideja e holandezëve për natyrën e këtij misioni që bëri të mundur depërtimin në kërthizën e vendit më të izoluar të kampit socialist.

“Këta agjentë me “këpucë druri”, shton ai, për CIA-n ishin shumë më të zgjuar nga ç’mund të pandehje”. Në dokumentet e CIA-s, ky mision ishte koduar me emrin “Harringu i kuq” që të kujtonte emrin e peshkut të njohur në Amsterdam. Nga ana e vet Peter kujton lodhjen e padurueshme për të artikuluar para homologëve shqiptarë tezat pambarim nga veprat e Enverit dhe klasikëve të Marksizmit.

“Përndryshe, shprehet ai, nuk mund ta kaloja “provimin” dhe të tjerët do binin në gjurmët e misionit agjenturor”. Gjithsesi, dikur aktiviteti i tij shënoi epilogun e suksesshëm dhe Peter iu kthye aktivitetit normal në familjen e vet në Amsterdam. Ishte momenti kur ndërroi jetë Mao Ce Duni dhe filluan të perëndonin grupet maoiste në Perëndim. Që këtej Shqipëria e asaj periudhe të artë për të do të mbetej në vegimin e kujtimeve…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

© Panorama.al

Te lidhura