Afro 1,500 të vdekur nga vera e nxehtë në Francë

Sep 9, 2019 | 15:05
SHPËRNDAJE

Vala rekorde e të nxehtit në Francë, e regjistruar në muajt qershor dhe korrik, la 1,435 njerëz të vdekur, tha ministrja e Shëndetësisë e këtij vendi, Agnes Buzyn.

3BDEDCDB-8D4D-4FB7-86BE-10792218F0E5_cx0_cy3_cw0_w1023_r1_s

Duke folur për Radio Francën, Buzyn tha se gjysma e viktimave kanë qenë mbi 75 vjeç.

Ajo shtoi se, falë masave parandaluese, norma ka qenë dhjetë herë më e ulët se në periudhën e njëjtë në vitin 2003, kur Evropa është përfshirë nga një tjetër valë vdekjeprurëse e të nxehtit.

Franca shënoi temperaturën prej 46 gradësh Celsius në qershor, që është më e larta në historinë e saj.

Në kryeqytetin Paris po ashtu u shënua temperaturë rekorde prej 42.6 gradësh Celsius në korrik.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 567 persona vdiqën në periudhën 24 qershor – 7 korrik, ndërsa 868 të tjerë vdiqën nga 21 deri më 27 korrik.

Gjatë periudhave të nxehta, shumë shkolla u mbyllën dhe disa ngjarje publike u anuluan, për të minimizuar ekspozimin e publikut.

Temperaturat e larta thyen rekorde sivjet edhe në vende të tjera të Evropës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikën, Gjermaninë, Luksemburgun dhe Holandën./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura