Agim Sulaj kërkon rrënjët, i rikthehet figurës së shqiptarit “të ashpër”

Dec 13, 2017 | 14:38
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Koha, globalizmi, shkrirja e kufijve, teknologjia, pudra… Të gjitha së bashku po e zbehin imazhin e shqiptarit të qëmotshëm, ashtu si na e përshkruante dikur Lord Bajroni. Sigurisht është një fenomen universal dhe sot, gjithçkaje të paqtë dhe të shtruar ia ka zënë vendin ritmi i çartur dhe teknologjia.

24862334_10212567220206970_2476400002079519982_n

Duke qenë larg (jo shumë larg, përtej detit), Agim Sulajn e merr malli të kthehet te rrënjët e tij. Të ulet këmbëkryq me suljotin me fustanellë borë të bardhë pala-pala, t’i ndjejë shikimin e rreptë malësorit me dyfekun e gjatë… mall për atë që nuk është më. E nëse nuk mundet dot ta bëjë këtë duke ardhur në Tiranë, apo në Vlorë, apo në këdo qytet shqiptar, ai ka vendosur t’i sjellë vetë, bash në zemër të kryeqytetit, në një ndërtesë që ngjan disi si kullë, por që në të vërtetë është shprehje e modernitetit, në “Plaza”.

“Rrënjët 2” e ka titulluar ekspozitën karikaturisti dhe piktori Agim Sulaj. Nga njëra garë në tjetrën, ku përherë do të marrë çmime të para, sidomos në lëmë të karikaturës, Sulaj i dedikohet edhe pikturës. Dora e Sulajt është tërësisht e dallueshme, pasi në pikturë ai ka zgjedhur të “sfidojë” natyrën përmes hiperealizmit dhe pikturat e tij të japin ndjesinë e së gjallës dhe duhet t’i rezistosh tundimit që t’i prekësh ato. Ndërsa në karikaturë, fantazia e tij nuk ka kufi.

24993453_10212576814086811_7453579385246680731_n

“Në këtë ekspozitë prezantoj një mozaik temash. Për herë të parë kam futur edhe dedikimin mbi fytyrën e shqiptarit, portretin e tij, që ndoshta nuk e shikojmë dot në ditët tona. Është portreti i një malësori, jugori, janë fustanellat, xhamadanët e kohës… Kam vënë re se ndoshta në ditët tona, për shkak të pudrosjes moderne, kemi filluar që t’i humbim”, thotë Sulaj. Ndër të tjera, në ekspozitë është edhe tabloja “Malet”, ku shquhet edhe portreti i Skënderbeut. Një figurë që Sulaj e ka realizuar edhe më herët, po kësaj radhe është i kënaqur që përkon edhe me Vitin e Skënderbeut.

25151996_10212575427012135_3645694232482506524_n 24993575_10212576813326792_1459668820693145217_n

“Duke qenë jashtë, nostalgjia për atdheun dhe vendin tënd rritet nga viti në vit. Italia mbahet një nga vendet më të bukura, për dritëhijet e bukura, por unë i rikthehem vendim tim, sepse duke qenë i larguar, të gjitha këto marrin një vlerë të veçantë në rutinën e përditshme, edhe pse mbetesh gojëhapur kur sheh reflekset e Venecias. Nëse do të jetoja këtu, mund të ndodhte e kundërta. Kjo largesë më bën që t’u rikthehem këtyre temave”, thotë ai.

FËMIJËRIA NË NJË VALIXHE

E ndërsa portretet e luftëtarëve e malësorëve na sjellin një mall të largët, një tjetër mall ndjen në tablotë e Sulajt. Është malli për fëmijërinë që nuk kthehet më. Një temë kjo që ndjek si një fill i kuq gjithë krijimtarinë e Sulajt. Një fëmijë që sheh refleksin e tij mbi ujë, një tjetër i shtrirë mbi një trung peme, duke numëruar yjet, me kitarën mbështetur për gjoksi. Janë “temat e detit, të fëmijëve, që merren me vetveten, me ëndërrimtarin, që kërkon të zhvillohet dhe të dalë nga bota e ashpër ku ndodhet”, të cilave autori nuk mund t’u ndahet. “Pikturoj vetveten, kujtimet e mia… Kërkoj që t’u rikthehem atyre kujtimeve fëminore të paprishura që kam lënë në qytetin tim”, thotë piktori, që në valixhen e tij prej “refugjati” ka marrë me vete fëmijërinë dhe një copëz atdheu. Është valixhja një tjetër element i kudondodhur në krijimtarinë e tij, sidomos në karikaturë, që i ka dhënë edhe shumë çmime në të gjithë botën. “Valixhja ka të bëjë gjithmonë me ikjen. E brenda asaj valixheje ke edhe fëmijërinë tënde, që e shpall diku në ndonjë gur a në ndonjë detaj tjetër”, thotë ai. Dhe mes veprave të tij ai vendos valixhen bardhë e zi të refugjatit, me të cilën ka fituar çmimin e parë në një konkurs të rëndë- sishëm në Londër (The Derwent Art Prize 2018). Një vepër që do të linte pas plot 3200 syresh nga e gjithë bota, që tentuan të futeshin në këtë garë. “Artdashësit shqiptarë mund ta shikojnë siç është ekspozuar edhe në Londër, nudo, pa kornizë. Aty mund të shihet jo vetëm ana teknike, por edhe bardhezija, kontrasti, të gjitha”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura