Agim Sulaj, një valixhe emigranti në Lungomaren e Vlorës

Apr 18, 2018 | 13:33
SHPËRNDAJE

AGIM JANINA/ Piktori Agim Sulaj i kthehet dhe i rikthehet valixhes. Ajo zë vend themelor në krijimtarinë e fundit. E ka bërë me dhjetëra herë, duke gjetur gjithmonë diçka të re për të thënë. Ka shëtitur me të në të gjithë vendet europiane e më larg. Ka marrë çmime kudo. Pse, çfarë e shtyn ? Thjesht një kujtim i largët, kur në vitet ‘90-të iu desh të largohej nga vendi dhe në dorë kishte një valixhe në dorë ?

agim

Edhe kjo është, por arti edhe pse vjen si përjetim i brendshëm i artistit, ngrihet mbi të dhe formësohet si vlerë dhe ndjenjë përtej vetvetes. Valixhja është një objekt më se i thjeshtë. Artisti e ka ngritur në simbol. Piktori kujton vitin 1989, kur në studion e Vlorës, i ulur mbi divanin me damask me lule trëndafili, i grirë nga vitet e përdorimit, drithëronte nga gëzimi, duke vizatuar valixhen e parë. Ishte një karbon në letër dhe paraqiste një valixhe shtëpi, me dritare e portë.

Në vitet kur sistemi po rrë- zohej, dalja nga Shqipëria drejt Hotel Hilton në Stamboll i dha shkas për një bocet të vogël bardhë e zi me titull “Shtëpia e emigrantit”, për konkursin i mirënjohur të Aydin Dogan dhe fitoi… “Vizatimi si pa e kuptuar, shton artisti, ishte kambana e parë e ikjes nga Shqipëria. Jeta më pas do të ishte një shtëpie valixhe, shi si në vizatimin e Stambollit.

E kam të gjallë edhe sot ditën e largimit nga porti i Vlorës drejt Italisë. Kisha me vete një valixhe, si shumë emigrantë dhe valixhja si një copë Atdheu të rëndon në shpirt. Brenda saj një tufë çaj mali, disa guaska nga zallishtja buzë detit, pak tesha të kohës dhe…. trishtimin e mekur, ndërsa Vlora të largohej e humbiste përmes shkumës së bardhë që linte pas trageti, nën çarjen e dallgëve të detit të trazuar. Valixhja që më e fortë se unë. Shtrëngimi i saj në dorë u përcoll në letër”.

Në simbolikën e saj shihte dramën e emigracionit, i sillte në mendje pamjet apokaliptike të anijeve të mëdha mbushur dinga me burra, gra, fëmijë… iknin e iknin me çdo mjet anije, peshkarexha, trapa të ndërtuar me fuçi bosh nafte… trishtimi i qytetit, mbytjet në det, tragjedia e Katerit të radës… lot dhimbje… Një mëngjes të ftohtë edhe ai, i vetëm do të merrte rrugën e detit. Shoqëruese kishte vetëm një valixhe të thjeshtë.

Brenda një tufë me karikatura… Vepra e artit së pari lind si ëndërr në thellësi të shpirtit të artistit. Ëndrra e piktorit Agim Sulaj vjen e plazmohet kohë pas kohe, duke u shpërfaqur në disa kompozime me një objekt të kthyer nga një makth udhëtimi në një objekt arti. Valixhe, brenda së cilës mblidhet e formësohet vuajtja, ndjenja e lirisë, shpërthimi drejt saj, mëdyshja e kuturisja e udhëtimit, kalimi në “anën tjetër”, malli për të shkuarën… gjithçka e mbledhur e futur brenda lëkurës së valixhes. Në konkursin ndërkombëtar të vizatimit “Derwent Art” në Londër, u paraqit me valixhen, titulluar “Refugjatët”, (vizatimi i madh 1.70 me 1.50 cm) fituese e çmimit të parë, me vlerën e 6000 paundëve anglezë. Fillimisht ka marrë çmim në Portugali më 2011-ën, i realizuar në letër me akrilik për të vijuar rrugën drejt vlerësimit të madh.

Ja pra, një laps bën mrekullinë, por duhet të jesh mjeshtër si Sulaj për ta përmbushur… Ceremonia rutinë e çmimit të madh i ngacmoi idenë e kthimit të saj në monument prej bronzi në Vlorë, pikërisht andej nga u nisa 27 vite më parë. Por… piktori mbrunte në vetvete një ëndërr.

“Ika me valixhe druri dhe e kthej në bronz, e ngul në bronz për të përjetësuar e transmetuar plagën dhe dhimbjen që lë pas ikja nga Atdheu. Duhet të jetë një dhuratë e realizuar nga “lart” dhe do të ndihem vërtet i mbushur shpirtërisht po të miratohet bërja e saj në Lungomaren e qytetit të Vlorës. Përmasat do të jenë të përmbajtura: 2 metra e gjatë, 160 e gjerë dhe 80 cm e lartë, plus një bazament.

Realizimi i parë i maketit në baltë dhe më pas në terakotë qe një provë, e cila u kalua me pasion”. Vitet kalonin, u rregullua, mori familjen, arti i eci, mori çmime kudo, por valixhja i rëndonte. Vendosi t’ia kthente qytetit prej nga u largua. A do ta pranojë qyteti veprën e tij ? Artisti shpreson, ëndërron… shpreson…! Një tjetër çmim në Cuneo sa arrita përsëri valixhen. Më pas në Francë, në Tourcoing, sa herë kam nisur vizatim emigrimi jam vlerësuar. Hajmalia që dikush mbante brenda valixhes ose torbës së udhëtimit për mua ishte valixhja.

Edhe pse me valixhen mori çmime e vlerësime, e dërgoi kudo nëpër Europë, mendja i rrinte në Vlorën e largët, në atë cep të vogël në hyrje të portit, aty ku shkëputi për herë të fundit këmbën nga bankina e betontë për të marrë rrugën e mërgimit… aty kërkon ta vendosë monumentin. T’i kujtojë çdo udhëtari brengën e kohës, por edhe kënaqësinë e udhëtimit, shpresën, mallin dhe një copë Atdheu… Por vepra do të derdhej në bronz dhe ai nuk ishte marrë me skulpturë. Të gjitha krijimet ishin në pikturë. Nuk u tut dhe menjëherë iu vu punës…

Si gjithmonë, ngritja e një monumenti has në vështirësi të shumëllojta. Së pari, duhej marrë vendimi i Bashkisë së Vlorës. E ka provuar ndërtimin në skulpturë një herë në Rimini. Ia kërkuan një prej valixheve ta bënin monument për aeroportin e Riminit dhe ia doli mbanë me sukses. Por kur gjithçka kishte mbaruar, monumenti u vodh. Kërkesat e larta për vendin ku do të vendoset, bazamenti ku do të ngrihet duhet të piqen mirë me një mendim të gjerë dhe të specializuar sepse vepra duhet të mos qëndrojë në vetvete.

Ajo kërkon lidhje të harmonishme me mjedisin ku do të vendoset dhe me njerëzit që do t’i vinë rrotull për ta parë dhe krijuar një lidhje njerëzore e të pranueshme. Tashmë artisti e ndërtoi dhe e projektoi veprën si maket, ku shihet monumenti i ardhshëm. Maketi në allçi është gati. Ia doli mbanë. Autoritetet përkatëse duhet ta shohin me seriozitet dhe t’i përgjigjen. Është në të njëjtën frymë dhe stil hiperealist si vizatimet dhe tablotë me vaj, i kuruar deri në detajet më të imta me skrupulozitet të madh, i materializuar në thellësi, duke dhënë lëndën e përçuar emocion.

Zgjidhja kompozicionale ndjek me besnikëri vizatimin fitues. Ndërsa vizatimi qëndron si vepër më vete dhe mund të vendoset kudo, monumenti në bronz lidhet me volumet në hapësirë, lidhjen me mjedisin ku do të vendosjen, urbanistikën, veçoritë e peizazhit, pranimin nga kalimtarët si një skulpturë parku, të cilën mund ta kundrosh nga pranë, ta prekësh, të ulesh e meditosh mbi të, të “bashkëbisedosh” natyrshëm, probleme që do të zgjidhen më pas.

Projekt-monumenti i Sulajt del nga korniza e monumenteve të shumta me luftëtarë e pushkë me frymë heroike, që vijojnë të ngrihen. Valixhja, një objekt i thjeshtë, që kërkon të mos jetë aty si i tillë, por me brishtësinë e punimit frymën paksa romantike, motivin e gjetur të përditësohet me peizazhin dhe natyrën e bregdetit dhe shëtitores së madhe vlonjate. Kujtesa e shkuar mpleksur me dëshirën e sotme dhe vijueshmërinë e ëndrrës së përjetshme për udhëtim e lëvizje, është ajo çka mbart në thelb vepra.

(*Studiues arti)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura