“Afrimi i marrëdhënieve serbo-turk rrezik për shqiptarët në Rajon”

Oct 11, 2017 | 13:14
SHPËRNDAJE

ALBAN DACINga Alban Daci

Vizita e Erdogan erdhi në Serbi, pas afrimit të tij me Putin. Pra, afrimi i marrëdhënieve turko-serbe nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të kishte një afrim mes Rusisë dhe Turqisë. Po ashtu kjo vizitë edhri menjëherë pas bërjes së referendumit për pavarësi të kurdëve të Irakut dhe komentit të Erdogan duke e argumentuar se: Kosova edhe pse është njohur nga shumë shtete akoma nuk mund të konsiderohet shtet. Pra, nëse kurdët kanë deklaruar pavarësinë ata nuk mund të konsiderohen shtet.

Vizita e Erdogan në Serbi ndodhi në një atsmsferë shumë festive, saqë ministri i jashtëm i Serbisë pranoj të bënte këngëtarin për haremin e Sulltanit Erdogan duke kënduar këngën e njohur shqiptare “Osman Aga”. Pra, është e qartë se Erdogan është duke u rikthyer Sulltani i Perandorisë Osmani. Erdogan u prit në Serbi si sulltani i Rajonit dhe dihet se serbët nuk bëjnë asgjë rastësisht e nuk respektojnë askënd pa interesa. Vizita e Erdogan në Serbi fsheh ndonjë marrëveshje mes Putin dhe Erdogan për dijeninë e Serbisë në lidhje me të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë histori ajo që është e dukshme është fakti se afrimi i marrëdhënieve serbo-turke është totalisht kundër interesave të shqiptarëve në Ballkan e madje mund të themi edhe një kërcënim për të ardhmen e tyre. Sot, Turqinë dhe Serbinë i bashkojnë kurdët dhe shqiptarët e Kosovës, dhe vendosmëria e tyre për të ndaluar aspiratat për vetëvendosje. Pra, Turqia për shkak të hallit të kurdëve duke qartë që është kundër interesave të shqiptarëve në Ballkan, por edhe kundër Republikës së Kosovës.

Jo vetëm kaq! Afrimi i marrëdhënieve serbo-turko, po ndodh pas dështimit të Grushtit të Shtetit në Turqi. E kam thënë dhe e them edhe herë të tjera, elita më e rëndësishme qeverisëse e Turqisë, historikisht që nga Perandoria Osmane e sidomos nga periudha e Ataturk, kanë qenë shqiptarë me ide e bindje iluministe. Erdogan me rastin e dështimit të grushtit të shtetit luftojë e shkatërrojë elitën politike dhe ushtarake me origjinë shqiptare që drejtonin Turqinë ne linjat me të rëndësishme gjeostrategjike dhe mbi të gjitha si model laik shteti dhe si model kulturor perëndimor vendin.

Pas eliminimit të kësaj elite që qeveriste mbi 100 vjet në vazhdimësi Turqi, Erdogan i ka të gjitha mundësitë dhe pushtetit absolut për të vazhduar marrëdhënie të mira me fqinjën tanë në dëmin e kombit tonë. Madje, në një të ardhme të shpejtë, unë mendoj se Erdogan do të fillojë politika konkrete antishqiptare përmes arritjes së traktateve dhe marrëveshjeve me fqinjët tanë. Turqia ka eskperienca të tilla në të kaluarën, sic ishte shkëmbimi i vitit 1923 i shkëmbimeve të popullatës autoktone me s Greqisë e Serbisë. Kjo marrëveshje pati efekte të rënda edhe për popullatën autoktone shqiptare në Greqi duke i identifikuar si turq për shkak të besimit mysliman.

Vizita e Erdogan në Serbi është shënuar edhe me sukses konkret, sepse janë nënshkruar edhe 12 marrëveshje konkrete bilaterale duke përfshirë edhe çështjen e tregtisë së lirë. Ajo që ra në sy është fakti, se Erdogan dhe Vucic nuk thanë asgjë për Kosovën dhe kjo mund të konsiderohet si një ndryshim i qartë i linjës së politikës së Turqisë për Kosovën.

Gjatë fjalës së tij Erdogan ndër të tjera theksoi se: “Le të ekzistojnë, po ne do të shikojmë punën tonë. Do t’i vazhdojmë punimet tona mbi parimet fito-fito. Do t’i ndajmë përvojat dhe njohuritë tona dhe do ta rrisim soladirizimin. Besojmë se me Serbinë kemi vizion të përbashkët për të ardhmen e rajonit”. Nga kjo deklaratë duket qartë se ka një marrëveshje konkrete e ndoshta të fshehur mes Serbisë e Turqisë për të ardhmen e Rajonit. Një gjë është e sigurt se projektet e Serbisë dhe Turqisë nuk janë të përbashkëta me projektet dhe interesat e shqiptarëve në Rajon.

Vizita e Erdoganit e largon e më shumë Serbinë nga e ardhmja e saj europiane dhe perëndimore duke afruar atë me linde e konkretisht me Rusinë e Turqinë. Afrimiteti i Serbi me Turqinë dëmton perspektivë euroatlantike të Ballkanit Perëndimor, duke e afruar atë me bllokun e ri të Lindjes, boshti Erdogan-Putin.

Unë, mendoj se Rama ne vecanti dhe Thaci duhet të tregojnë një kujdes më të madh me marrëdhëniet e ndërtuara me Erdogan e po ashtu duhet të ketë më shumë transparencë në lidhje me proceset që po bëhen në vazhdim me idenë e politikave të Rajonit, ku në fakt kemi tashmë një prezencë të fortë të Turqi në Ballkan, që ngjan më shumë me Perandorinë Osmane, gjithnjë e më pak europiane dhe perëndimore e sidomos tashmë edhe falë afrimitetit me Putin.

Pavarësisht, se Erdogan e ka cilësuar si akt xhelozie për Europën afrimitetin e tij me Vuciç, unë do e konsideroj një kërcënim serioz për interesat e shqiptarëve në Rajon dhe po ashtu edhe për perspektivën euroatlantike të të Ballkanit Perëndimor duke pasur parasysh këtu edhe tentativën e dështuar për grusht shteti të Rusi në Mal të Zi. Pra, kemi politika konkrete ruse-turke për të kontrolluar rajonin dhe kanë gjetur vendin e duhur dhe shtetin e duhur që përputhet me nevojat e tyre e ky është padyshim Serbia. Edhe armatosja e Serbisë me skuadriljen e re të avionëve vetëm pak ditë para vizitës së Erdogan, dëshmon qartë se Serbia nuk është më aleat i politikave të Natos. Gjithashtu edhe Rusia nuk është më një aleat i qëndrueshëm i leal i NATO-s pasi vendosi të merrte sistemin raketor rus të mbrojtjes. Megjithatë, mendoj se Erdogan për egoizmin e tij për pushtet absolut duke imituar e gjetur model të ngjashëm Putin si dhe për interesa personale të pushtetit po e dërgon Turqinë dhe popullin turk në një rrugë qorre në dimensionin ndërkombëtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura