“Afrohuni edhe pak dhe shtini”- Djali i Teme Sejkos tregon tmerrin kur i vranë babanë dhe vëllain: U sakrifikua që të trembej….

Dec 1, 2020 | 11:31
SHPËRNDAJE

E ëma Shpresa e ka quajtur 28 korrikun e vitit 1960 si të enjten e zezë. Ajo ditë shënoi arrestimin e të atit, ish-komandantin e flotës detare, Teme Sejko, e do të pasonte me të tjera tragjedi për Rajmondin.

Rajmond Sejko-Teme-Sejko-rrefimi

Fillimisht, diktatura do t’i merrte babain me akuzën e drejtimit të një grupi prosovjetik, e mandej në ’74-n të vëllain. Ishte vetëm 23 vjeç Sokol Sejko kur e ekzekutuan me akuzën e sajuar se ishte përpjekur të digjte Kombinatin e Tekstileve në Berat. Për të ëmën, dhimbja ishte tepër e madhe për t’u përballuar, ndaj vendosi t’i japë fund jetës.

Sot, i vetmi i mbijetuar i familjes Sejko, gjithashtu, ish-i dënuar i diktaturës, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ngushëllim nuk gjen, por e vërteta, mes tragjedish të tilla, ku ndër vite ka dëgjuar edhe legjenda se i ati është gjallë, është një lehtësim. Autoriteti Shqiptar i Dosjeve, në Nju Jork, i ka dorëzuar qindra faqe dokumente, mes të cilave fletore me shënime të së ëmës.

Teme Sejko
Teme Sejko

“Asnjëherë nuk e kisha menduar se një ditë do t’i kisha këtu në dorë dhe sidomos fletoret që ka shkruar mamaja”, thotë Sejko i emocionuar për “Zërin e Amerikës”, që gjithashtu po jep kontributin e saj në mbledhjen e dëshmive. Ekzekutimi i djalit të vogël Sokolit, 13 vjet pas pushkatimit të së shoqit, e dënimi i Rajmondit “Për agjitacion e propagandë” me 8 vite burg do të ishin goditja fatale për Shpresën. Pak orë pas arrestimit të tij, ajo do të vrasë veten.

Ndërsa i dorëzon dokumentet, Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, shpjegon se krahas historisë, Shpresa Sejko ka rrëfyer mes rreshtash edhe vendimin për t’u vetëvrarë, shënimet e saj iu ishin shpërndarë edhe familjarëve.

Rajmond Sejko, ish i dënuar në komunizëm
Rajmond Sejko, ish i dënuar në komunizëm

“Në këto ditarë, që ka mbajtur në këto fletore, ajo ka shpjeguar në mënyrë të detajuar tragjedinë që i ka ndodhur kësaj familjeje dhe në një farë mënyre ka paralajmëruar aktin e saj që ka ndërmarrë, duke u vetëvrarë”, thotë Hoxha.

Rajmondin e ndjekin ende kujtimet, se si komunizmi shoi pa mëshirë familjen e tij. 6 marsin e ’74-ës, kur 23- vjeçari Sokol Sejko nga Çamëria sfidoi ushtarët e bindur të diktaturës, janë të shumtë ata që e kujtojnë.

Në procesverbalin e Sokolit, tregohet guximi i të riut vënë përballë akuzash të rreme, teksa i kërkojnë të shqiptojë fjalët e fundit. “Nuk kam shumë gjëra për të thënë, ashtu siç nuk më takuat kur unë isha 9 vjeç me babain tim kur u ekzekutua, po ashtu nuk më takuat edhe mua me njerëzit e familjes sime”.

Faksimile e procesverbalit të Sokol Sejkos
Faksimile e procesverbalit të Sokol Sejkos

Vdekja e të atit, arrestimi i xhaxhait, vuajtjet e familjes dhe përndjekjet e kishin rritur Sokolin para kohe. Në çastet e fundit ai do t’i drejtohej skuadrës së ekzekutimit me fjalët: “Afrohuni dhe pak dhe shtini”. “Ishte një llahtari e vërtetë në shtëpi ato ditët e para. Ishte tmerr”, tregon Rajmond Sejko. “Ai duhej të sakrifikohej që të trembej rinia e Beratit për të treguar se ‘ja ç’bën armiku i popullit’. Kemi kërkuar për të gjetur varrin e vëllait dhe nuk e kemi gjetur dot”.

Gjetja e eshtrave të familjarëve të tij është pengu dhe arsyeja që e ka sjellë Rajmond Sejkon herë pas here në Shqipëri. Ndërkohë që në New York i dorëzojnë dokumentet që hedhin dritë mbi fatkeqësinë e tij familjare, ai kujton për “VOA” një moment, kur pas arrestimit do t’i shfaqeshin shënimet e së ëmës.

E kishin shoqëruar në Degën e Punëve të Brendshme: “Te dhoma e pritjes më lanë shumë orë. Aty kam parë që njerëzit sillnin fletore. Nuk e dija që ishin fletoret e sime mëje”.

Më pas do ta dënonin me 8 vite burg në Spaç “Për agjitacion e propagandë”.

Më pas do ta dënonin me 8 vite burg në Spaç “Për agjitacion e propagandë”. “Kam qenë në Spaç në minierë dhe e vetmja periudhë pa punë ka qenë nga 1 tetori deri në 19 tetor që do të lirohesha, pasi nuk mund të më çonin në punë për 19 ditë sepse nuk plotësohej grupi. Grupet në minierë ishin treshe, minatori dhe dy punëtorë. Nuk e kuptoj, akoma nuk e kuptoj. Çfarë i bëmë ne atij regjimi që të na bënte të tëra këto gjëra, këtë nuk e kuptoj. Nuk e kuptoj, çfarë kishin me tim vëlla. Mbaruan punë me tim atë, bënë si deshën me të, çfarë kishin me tim vëlla. Nuk e imagjinoj dot se çfarë kishin me mua”, thotë Sejko.

Mes një dhimbjeje të tillë, Rajmond Sejko thotë edhe dy fjalë për ata që kryen krimet gjatë diktaturës, pasardhësit e tyre, ende të privilegjuar dhe të tjerët, që kërkojnë atë, Enver Hoxhën, dhe sistemin e tij totalitar:

“Ai u ishte imponuar shqiptarëve si perëndi, sepse hoqi kishat dhe xhamitë që shqiptarët të mos kishin ku të faleshin, por t’i faleshin vetëm atij. Janë fëmijët e atyre që nuk kishin asnjë klasë shkollë dhe u bënë gjeneralë. Për veten e tyre ata kishin privilegje pa fund. Privilegjet i humbën, tani janë më të pasur. Tani kanë pasuri shumë më tepër, makina shumë më tepër dhe tani prapë kërkojnë atë”.

HISTORIA E FAMILJES SEJKO

Rajmondi ishte vetëm 11 vjeç kur do t’i arrestonin të atin. Ai do ta kujtonte si një shërbim të zakonshëm. Ngjarja ishte e papritur edhe për të ëmën, Shpresën, në një kohë që Teme Sejko kishte një fluks dekoratash për besnikëri të lartë ndaj Partisë dhe atdheut. Ishte maji i vitit 1961 kur do të merrej vendimi për ekzekutimin e tij. Teme Sejko sa kishte mbushur dy vjet në krye të Flotës luftarake dhe kishte përballuar me dinjitet situatën konfliktuale midis efektivave shqiptaro-sovjetike në pragun e divorcit me Traktatin e Varshavës.

Për suksesin në sprovën e pazakontë ishte shpërblyer me gardën më të lartë në sistemin e armës ku shërbente. E teksa priste të tjera vlerësime për devocionin ndaj detyrës dhe Partisë në pushtet, u gjend befasisht i kryqëzuar, madje me një mal akuzash të padëgjuara kurrë. Në maratonën pafund të seancave hetimore, i kërkohej për të shpjeguar lidhjet me agjenturën greke, jugosllavëve dhe amerikanëve.

Pastaj… admirali Sejko, nuk do ishte më i tillë, por kreu i një “grupi komplotistësh që do përmbyste pushtetin popullor me dhunë”. Gjithsesi, diktatura nuk e rezervoi fatin e keq vetëm për të, por për tërë rrethin e miqve e të afërmve. Sakaq, familja u përfshi nga një kalvar tragjik i pashembullt.

I pari u pushkatua djali i vogël, Sokoli, me akuzën se do hidhte në erë Kombinatin e Tekstileve të Beratit. Djali tjetër u dënua tetë vjet për agjitacion e propagandë. Shpresa Sejko, bashkëshortja, disa orë pas arrestimit të tij, vrau veten. Nga tërë familja, jeton vetëm djali i madh, Rajmondi, aktualisht emigrant në SHBA.

LEXO EDHE:  “Kur i hoqëm litarin nga fyti, zgurdulloi sytë dhe…”- Zbardhet dëshmia e ish-oficerit të Policisë Sekrete: Ju rrëfej torturat ndaj Teme Sejkos! Ç’më kanë parë sytë në vilën e Maminasit

 Zbardhet dëshmia rrënqethëse e ish-kolonelit: Ja kush e urdhëroi mbytjen me litar të Teme Sejkos! Si e zhdukëm trupin ish-Komandantit në kodrat e Linzës

“E goditëm me 100 shkopinj”- Zbardhet dëshmia, ish-koloneli rrëfen torturat: Si e masakruam Teme Sejkon pas bisedës me Kadri Hazbiun

“I gjeta duke e rrahur, i thyen 6 shkopinj në trup”- Shefi i Sigurimit të Shtetit rrëfen ditët e fundit të Teme Sejkos: Ja kush na tha ta mbysnim me litar!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura