Aforizma e poezi dashurie në ditëlindjen e Dritëroit

Oct 13, 2017 | 12:11
SHPËRNDAJE

“Më mirë i vdekur në lule, sesa i gjallë në pleh”. Dritëro Agolli jetoi dhe vdiq në lule.

Dritero-Agolli

Dashuria e njerëzve, tani që nuk jeton më, e tregon më së miri këtë. Sot, Dritëroi ka ditëlindjen. Do të ishte mes devollinjve të tij, miqve dhe shokëve që i kishte me shumicë, në krah do të kishte Sadijen, bashkëshorten së cilës i kushtoi aq shumë vargje, dhe Elonën, bijën e dashur, që i puthte ballin sa herë e kishte pranë. Shtëpia do të ishte plot me njerëz, ndërsa telefoni nuk do të reshte së rëni. Dritëroi nuk është më, por festa nuk do të mungojë.

Në Atriumin e Muzeut Historik Kombëtar do të zhvillohet sot një “Pasdite me Dritëroin”. Rrethuar nga kavaleta me portretet e shkrimtarit, ekrane të mëdha ku do të shfaqen fotografi e filmime, pishtarë zjarri e trëndafila të bardhë si shpirti i tij, do të prezantohen dy botime të reja të Dritëroit. Bëhet fjalë për librin me aforizma “Nulla dies sine linea” dhe përmbledhja me poezi “E bukura lozonjarja, tokësorja Grua”.

agolli-libra

Do të ndajnë me miqtë disa fjalë e bija, Elona, prof. Shaban Sinani, poeti Ilirian Zhupa, përkthyesi Shpëtim Çuçka; do të recitohen poezi nga Justina Aliaj dhe Ardit Gjebrea do të këndojë një nga këngët më të bukura të muzikës së lehtë shqiptare, me vargje të Dritëroit: “Kur të jesh mërzitur shumë”…

PËRMBLEDHJA ME AFORIZMA

Ata që e kanë njohur Dritëroin e dinë se bisedat e tij ishin të mbushura me fjalë të mençura, me fjalë të urta, me aforizma… Shumë ishin origjinale të tijat, të tjera të huazuara, por që askush nuk di të thotë sot se nga e kanë burimin me të vërtetë. Por Dritëroi nuk i përdorte thjesht si kolorit bisede, ai i fuste në veprën e tij, në gojët e personazheve, i shkruante nëpër blloqe.

Dhe dikur ishte diskutuar botimi i një libri vetëm me aforizma. Janë mbi 1500 syresh, të mbledhura në një vëllim plot urtësi. Libri paraprihet nga një shënim i vetë Dritëroit. “Përmbledhjen me aforizma dhe shprehje aforistike mendova ta quaj me një thënie latine: “Nulla dies sine linea”, që shqipërohet: asnjë ditë pa një vijë. Këto janë fjalët e Plinit, historian dhe mendimtar romak, për piktorin e famshëm të Greqisë antike, Apelles, që jetoi në shekullin e katërt para erës së re, si mik dhe si portretist i Aleksandrit të Madh. Shprehja e Plinit ka kuptimin: asnjë ditë pa punë.

Kështu ka lindur edhe kjo përmbledhje me aforizma dhe me shprehje aforistike. Prej kohësh, krahas punëve të mia, kam hedhur në letër ndonjë mendim, që më ka ardhur fluturimthi, dhe pa e kuptuar janë mbushur fletorja të tëra. Më vonë më është dashur që këto thënie t’i ndaj në tema të veçanta, duke i rishkruar në nja dy fletore të tjera. Këtu më erdhi në ndihmë Sadija, gruaja ime, që duke ia lexuar unë, i rishkroi të seleksionuara. Gjatë rishkrimit kam hequr shumë aforizma, pasi më dukej sikur ishin të huazuara, të thëna para meje nga të tjerët.

Zakonisht kështu ndodh me aforizmat: ato padashka kalojnë shpesh nga koha në kohë dhe nga autori në autor, si fjalët e urta të popujve. Po ky kalim, në përgjithësi, është rrjedhojë e përputhjes së mendimeve që sjell përvoja e jetës”, shkruan Dritëroi, teksa shpreh shqetësimin e tij për t’i sjellë lexuesit një vepër sa më origjinale.

“Duke përgatitur këtë përmbledhje me fjalë të urta pikërisht më ka shqetë- suar përsëritja e thënieve të të tjerëve, megjithëse kam qenë i vetëdijshëm se kësaj nuk do t’i shpëtoja. Veçanërisht i trembesha përsëritjes së fjalëve të urta popullore, që janë nëna e aforizmave të shkruara. Vetëm nga njëra prej tyre mund të krijohen dhjetëra variante aforizmash”, shkruan Dritëroi në shënimin që e ka përgatitur që më 21 dhjetor 2006. Vepra vjen më e plotë edhe me një parathënie të studiuesit Shaban Sinani, i cili e konsideron “Një libër i pangjashëm me të tjerë, jo vetëm në kornizë të veprës së Dritëro Agollit, por në gjithë letërsinë fund e krye.

Nga Frang Bardhi te Sami Frashëri, tradita e kësaj letërsie përmban gjurmën e interesimit të krijuesve dhe dijetarëve për fjalën e urtë popullore, por jo dhe për urtësinë aforistike si nënlloji i shkrimeve letrare, si krijimtari origjinale”, shkruan në parathënien e librit studiuesi Shaban Sinani. Studiuesi nuk ka dhënë vetëm një vlerësim të thukët mbi këtë anë të krijimtarisë së Dritëroit, por është ndalur gjatë aty, duke ofruar një studim të mirëfilltë. Ai qëmton aforizmat në gjithë krijimtarinë e Dritëro Agollit, qoftë në prozë, qoftë në poezi. “Aforizmat e Dritëro Agollit kanë dalë nga fletorkat me shenjime, kanë dalë nga “Arka e djallit”, kanë dalë nga “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.

Moralistët ndoshta nuk do të ndihen në paqe me veten, duke e lexuar këtë libër të mbushur me njerëz me cene, me çudira e marrëzira, si gjithë letërsia e tij; por kësaj here të mbushur plot dhe me dyshimtarë të mëdhenj, që guxojnë të shohin dhe “The dark Side of the Moon”-Anën e errët të hënës, po të citonim një titull kënge të Pink Floyd. Edhe për këtë, edhe për prapësinë dhe kokëkrisurinë, Dritëro Agolli na kishte njoftuar me kohë, qysh në vitin 1962, kur botoi poemën “Baladë për tim atë dhe për vete”, shkruan Sinani. Libri mbyllet me një pasthënie të së bijës, Elonës, e cila me mallin për atin e munguar, përgatiti këtë vëllim, që na e sjell Dritëroin, si asnjëherë të gjallë.

VËLLIMI ME POEZI

“E bukura, lozonjarja, tokësorja Grua”. Kështu titullohet vëllimi me poezi i Dritëro Agollit. Një përmbledhje poezish, të shkruara që në vitet e rinisë, deri në ditët kur dora me zor i bindej dhe germat me zor i merrnin udhë.

Sipas poetit Ilirian Zhupa, që ka paraprirë librin me një parathënie, ky vëllim “është jo vetëm libri i një të përndjekuri, por edhe i një të përbetuari të dashurisë”. Aty janë poezitë kushtuar së shoqes, Sadijes, vargje plot mall, dëshirë për të mbështetur kokën në gjoksin e gruas e për të kaluar gishtat në tokën e trupit të saj. Vargje dashurie pasioni rinor dhe pjekurie moshe, ku dëshira kthehet në domosdoshmëri.

“Shkrimtarët dhe poetët e mëdhenj si Dritëro Agolli kanë një magji dhe alkimi të përhershme në krijimtarinë e tyre. Mbasi i ke lexuar, të bëjnë rob, ortak dhe ndjekës, dhe të detyrojnë kohë pas kohe t’u rikthehesh e t’i rilexosh, për të zbuluar dimensione të reja të krijimtarisë letrare dhe të vetes. Duke thënë këtë, kemi thënë që autori i këtij libri, ashtu siç ndodh me krijuesit e një- mendtë të letrave në të gjitha kohët, vjen i freskët dhe me zbulime të reja pas çdo rileximi.

Poezitë e këtij libri kanë brenda tyre mbi gjysmë shekulli dashuri. Në to, si në një shirit sizmografik, dallohen qartë të gjitha trandjet dhe përjetimet e heroit lirik”, shkruan poeti Zhupa. Libri mbyllet me një shënim për Sadijen, që mban datën 13 maj 2014:

“E dashur Sadije! Të dua si jetën time, madje edhe më shumë; unë dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti të jetosh. Unë edhe i vdekur, do të ndjek për të të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje, brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mia”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura