Personazhet e politikës vijnë në librin “Në krah dhe përballë”
Bardhyl Agasi: Si i kam njohur Nanon, Berishën e Ramën.
Raporti i një prej figurave kryesore të PS-së me krerë dhe anëtarë partish.
Tashmë i distancuar nga jeta aktive politike, një nga figurat kryesore të Partisë Socialiste, ish-kryetar i degës së Durrësit dhe sekretar i PS-së, Bardhyl Agasi, ka mundësi tani t’i shohë ngjarjet dhe njerëzit me më shumë gjakftohtësi. “Në krah dhe përballë”, kështu titullohet libri i botuar nga shtëpia botuese “Dituria”. Në mbi 300 faqe libër, Agasi ndalet një për një te disa nga figurat më të rëndësishme të politikës në Shqipëri, me të cilët iu desh të “luftonte” në krah apo përballë. Si ishin raportet e tij me ish-kryetarin socialist Fatos Nano, po me atë aktualin Edi Rama, me ish-liderin e fundit komunist, Ramiz Alia, për të vijuar me kreun e Partisë Demokratike Sali Berisha, kreun e LSI-së Ilir Meta, socialistët Gramoz Ruçi, Ben Blushi, Ben Malaj, Pandeli Majko, Rexhep Meidani, por edhe me ish-presidentët e Republikës Alfred Moisiu e Bamir Topi etj. Agasi përpiqet të ruajë balancat. Pavarësisht në i ka pasur kundërshtarë politikë apo nëse ka pasur përplasje me ta, ai nuk ua mohon anët e tyre të mira. Kështu vepron në rastin e Berishës apo Ramës, edhe pse ky i fundit nuk pranoi që ai të kandidonte për Bashkinë e Durrësit e më pas në listat e deputetëve. al.mi
BARDHYL AGASI
Siç i pata thënë edhe Edit (Ramës), me humbjen e Partisë Socialiste unë dhashë dorëheqjen si përfaqësuesi diplomatik në Danimarkë. Por fjalët që më kishte thënë se nëse do ta bëja një veprim të tillë, atëherë do të punonim bashkë, siç duket kishin qenë thjesht për kortezi. Sidoqoftë, edhe unë nuk iu afrova dhe ia përmenda ndonjëherë. Zgjedhjen e tij si kryetar të partisë në kongres unë e ndoqa nga ekrani në shtëpi, në Kopenhagë. E prita mirë, ndonëse respektoja profesor Meidanin. Kur u ktheva, Gramozi më tha se u mbështet Edi për faktin se vetëm ai mund të përballonte Berishën, se vetëm me Edin mund të arrihej fitorja e Partisë Socialiste. Edhe unë ashtu besoja, isha në të njëjtin mendim me Gramozin.
Fitorja e tij më 2007-n si kryetar Bashkie shtoi besimin te fitorja e dy viteve më vonë për zgjedhjet parlamentare. Pa dyshim në fitoren e tij, krahas disa faktorëve të tjerë, ishte edhe bashkëpunimi me LSI-në e Ilir Metës, gjë për të cilën kishim biseduar edhe më parë bashkë. Por miqësia me Metën, pothuaj pas kësaj fitoreje, do të ftohej, derisa do arrinte në një prishje të saj. Edhe në këtë prishje mund të ketë shkaqe dhe faktorë të shumtë, por unë mendoja se përgjegjësia më e madhe na takonte neve, si parti më e madhe, drejtuese e së majtës opozitare. Nëpër mbledhje të ndryshme LSI-ja po trajtohej edhe më kundërshtare se vetë PD-ja. Unë, sa herë pata rastin, kam theksuar se forca e LSI-së nuk duhej nënvleftësuar, por gjithmonë kam ndier kundërvënie për shfaqjen e mendimit tim…
Në zgjedhjet për kryetar Bashkie në Durrës, në 2007-n shumica e socialistëve në qytet mendonin se Lefter Koka, kryetar i Bashkisë 2003-2007, kishte qenë si suksesshëm dhe ai duhej të rikandidonte, si kandidatura më e mundshme për të fituar. Por Edi Rama nuk e kishte këtë mendim… paraqitëm argumentet tona për rikandidimin e Lefter Kokës. Ai na dëgjoi me mospërfillje dhe në fund tha se nuk ishte për këtë kandidaturë. Atëherë unë, pak i nervozuar i thashë se, siç dukej, nuk e kishte llogaritur Durrësin të mundshëm për të fituar një mandat tjetër dhe se ai po shikonte më shumë kandidaturën e tij në Tiranë. Edhe shokët e tjerë shprehën vendosmërinë për kandidaturën e Kokës. Rama na dha dorën, duke na lënë të kuptonim të mos zgjateshim më tej.
Dolëm nga zyra e tij të mërzitur. Rrugës në kthim, shokëve se si iu shkrep në kokë se, meqenëse Lefteri nuk do të kandidonte, të kandidoja vetë. As që e mendoja një gjë të tillë, por atyre po u forcohej mendimi. Madje Fatos Muço mori në telefon Gramoz Ruçin dhe ia shprehu atij mendimin e tyre. Gramori e mirëpriti. Dhe, vetëm katër orë më vonë, Asamblesë socialiste të Durrësit do t’i paraqiteshin kandidaturat për kryetar Bashkie. Ishin regjistruar 8 kandidatura. Në çastin e fundit, sapo fillonte mbledhja, unë i paraqita kërkesën Gaz Bizhgës, i cili u çudit me këtë të papritur. Votimi nga nëntë kandidaturat nxori fitues mjekun kirurg, Ilir Shani, i cili kishte kohë që ishte angazhuar për kandidaturën e tij. Unë u radhita i dyti. Por Rama, pas kontaktit me Shanin, nuk ra dakord për kandidaturën e tij. Në bazë të statutit i takonte Shanit të kandidonte. Pas tij duhej të ishte kandidatura ime. Por Rama nuk ishte dakord. Zhvilluam një bisedë prej gati gjysmë ore në telefon.
-Se nuk të shoh në atë vend ty, s’duhet të mërzitesh, këtu jemi, më përsëriste ai. As që bëhej fjalë për statutin e partisë.
Nga nëntë kandidaturat konkurruese, asnjë nuk iu paraqit Kryesisë për diskutim. Kryetar i Bashkisë së Durrësit u zgjodh zoti Vangjush Dako, për të cilin unë dhashë mbështetjen time jo vetëm te shokët e Kryesisë, por edhe me angazhimin konkret në shtabin e tij…
Në një mbledhje të Asamblesë Kombëtare të PS-së, para zgjedhjeve në parti unë kundërshtova hapur vendimin që në votim të merrnin pjesë edhe ata që mund të hynin në parti po ditën e votimit, kur statuti e kishte se ata që hynin në radhët e PS-së, pas vendimit për shpalljen e datës së zgjedhjeve në parti, nuk merrnin pjesë në votim. Në zgjedhjet që u bënë nëpër rrethe kudo u bënë abuzime, njerëzit pajiseshin me dokumente partie vetëm sa për të votuar dhe pastaj as që e dinin se ku binte partia. Aq sa në kutitë e votimit u gjetën dhe dokumente partie të hedhura në vend të fletave të votimit, gjë që tregonte se ata ishin njerëz që s’e kishin haberin se ç’është partia, por që ishin thirrur vetëm sa për të votuar. U arrit aty, saqë në kongres as që u numërua votat, por në Asamblenë Kombëtare u zgjodhën anëtarë ata që ishin të njohur dhe të deklaruar si përkrahës të Ramës. Nga lista u fshinë të gjitha ata që në një mënyrë apo tjetër kishin shfaqur qëndrime kundërshtuese, apo edhe ata që kishin dhënë kontributet e tyre që nga themelimi i partisë.
Mohimi i kontributeve dhe vlerave dalëngadalë u bë një vijë në parti, apo pjesë e pashkruar, por e zbatuar e programit politik të saj. Në këto kushte, largimi nga Asambleja Kombëtare më mënjanoi disi nga jeta dhe veprimtaria politike aktive në parti. Megjithatë, për hir të së vërtetës, Rama sa herë që vinte në Durrës, pyeste për mua dhe më dërgonte të fala. Për të mos më lënë në harresë, u bë një përpjekje për t’u takuar bashkë. Dhe kjo ndodhi pak ditë para konferencës socialiste të qarkut, ku m’u propozua të zgjidhesha kryetar i kësaj konference… Dhe u zgjodha kryetar i konferencës socialiste të qarkut, pa asnjë votë kundër, duke marrë vota të disave që më parë kishin qenë gjithmonë kundër meje. Dukej se Gazi kishte përgatitur mjaft mirë terrenin. Ashtu siç e kisha menduar, konferenca socialiste e qarkut nuk funksionoi në Durrës. Dukej që ishte një hallkë e tepërt. Megjithatë, edhe unë tregova neglizhencën time, sepse nuk u mblodh kjo konferencë as në krye të vitit, as nuk u mblodh për fushatën e re zgjedhore, qershor 2009…
Ftohja më e dukshme me Ramën ndodhi pikërisht kur po hartohej lista e kandidatëve për deputetë. Në këtë rast u shkelën plotësisht normat edhe rregullat e statutit. Nëse më parë ata propozoheshin përmes votimit nga komitetet drejtuese të rretheve, përcaktoheshin në kryesinë e PSSH-së, aprovoheshin në komitetin e përgjithshëm drejtues dhe deklaroheshin përfundimisht në kongresin e partisë, tani e gjithë lista u bë pronë e kryetarit të partisë. Që para se të shpalleshin, flitej kudo se në lista do të ishin kryesisht biznesmenët apo njerëz krejt të panjohur, pa asnjë kontribut në parti, madje jo me bindje socialiste, njerëz që vinin nga radhët e Partisë Demokratike.
Kur po bisedonim me një grup anëtarësh socialistë për këtë që po ndodhte, të gjithë ndiheshin të shqetësuar. I telefonova vetë Edi Ramës. E hapi menjëherë telefonin, ndonëse ishte ditë e diel. I kërkova të më priste në një kohë të përshtatshme për të. “Hajde nesër, po të pres në Bashki”, m’u përgjigj i qetë. Të nesërmen u ndodha në zyrën e tij në Bashki. Më priti mirë, ngrohtësisht. I thashë se kisha kërkuar takimin, i shqetësuar për fjalët që po dëgjoheshin kudo.
“Po çfarë ka këtu?”, më pyeti duke u vrenjtur në fytyrë.
“Si çfarë ka”, fola menjëherë unë. “Është e vërtetë që do të kandidojnë njerëz pa asnjë lidhje me partinë, apo njerëz që mbajnë fotografinë e Berishës në zyrat e tyre?”
Ai m’i nguli sytë e tij të mëdhenj dhe më tha:
“Ti nuk do të jesh në listë!”. Ndjeva një avull të menjëhershëm në kokë, por e përmbajta veten. I zgjata dorën për t’u larguar. Ai nuk ma dha dorën, por foli: “Si, ku do ikësh, s’ke të drejtë të ikësh, s’mund të ikësh, unë të prita sot. E di ti se pasdite bëhet mbledhja e Bashkisë për buxhetin? Dhe unë lashë punët e tjera për të të pritur ty. Do të ikësh kur të dua unë”, foli ai, por krejt i zbehur në fytyrë.
“Më keqkuptove, s’kam ardhur për vete, por për shqetësimin që të thashë. Mund të mos jem unë, por Partia Socialiste ka mijëra të tjerë që e meritojnë të kandidojnë si deputetë të saj, dhe jo njerëz që as nuk e dinë se cila është kjo parti. Dhe, sa për veten e dija që s’isha në listën tënde. Më erdhi Paskal Milo dhe më kërkoi të kandidoja për PSD-në. Të kishte pyetur edhe ty dhe i kishe thënë se isha i lirë dhe mund të më propozonte për partinë e tij. Por si mund ta bëja unë këtë?! Unë, një nga themeluesit e PS-së, pothuaj gjithë kohën në forumet më të larta të saj?! Megjithatë, nuk kam ardhur të debatoj. Të falënderoj që më prite dhe të kërkoj ndjesë për humbjen e kohës”, dhe, pasi i thashë të gjitha këto, përsëri i zgjata dorën. Por ai përsëri nuk e zgjati të tijën.
“Paskalin nuk e dërgova unë, ka ardhur vetë. Ishte e drejta e tij të të takonte. Megjithatë, Bardho, më dëgjo mirë. Vërtet nuk je në listën e kandidatëve për deputetë, por unë kam menduar tjetër gjë për ty, një vlerësim që as të shkon ndër mend, që s’ta ka bërë për kaq vjet Fatos Nano, madje Nano s’të futi në listë dhe të çoi në Danimarkë”.
“Nuk e kuptoj se ç’qenka kjo gjë, ky vlerësim që as nuk mund ta mendoj”, ndërhyra unë jo pa ironi.
“Shumë më tepër, meqenëse ke qenë vlerësuar më shumë sesa sekretar i partisë”, foli prapë.
“Ndoshta vërtet e ke këtë dëshirë për mua, por s’do të mund ta realizosh”.
“Përse?!”, pyeti ai si me habi.
“Sepse nuk do të fitosh”, i thashë unë. Vura re që edhe duart iu zbehën.
“Ti thua se PS-ja nuk do të fitojë?”, m’u drejtua i nervozuar.
“Kështu si po drejton ti, këtë herë nuk fiton”, fola me vendosmëri, por jo pa dhembje brenda vetes.
Vazhdimi i bisedës edhe për atë tani ishte i kotë. Megjithatë, ai nuk ma dha dorën, por doli bashkë me mua nga zyra…
Burgosja e liderit socialist dhe vizitat në qeli, në Bënçë
Nano dhe Ramizi, të fundit në qeli në vitin 1997
Burgosja e Nanos do të shënonte fillimin e një përballjeje të egër pozitë-opozitë, me mitingje të panumërta në Tiranë dhe kudo në Shqipëri, ku kërkohej lirimi i liderit socialist. Për fat të keq, slogani i Berishës në ditën e betimit të tij si president “opozitarë, por vëllezër”, gati po shndërrohej në sloganin “opozitarë dhe armiq”…
Do të zhvilloheshin gjyqe njëri pas tjetrit, por prokurorët, gjykatësit ishin vënë në shërbim të partisë pushtetmbajtëse. Avokatët Përparim Sanxhaku dhe Agim Tirana bënin të pamundurën për pafajësinë e klientit të tyre. Pothuaj në të gjitha gjyqet e zhvilluara, unë me shokët e mi të PS-së në Durrës kemi qenë brenda në sallë, po kështu edhe punonjësit e selisë të PSSH-së, Kristina, Dafina, Rajmonda, Aida, Liljana, Shpëtimi, Fahredini e të tjerë. Ishte tepër e rëndë të shikoje Fatos Nanon me pranga në duar. Ai na përshëndeste, na buzëqeshte si për të na dhënë kurajë. Unë, Moikomi dhe Zihniu vendosëm të shkonim një ditë ta takonim atje, në Bënçë të Tepelenës. Atëherë rruga ishte tepër e vështirë dhe deri në Bënçë zgjaste disa orë të mira. Arritëm aty nga dreka. Unë me Moikomin ishim deputetë, ndërsa Zihniu në atë periudhë ishte sekretar organizativ i PS-së për Durrësin. Na kishin thënë se nuk ishte aq e lehtë të takoheshe me Fatosin në burg. Meqenëse ishin aq të shumtë vizitorët nga të gjitha anët e vendit, kishin vendosur për ta takuar vetëm të familjes, njerëz të afërt të tij dhe ndonjë figurë kryesore e partisë. Vendosëm të paraqiteshim si njerëz të afërt të tij. Unë u thashë se babai im e kishte djalë daje Fatosin dhe mendo se im atë quhej Hasan, ndërsa i tij Thanas. Po kështu edhe Zihniu u paraqit si kushëri nga nënat, Zyhra dhe Marie. Ndërsa Moikomi e kishte të vështirë të gënjente. “Unë do t’u them se jam shok me Fatosin, jam dhe deputet”, vendosi të thoshte ai. Dhe ashtu bëri. Por rojet lejuan vetëm mua dhe Zihniun, si të afërmit e Fatosit, ndërsa Moikomin s’e lejuan. Aq sa na erdhi keq, aq na erdhi dhe për të qeshur. Ishte një rast kur gënjeshtra bën një punë të mirë dhe e vërteta shpërfillet.
Hymë në territorin e burgut, përshkuam oborrin dhe u ndalëm para godinës. E njoftuan dhe ai doli, ishte veshur me tuta sportive, kishte lënë edhe mjekër. U përqafuam fort, me mall. Unë s’i mbajta lotët, por ai mundohej të dukej gazmor. “Më hoqët nga fizkultura”, na tha duke qeshur. Unë nxora nga çanta një kek që e kishte bërë Besa dhe Zihniu një triko, që e kish qepur nëna e tij e mrekullueshme, posaçërisht për Fatosin. Atë triko ai e mbajti gjatë gjithë kohës së qëndrimit në burg dhe e ktheu pas daljes. Ne i thamë se Moikomi po qëndronte jashtë, sepse kishte treguar të vërtetën. Qeshi me të madhe, pastaj iu drejtua një oficeri që qëndronte jo shumë larg nesh dhe i kërkoi që të lejonin dhe shokun që po priste jashtë mureve. Oficeri veproi menjëherë, dha urdhër për të futur brenda Moikomin. Unë kuptova se Fatosi komunikonte mirë me personelin dhe, nga mënyra si vepruan oficeri dhe roja te porta, aq shpejt, pa thënë as gjysmë fjale, ndjeva se ai ushtronte një autoritet tek ata, ose më saktë ata që e respektonin…
Në ngjarjet e marsit 1997 ndodhi që më 13 mars, në mos gabohem, të shpërthejë edhe burgu 313 në Tiranë, ku ishte dërguar edhe lideri i opozitës. Të gjithë të burgosurit morën arratinë, veç lideri i fundit komunist Ramiz Alia dhe lideri i parë socialist, Fatos Nano, nuk u larguan, derisa erdhën dhe i morën për t’i nxjerrë andej përfundimisht. Vetëm pas katër ditësh, më 17 mars, Fatosi lirohet me dekret presidencial…
BARDHYL AGASI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al