“Agjent i Sigurimit dhe rrugaç”, Demalia rrëfen takimet me shkrimtarin: Ja pse Kadare më sulmon

Sep 20, 2017 | 9:34
SHPËRNDAJE

Ndoshta Ilir Demalia nuk e dinte që publikimi i një letre të Kadaresë për diktatorin do të bënte aq shumë bujë, por në të vërtetë, ajo mbajti gjallë një debat për ditë me radhë. Në një intervistë për Eni Vasilin në “News 24”, Kadare, duke folur për letrën, u shpreh se nuk e njihte asfare personin që e kishte botuar atë, madje disa e quanin “agjent të Sigurimit”, të tjerë “rrugaç” etj.

demaliaj

Pas kësaj interviste, ka reaguar sërish Ilir Demalia, i cili tregon njohjen me shkrimtarin, të gjitha takimet me të, që kanë ndodhur edhe në prezencë të bashkëshortes së Kadaresë dhe vajzës së tij, për librat dhe kartolinat që kanë shkëmbyer. Demalia shpjegon arsyet pse Kadare mohon njohjen me të.

ILIR DEMALIA

Në emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit, Ismail Kadare dha një intervistë, dukshëm e konsultuar dhe ndërtuar enkas për ta lënë atë të manipulojë opinionin publik mbi të vërtetën.

Kadare që në fillim të intervistës thotë se ka kërkuar dhe kërkon hapjen e dosjeve të fshehta të diktaturës e sidomos ato të Sigurimit. Unë, duke dëgjuar edhe këtë dajre të Kadaresë të përsëritur disa herë nga ai, nxora një letër të tij që e kanë shumë njerëz të tjerë, dhe nuk përbën ndonjë sekret. Nuk është marrë nga arkivat e Ministrisë së Brendshme, as nga dosjet e Sigurimit, por nga Arkiva e Shtetit ku ndodhet arkivi i Komitetit Qendror.

Autografi në librin që Kadare i dërgon Demalisë nga Parisi, 1994 / Kartolina me rastin e Vitit të Ri, që familja Kadare i dërgon Ilir Demalisë, 1992
Autografi në librin që
Kadare i dërgon Demalisë nga Parisi,
1994 / Kartolina me
rastin e Vitit
të Ri, që familja Kadare
i dërgon Ilir Demalisë,
1992

Vetë Kadare po në këtë intervistë na thotë se kjo letër jo vetëm që nuk e turpëron, por i bën nder. Atëherë, përse njeriun që nxori letrën, që ishte në shumë duar, por nuk e nxirrnin si gjë “të parëndë- sishme” e “shpërbleu” në intervistë duke thënë:

“Ky është turpi i vendit tonë sot, që kjo gjë vazhdon akoma. Kanë kaluar javë të tëra, njeriu që e ka nxjerrë nuk e di çfarë është,[…] njëri thotë ish agjent i Sigurimit, tjetri thotë është rrugaç, tjetri aventurier, të tjerë s’e njohin.

Por nga ka dalë ky njeri, dhe si e ka nxjerrë”. Mënyra se si e prezanton që në fillim të intervistës personin të cilin nxori letrën, i cili quhet Ilir Demalia, që sipas tij nuk e njeh, është fillimi i gënjeshtrave të kësaj interviste.

Le t’i marrim me radhë: Me etiketimin tim si “rrugaç” dhe “aventurier” nuk po merrem pasi Kadare, nëpërmjet asaj që thonë “të tjerët”, ka të drejtë të ketë opinionin e tij.

I kam dëgjuar këto nga Zylyftar Ramizi, zv.ministri i Brendshëm dhe shefi i Sigurimit, Dilaver Bengasi, drejtori i Policisë së Shtetit në diktaturë, Piro Lako, sekretar i Komitetit të Partisë të Tiranës, i cili në mbledhjen e Kinostudios, janar 1990, para gjithë kolektivit të Kinostudios më quajti “rrugaç”. Tashmë e dëgjoj dhe nga Kadare!

2. Me Ismail Kadarenë jam takuar për herë të parë në pranverën e vitit 1990 para ngjarjes së ambasadave në shtëpinë e tij, ku ka qenë e pranishme dhe e shoqja, Elena Kadare. Ai desh të dinte, dhe unë i kam folur për ngjarjen e Kinostudios (mbledhjen e famshme), si dhe për “demonstratën e heshtur” dhe dhunën që u ushtrua për njerëzit që morën pjesë në të.

Për këtë takim kam shkruar në librin e parë “Drejt Perëndimit”, botuar si fletore shënimesh në 1995. Këtë libër ia kam dhuruar me autograf Ismail Kadaresë në Nju Jork dhe e ka lexuar (siç më ka thënë më vonë).

3. Në tetor të vitit 1991 jam takuar në Paris fillimisht me zonjën Elenë dhe me të bijën, të cilat më shpunë te shkrimtari në një panair libri ku gjendej ai. E takova. Pas përshëndetjeve dhe një bisede të shkurtër, iu ankova me një lloj toni miqësor se si shpjegohej që kur ai pat shkruar për ngjarjen e Kinostudios, paskësh harruar emrin e personit me të cilin qe takuar dhe e pat thirrur në shtëpi për t’i treguar gjithçka me të tëra hollësitë?!

Ia thashë këtë se në fillim të vitit 1990, Ismail Kadare në Francë botoi në shqip dhe frëngjisht librin “Nga dhjetori në dhjetor”. Në këtë libër, në faqen 121, shkruan për këtë ngjarje se si janë rrahur Hektor Pustina dhe Reiz Çiço, Ylli Beqiraj dhe janë quajtur “rrugaçë”. Kurse të vetmin “rrugaç” nga këta, me të cilin ishte takuar në shtëpinë e tij, që isha unë, e kishte fshirë.

M’u përgjigj: “Është bërë gabim në shtyp”. Në të vërtetë, emrin tim e kishte lënë jashtë si ndëshkim. Më pat ndëshkuar se më 15 gusht 1990, në intervistën dhënë në “Zërin e Amerikës”, ndërmjet të tjerave, kur u pyeta për rolin e intelektualëve, pata thënë:

“Kjo vjen pasi këta intelektualë, dashje pa dashje gjatë jetës së tyre janë kompromentuar me Partinë Komuniste, siç është rasti i Ismail Kadaresë, ku ai ka thurur himne për Partinë dhe për Enver Hoxhën dhe tashti kthehet me një gjuhë tjetër. Në qoftë se ai ka arritur të ketë një metamorfozë të tillë, i gjithë populli shqiptar është shumë dakord që ta pranojë. Kjo metamorfozë të jetë reale dhe ai ta kërkojë me këmbëngulje një opozitë të tillë.

Kjo opozitë të ketë një rol të fuqishëm për të përmbysur regjimin komunist dhe atëherë zoti Kadare mund të bëhet një Havel për Shqipërinë, por jo duke vazhduar të bëjë kompromise me regjimin e Tiranës dhe duke dashur të dalë si flamurtar i demokracisë në Shqipëri!”. Te kjo intervistë është origjina e “mosnjohjes” së Ilir Demalisë nga Kadareja. Megjithatë, pas debatit mbi librin, kontaktet tona vazhduan.

Pas tre muajsh, në Gjermani më erdhi një kartolinë nga familja Kadare, ku më uronin Vitin e Ri 1992 “me shpresën se vitin që vjen do ta festonim së bashku në Shqipëri”. Ne vitin 1995, më dërgoi në New York vëllimin e dytë të përmbledhjes së veprave të tij, botuar nga “Fayard”-i, dhe më pat nderuar, duke mos harruar dedikimin për njeriun që nuk do ta njihte njëzet vite më pas!

Në vitin 1996-1997 e takova përsëri në New York. Aty më foli dhe për librin tim “Drejt Perëndimit”, duke e quajtur material të mirë, por të shkruar keq dhe botuar edhe më keq. Jam takuar përsëri në verën e viti 2005 në shtëpinë e tij në Tiranë.

Në këtë kohë ishte shumë i nervozuar me ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, me të cilin tek Eni Vasili do të bashkohej për vlerësimin tim, me Dilaver Bengasin, që i kishte nxjerrë një dokument nga ata të regjimit komunist, për një denoncim të Ismail Kadaresë, ndaj Dritëro Agollit në fillim të viteve 1980.

A mund të thuhet pas gjithë këtyre, “nuk e njoh këtë njeri”?! Por le të vazhdojmë me atë që është më e rëndësishme dhe pse Ismail Kadare e bën këtë “mosnjohje”. Për dijeni të Kadaresë dhe publikut, unë kam një dosje në Arkivat e Sigurimit të Shtetit, që sot zotërohen nga autoriteti i dosjeve.

Bile, jo një, por dy dosje voluminoze për familjen time.

1. Dosja 2A e hapur në vitin 1972, që është dosje përpunimi për arrestim për tim atë, Binak Demalia, që u arrestua në 11 mars 1975, u dënua me 4 vjet, me Nenin 55 të Agjitacionit dhe Propagandës dhe u lirua në 11 mars 1979.

2. Në vitin 1987 hapet dosje 2A për Binak Demalia, Ilir Demalia, Arben Demalian, që vazhdon e hapur deri në vitin 1991, së bashku me përgjimet telefonike, megjithëse unë dhe im vëlla ishim larguar nga Shqipëria qysh nga korriku 1990, nëpërmjet lëvizjes së ambasadave.

I jap leje Ismail Kadaresë dhe kujtdo, të shkojë ta lexojë dosjen dhe të gjejë, si mbas Kadaresë, se si unë mund të jem agjent i Sigurimit! Por po ngre edhe pyetjen:

Përse Ismail Kadare, që bën thirrje për hapjen e dosjeve të Sigurimit, nuk jep shembullin i pari të hapë vetë dosjen e tij, por kërkon që sejmenët e tij të shkojnë të kërkojnë se ku është përmendur emri i Kadaresë në dosjet hetimore dhe gjyqësore.

Duke dëgjuar Kadarenë, unë, me gjithë irritimin për shpifjet e panumërta, mendova se botimi i letrës që i ka dërguar Enver Hoxhës, ka shërbyer për të sqaruar pozicionin e tij në raport me regjimin dhe diktatorin. Tabori i jeniçerëve të Kadaresë shesin si denoncime në Sigurimin e Shtetit, mbledhjet e Lidhjes Shkrimtarëve, raportet dhe letrat me Komitetin e Partisë apo Komitetin Qendror, letrat e Klasës Punëtore, e ku ta di unë.

Në intervistë, ai tha hapur se motra e tij ishte e vetmja që shpëtoi për shkak të tij. Emri i tij, për shkak të raportit që kishte me regjimin, ishte në gjendje të mbronte njerëzit nga burgu, sepse vetëm e motra shpëtoi. Prandaj, edhe në polemikën që ka hapur, duke akuzuar Lubonjën se ai e ka përmendur emrin e tij për ta dëmtuar, unë besoj Lubonjën, i cili thotë se ia ka përmendur emrin bashkë me Kadarenë për ta mbrojtur të atin.

Ismail Kadare ka një dosje të hapur me shqiptarët, që janë të gjitha krijimet dhe qëndrimet e tij kritiko-letrare, politike, ideologjike. Aty i ka të gjitha shkrimtari ynë i madh, me poezitë për Stalinin, Leninin, “Qenin e kufirit”, “Linjat e largëta”, “Autobiografia e popullit tim në vargje”, “Ftesë në Studio”, “Dimri Madh”, “Koncert në fund të dimrit”…

Asnjëherë Ismail Kadare nuk ka mbajtur qëndrim kritik ndaj vetes gjatë postkomunizmit, qoftë edhe për një artikull gazete, ku me qindra nga ata janë një shërbim ideologjik ndaj diktaturës, se për vepër të tij absolutisht jo.

Ai gjithditë e më shumë po ngul këmbë se vepra e tij ka qenë kundër diktaturës dhe ai i persekutuar nga regjimi. Nuk di se çfarë quan të privilegjuar Ismail Kadare në diktaturë, mos ndoshta ka qenë Fatos Lubonja, 17 vjet në burgjet e birucat e Spaçit dhe Burrelit?!!

Kadare thotë, se Lubonja është një shkrimtar i rëndomtë dhe mediokër. Po të nisemi nga vlerësimi, nga çmimet, siç jemi mësuar të bëjmë me Ismail Kadarenë, duke ia përmendur çdo ditë çmimet dhe duke i rënë portave të “Nobelit” me shkelma që t’i japë “Nobelin” Kadaresë, edhe Fatos Lubonja ka 15 çmime ndërkombëtare për letërsi, publicistikë e gazetari, e disa prej tyre si “Herder” në Gjermani i ka dhe Kadare, apo çmimi “Prince Clause” në Holandë, dhënë nga mbretëresha e Holandës, etj. Lubonjën nuk e dëgjojmë të flasë për këto çmime.

Ai i lë lexuesit veprën për mos ta manipuluar me çmimet. Media nuk i bën kurrë jehonë çmimeve të Lubonjës, çmimeve të Kadaresë çdo ditë! Atëherë, edhe për Kadarenë mund të themi mediokër dhe i rëndomtë!! Apo për Lubonjën, shkrimtar i njohur ndërkombëtar, pasi dhe veprat e tij janë përkthyer ne italisht, polonisht, anglisht….

Në fund të intervistës kur të tërë mbajnë frymën se çdo na thotë shkrimtari ynë i madh, ai thotë: […] “mor popull shqiptar” mos ma kërko mua këtë gjë. Nuk jam bërë shkrimtar me votat e popullit.

Nuk kam përgjegjësi unë si ecin punët e Shqipërisë. Më poshtë ai nuk bën asnjë koment për zgjedhjen e Gramoz Ruçit duke thënë, “nuk i kam të qarta, nuk e kam ndjekur politikë…”, kështu i tha edhe Ramiz Alisë ne takimin me intelektualë në 1990: “nuk e kam të qartë pluralizmin”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura