Afife Vlora Frashri është vajza e vogël e Safa Vlorës, të birit të Syrja bej Vlorës e vëllait të Eqerem bej Vlorës. Afifeja, e kthyer për pak kohë nga Austria ku jeton prej 22 vitesh, tregon për ato pak vite jetese me babain, largimin e tij, xhevahiret e humbura dhe rrugëtimet që bëri bashkë me të motrën, Merjemin (e martuar te Toptanët) e me të ëmën, Avdije Vrionin derisa panë rrugën e lirisë.
Të flasësh a shkruash për cilindo pjesëtar të familjes Vlora do t’i bashkëngjisësh medoemos një Vrionas. Fëmijët e të dyja familjeve krijonin lidhje martesore njëri me tjetrin, në mënyrë që pasuria e të dyja palëve të mbetej aty për aty, sado që më vonë, kur krerët e shtëpisë morën rrugët e kurbetit, jo në të gjitha rastet u mor vesh fundi i tyre. Prandaj edhe sot, shumë vite pas vdekjes së paraardhësve, as fëmijët nuk dinë se ç’është bërë me pasuritë e baballarëve. Madje nuk dinë as se si ka qenë e si kanë jetuar në vitet e fundit të jetës. Hafife Vlora është një tjetër “trashëgimtare” e mbiemrit Vlora, ndër të paktët e mbetur tashmë. Më shumë sesa jetesën në një shtëpi beu, siç ishin Sarajet e Vlorës, Afifeja kujton jetën e mëvonshme, për shkak të moshës fare të vogël që kishte asokohe. Kujton ecejaket që i duheshin të bënin shtëpi më shtëpi 7 femrave, për të mbijetuar pas largimit të babait të saj, Safait dhe Eqerem Vlorës drejt Italisë. Të dy ata kishin lënë në Shqipëri gratë bashkë me fëmijët, 5 vajza. Asnjërit prej të dyve nuk iu përmbush dëshira për të pasur një trashëgimtar. Edhe pse lindën dy djem në atë familje, nuk arritën të jetonin.
Me kulturën e traditën e trashëguar nga familja e saj, Afifeja, bashkë me të shoqin, Tanush Frashërin, që sapo ka botuar librin e tij “Ali Këlcyra, shënime për historinë e Shqipërisë’, kanë marrë hijen, butësinë dhe mënyrat e njerëzve që prej 22 vitesh tashmë jetojnë jashtë kufijve, në Austri. Në ardhjen e tyre të përkohshme mundëm të flasim gjatë, pa pasur mundësinë që të dëshmojmë edhe nëpërmjet fotografive jetën e tyre të dikurshme, meqenëse kanë ç’kanë, ndodhen në shtëpinë e tyre jashtë.
Për aq sa mund ta kujtoni fëmijërinë në “Sarajet e beut”, si ka qenë?
Unë kam qenë shumë e vogël dhe nuk kam kujtime fort të kthjellëta nga ajo kohë, por mund të them që pa dyshim ka qenë një jetesë me rregulla të tjera. Dikujt fati i jep ndihmë të madhe duke i dhuruar një pozitë e influencë. Edhe jetesa, standardi apo të gjitha të tjerat janë pasojë e tyre. Sado që kur përmbyset gjithçka janë pikërisht njerëzit e pushtetshëm që e pësojnë, siç ndodhi në rastin e familjes sonë.
Për shembull, cilat ishin rregullat ndryshe?
Gjyshi, Syrja Vlora, që kishte absolutisht drejtimin e familjes, ishte mjaft i rreptë. Meqenëse kërkoni një shembull, mund t’ju përmend se nuk i lejonte femrat e shtëpisë të shkonin në plazh, nëse të tjera nuk kishin shkuar më parë. Nuk duhet të ishim ne pra nismëtaret. Megjithatë, as pa shkuar nuk rrinin. Organizohej me këtë rast paria e grave për të bërë një shëtitje nga plazhi, merrnin rrobat e banjës me vete dhe quhej kështu sezoni i hapur. Opinioni thyhej, nuk ishim ne që e kishim çelur, shkonim pas tyre.
Pra kujdesej që me ceremonialet apo kodet e vetëvendosura në heshtje të ishte i kujdesshëm…
Po, për çdo gjë. Edhe në raste festash kombëtare, për ta përforcuar edhe më tepër këtë konkluzion, dërgonte djemtë, që të vizitonin njerëzit nëpër shtëpi për t’i uruar. Në krye të tri ditëve, kur urimet kishin mbaruar, fshatarët vinin e kthenin vizitat.
Meqenëse kuptoj se nuk paskësh pasur diferencime prejardhjeje, a ishit edhe ju fëmijët të përfshirë me gjithë të tjerët, luanit rrinit me to?
Po, gjithmonë. Ne ishim 5 vajza, unë me dy motrat dhe dy vajzat e xhaxhait, Eqerem Vlorës. Motra ime për shembull kishte qejf që të merrte shpesh shoqe të flinin në shtëpinë tonë dhe kjo gjë ndodhte shpesh.
Babai juaj nuk ka qenë aq i përfshirë dhe as aq i dëgjuar në veprimtaritë e familjes sa xhaxhai…
Po, është e vërtetë, ka ndodhur kjo që në fëmijërinë e tij. Ka qenë djali i fundit dhe gjyshja e ka përkëdhelur mjaft. Kur u rrit, babai u përpoq ta ndryshonte këtë gjë, duke e çuar për studime në Modena të Italisë në një shkollë ushtarake, t’i shërbente si një farë disiplinimi, por nuk ia arriti. Nëse keni lexuar, edhe në librin e kujtimeve Eqerem Vlora thotë se, nëse rrjedha e familjes do të kishte vijuar normalisht, babai do të kishte qenë një administrator i mirë, sepse në pjesën politike ai nuk përfshihej.
Megjithatë, pavarësisht një farë tërheqjeje karakteriale, ishte edhe ai në brendësi të veprimtarisë, materialisht e konvertuar, të pasurisë së familjes…?
Po, sigurisht, gjithçka që bëhej, e bënin të gjithë bashkë. Të gjitha blerjet, pasurimi i koleksioneve të vyera të trashëguara, antikuarët, xhevahiret. Kishin 25 sahate antike floriri që u shitën, koleksione armësh, pistoleta të punuara me argjend e të dekoruara me gurë të çmuar…, bibliotekën e pasur që besoj keni dëgjuar të flitet. Gjyshi ishte përpjekur shumë ta pasuronte, më tej edhe fëmijët e tij. Kishin blerë së fundi edhe bibliotekën e një ministri austro-hungarez, i cili luante bixhoz e kishte nevojë për para.
Ç’u bë me to pas largimit të tyre në Itali në ’44-n?
Atë pjesë që ishte në shtëpi, ne i futëm në një bodrum, ndërtuam një mur që t’i mbyllnim, por sigurisht që u hap e u mor gjithçka. Pastaj xhevahiret, babai me xhaxhain i morën me vete. Sado që punonin, ato i shërbenin edhe për të jetuar, sido që të ishte pagesa nuk mund të mbulonte të gjitha nevojat. Për më tepër që babai nuk ishte aq aktiv sa Eqeremi, që ishte gjithë kohës në marrëdhënie pune akademike. Të dy ata punonin në Rai, por babai im më pak.
Di që pas largimit, sado që në distanca të largëta kohore, ju keni pasur komunikime, me pseudonime ose jo. Përveçse për të pyetur për përkujdesje shëndetësore, a flisnit për këto pasuri?
Komunikimet ishin të pakta dhe, siç mund ta merrni me mend, ishin gjithnjë të censuruara. Letrat vinin 2-3 muaj me vonesë, imagjinoni se sa në sitë kalonin. Megjithatë, në vitet e fundit të jetës, pas vdekjes së xhaxhait, im at i ka dërguar letra nuses së tij, hallës Nexhat (Bebi) gjithashtu. E kanë vënë në dijeni se Eqeremi i pat marrë me vete xhevahiret në Vjenë, ku jetoi e punoi vitet e fundit në shtëpinë e vajzës së tezes, Hana Këlcyrës.
Me ç’pseudonim i dërgonte letrat babai?
Emri i tij i letrave ishte Paola Bravo.
Atë kohë askush, sado që mund të vihej në dijeni, nuk kishte mundësi të merrej me to, por më pas a mundët?
Jo, sigurisht që jo, që në vitin ’64 e deri pas ’90-s, kur mund të bëhej diçka, kishin kaluar aq shumë vite sa nuk u gjend më asgjë.
Ç’u bë me ju pas largimit të babait? E kujtoni ndarjen me të?
Po, është një nga momentet e asaj kohe që kujtoj më qartë, sytë e tij të përlotur, kur më mbante në krahë dhe dëshirën time aq të madhe për t’i shkuar nga pas. Natyrisht që nuk mundja. Që përpara largimit të tyre ne u transferuam nga Vlora në Tiranë, shkuam të jetonim për pak kohë te shtëpia e vajzës së hallës, Shasha Libohova, vend ku sot është Ambasada e Vatikanit apo Nunci Apostolik. Prej këtu ruaj disa kujtime, një herë që jam sëmurur dhe që më mbanin në një dhomë të veçantë. Meqenëse u hidhërova shumë, për të më zbavitur im atë realizoi një projektim me diapozitiva për të më kënaqur. Po aty kam edhe kujtimin e hidhur të vdekjes së gjyshes, aty kam pirë ilaçet e saj e kam shkuar në spital me urgjencë, deri në transferimin e radhës.
Për ku?
Pas ikjes së dy vëllezërve, dy motrat bashkë me ne fëmijët, sepse nusen e xhaxhait e kisha njëkohësisht teze (të dyja bija të Sali Shqipe Vrionit. Meqenëse gjyshi i Afifes merrej shumë me librat, i vendosën mbiemrin Shqipe), u vendosëm në shtëpinë e djalit të tezes së babait, Shefqet Libohovës, aty ku është kalaja e sotme, te kinema “Millenium”. Nuk mund të jetonim më te shtëpia e hallës, meqenëse ishte shumë e madhe dhe ne ishim vetëm femra.
Prej aty ju nxorën apo bëtë lëvizje të tjera?
Po, prej aty. Erdhi një karrocë e madhe me policë që rrethuan të gjithë shtëpinë, qëndronin në çdo dhomë të ruanin se mos merrnim diçka me vete, dhe na nxorën përjashta pa marrë as rroba për t’u ndërruar. Ishim krejt vetëm pa pasur ku të shkojmë. U drejtuam për në Hotel Internacional me një bebe me vete, vajza e Eqeremit, e vogla ishte vetëm nëntë muajsh, dhe s’kishim as me çfarë ta ndërronim. U gjend poshtë dhomës që na dha një familje, e cila na ndihmoi.
Përveç policëve, a ishte dikush në krye për t’ju larguar nga shtëpia?
Ishte Haxhi Lleshi, por vetëm hyri e doli. La gruan e tij, e cila u përpoq të na ndihmonte, duke na thënë të merrnim ndonjë gjë me vete, por që nga ana tjetër nuk ishte e mundur prej policëve. Ata hapën murin, ku kishim mbledhur gjërat e familjes dhe i morën, pavarësisht se hapën gjithçka tjetër nga dyshimi se mos ishin të fshehur babai me xhaxhain. Pas kësaj kohe nisën rrugëtimet tona sa nga njëra shtëpi në tjetrën, derisa përfunduam në Kavajë.
Me çfarë jetonit?
Në Kavajë punonte nëna me tezen, qepnin, qëndisnin, bënin pajat për vajzat e reja, punë të tilla që prej tyre i trashëguam edhe ne. Sikundër shumë vajza shqiptare të asaj kohe. Unë me motrën dhe kushërirat shkonim në shkollë, natyrisht deri në gjimnaz, nuk mund të shkonim më tej. Njerëzit në Kavajë na kanë trajtuar shumë mirë, pavarësisht imazhit që mund të kishim, janë sjellë shumë mirë me ne. Unë kam qëndruar në Kavajë për 16 vjet.
Më pas u martuat?
Po, dhe mendova se gjërat do të ndryshonin, por nuk ishte e thënë të ndodhte kështu. Tim shoq, Tanush Frashërin, e dërguan në Vlorë pasi përfundoi studimet në universitet, e pas Vlorës, kur sapo ishim transferuar në Tiranë, u gjend befasisht, çuditërisht, i arrestuar për agjitacion-propagandë, ligj që asokohe mund të dënonte e kapte këdo pa shumë justifikime. Qëndroi për pesë vite në Spaç, ku unë shkoja e vizitoja çdo një muaj për 5 vite. Tashmë jetoja edhe unë, duke punuar me zanatin e marrë nga ime më. Pas daljes nga burgu domosdo që e mbajtën larg arsimit dhe e vunë të punojë si punëtor.
Po babai juaj kur vdiq?
Në vitin 1969, 5 vite pas vdekjes së Eqeremit.
Edhe ai ishte transferuar në Vjenë?
Jo, babai qëndroi në Itali, shkoi në Vjenë vetëm kur i vdiq i vëllai për ta varrosur dhe u rikthye në Itali, ku vdiq nga një ngatërrim zorrësh.
Kur patët mundësi të dilnit, keni shkuar në varrin e tij?
Po, patjetër, kam shkuar 2-3 herë e kam vizituar varrin e tij.
Si u larguat në Vjenë?
Në vitin 1990, ditët e fundit të dhjetorit, pas ambasadave, u larguam me dokumente nëpërmjet ndihmës së një kushërirës time që jetonte jashtë, në Vjenë.
Me çfarë merreni aty?
Im shoq shkruan, punon vazhdimisht. Unë përpiqem ta ndihmoj me sa mundem, duke lexuar gjithë çfarë më kërkon, duke i dhënë mendime e duke i bërë korrektura. E përveç mirëmbajtjes së shtëpisë, lexoj libra për shumë orë të ditës. Është një gjë që më ka pëlqyer gjithmonë ta bëj.
(Edhe sot që kemi ardhur të bisedojmë me Afife Frashërin, megjithëse janë orët e para të mëngjesit e sipas regjimit ajo sapo duhet të ishte ngritur, sytë vazhdon t’i ketë pak të lodhur e të përgjumur nga leximi që ka bërë një natë më parë, deri në orët e para të mëngjesit. Vepron thuajse çdo ditë njësoj, pavarësisht kritikave që i shoqi ka filluar t’i japë, pse mosha nuk është më ajo e para.)
ERMIRA ISUFAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al