Agjentët e martesave

Mar 26, 2015 | 11:43
SHPËRNDAJE

Sigurisht që, një tradhti në çift, rrallë ka fatin të ngelet e fshehtë. Sado që, i zoti i punës e merr vesh i fundit. Pra, pala e tradhtuar, edhe pse qyteti mund të ziejë nga thashethemnaja, fle në dafina. As miqtë, në rast se ende ka të tillë, nuk i japin gojës, duke parë si kanë ardhur punët. Megjithatë nuk mund të themi që nuk ka nga ato femra (apo meshkuj) që nuk kanë aftësi investigative. I hyjnë punës vetë dhe zbardhin historinë. Jo se më pas e bëjnë publike! Me krizën e burrave, e lënë pas krahëve dhe vijojnë martesën e “lumtur”. Këtë skenar e keni dëgjuar qindra herë, jo? Janë edhe rastet e tjera që kanë bërë paqe me këtë punën e tradhtisë. Nëse e bënë njëri, pse të mos e bëjë edhe tjetri! Pra, tradhtojnë e kënaqen të dy deri sa pleqëria t’i ribashkojë në betimin fillestar. Mirëpo, janë edhe ata tipat e tjerë që kërkojnë gjilpërë në kashtë. Edhe aty ku nuk ka vend për kërkime, tentojnë me të tyren. Për këto raste, agjencitë e martesave që janë hapur vitet e fundit në Shqipëri kanë futur shërbime të reja. Kanë agjentët e tyre në terren që u shkojnë nga mbrapa këmba-këmbës, të vënit në shënjestër. Natyrisht që ti nuk di asgjë, vetëm se duhet të jesh i vëmendshëm tashmë ndaj çdo hijeje që të vjen përqark. Mund ta kesh në rrugë, në kafene, por edhe te parkimi i motelit ku mendon se do të kalosh dy orë të qeta. Është i pajisur me aparat fotografik, duke të pritur të dalësh i çlodhur; kështu edhe fotografia të del më mirë, pra nuk justifikohesh dot se aspo dole nga një mbledhje pune. Si të njohin?! Gruaja apo burri yt është kujdesur për gjithçka. “Të ka prezantuar” në agjenci dhe tani pret lajme prej teje në mënyrë që gjykata ta ketë më të lehtë vendimin e ndarjes. Nëse të gjitha këto ju duken sekuenca filmash, bëni mirë të interesoheni sepse spiuni nuk do të jetë më një nga rrethi juaj shoqëror, por një njeri i paguar e profesionist. Sot, meqenëse në Shqipëri ky shërbim nuk ka ende përkrahje ligjore, të gjitha këto nuk bëhen fare hapur. Agjentët bëjnë punën e tyre të fshehtë, pastaj agjencia tërhiqet, duke ia lënë palës që e ka kërkuar shërbimin të vendosë se ç’do të bëjë më vonë me faktet. Jo, mos mendoni se pasi ka zbuluar tradhtinë, i tradhtuar lë fotografinë e tij në agjenci për të bërë mblesën e radhës. Ky shërbim, shifra e parave të të cilit nuk është bëhet publike, nuk vlen vetëm për tradhtitë brenda çiftit. Funksionon njësoj për çfarëdo dyshimi që mund të keni në kokë e që, për zbulimin e të cilit, ju duhet ndihma e dikujt tjetër për ta zbuluar. Nëse deri dje i bënit këto me një mik të besuar, sot nuk keni pse të përfshini askënd, madje nuk keni pse përfshiheni as vetë. Nuk doni të krijoni konflikt me djalin tuaj adoleshent, por nga ana tjetër ju gërryen kurioziteti për të mësuar se ku shkon dhe me kë?! Agjentët kanë filluar t’i zbulojnë edhe këto raste. Më pas, se si reagoni ju ndaj dukurisë, është çështje e juaja; me kaq mbaron puna e agjencisë. Thoni pastaj që keni edhe ju një jetë private! D.m.th, private përtej privates zyrtare.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura