Afera e inceneratorëve/ ‘Ministria e Belinda Ballukut jep “ok” për të lënë peng pronat e inceneratorin e Tiranës për kredi 8 milionë euro kur kishte nisur hetimi penal’

Aug 10, 2022 | 7:54
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Partia e Lirisë publikoi dje fakte të reja që implikojnë Ministrinë e Infrastrukturës të drejtuar nga Belinda Balluku dhe Bashkinë e Tiranës në aferën e inceneratorit të kryeqytetit.

Gjatë një konference për shtyp, koordinatorja kundër korrupsionit në Partinë e Lirisë, Brisejda Shehaj, publikoi dy dokumente të korrespodencës së kompanisë së inceneratorit të Tiranës me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Bashkinë e Tiranës ku kërkohej miratimi i tyre për të lënë peng pronat e koncesionit për një kredi me vlerë 8 milionë euro.

Ajo që rëndon më shumë pozitën e institucioneve shtetërore është fakti se kanë dhënë dakordësinë për të lënë pronat publike peng në një kohë që kishte nisur një proces penal për këtë aferë.

“Kredia më e madhe në një vlerë të vetme 8 milionë euro që të merrej kjo kredi janë bërë dy shkresa që i drejtohen Ministrisë së Energjetikës dhe Bashkisë së Tiranës.

Kjo ka ndodhur më 1 nëntor. Ministrisë së Infrastrukturës i thuhet që informoni bankën që prona s’është lënë peng në asnjë bankë tjetër dhe do ta lemë peng te kjo bankë dhe Bashkia e Tiranës ka konfirmuar se të gjitha detyrimet e Bashkisë për këtë koncesion do të shkojnë në këtë bankë.

Por, pse ka rëndësi data 1 nëntor. Më datë 7 dhjetor, banka i drejtohet kompanisë ku i thotë se këstin e fundit nuk ta jap. Të kam vendosur kusht që të mos disbursojë këstin e fundit. Kushti është që shoqëria dhe administratorja nuk ka procedim penal me aktivitetin e shoqërisë.

Pse ka rëndësi 1 nëntor, pasi këta zotërinjtë i kanë dhënë ‘ok’, pasi pa dakordësinë e tyre nuk merrej kredia, shteti e dinte për hetimin penal. Sekuestrimi i dokumentacionit ka filluar që në shtator-tetor. Banka e mori vesh pasi u arrestuan personat. Ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Bashkia s’e patën fare problem”, tha Brisejda Shehaj.

Ndërkohë, në vijim ajo denoncoi edhe faktin sesi kompania e inceneratorit të Tiranës krijon vonesa në shlyerjen e këstit të kredisë ku janë lënë peng prona publike, ndërkohë që dërgon pagesa në Holandë ku ndodhet në ofshore kompania mëmë.

“Nga muaji shkurt, fillojnë problemet të kompanisë. Bëhet fjalë për dy letra. Kontrata qiraje financiare keni 27 mijë euro vonesë. Për kontratat e kredisë i thotë se jeni 450 milionë lekë me vonesë. Dhe nëse këto nuk paguhen banka konfiskon pronat e shqiptarëve. Por, ndërkohë që në Shqipëri nuk paguan kredinë, kompania e inceneratorit të Tiranës i dërgon para kompanisë mëmë. Pra, marrim paratë e shqiptarëve dhe i dërgojmë paratë në Holandë. Kjo skemë tregon qartë sesi paratë tona s’investohen në Shqipëri”, vijoi ajo.

MAJA E AJSBERGUT

Ndërkohë, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u shpreh se kompania që ka fituar koncesionin e inceneratorit të Tiranës ka marrë në total 16 milionë euro kredi, duke vendosur garanci pronat publike. Por megjithatë, sipas tij kjo është vetëm një pjesë e vogël e skandalit.

“Publikojmë sot fakte të reja për skandalin e djegësve fiktive (inceneratorët). Ne jo vetëm do i shkojmë deri në fund, por që deri tani jeni njohur vetëm me majën e ajsbergut. Pasi pamë se si dhe fondet e Ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR-ja që duhet të shkojnë në mbështetje të fermerëve dhe ato kanë përfunduar në duart e kësaj organizate kriminale, sot do tregojnë se si qeveria shqiptare, me kokën e gjithë kësaj afere që është Kryeministri aktual Edi Rama, ka vënë në dispozicion të kësaj skeme të mirorganizuar kriminale dhe pronat publike të cilat janë lënë peng në bankat e ndryshme këtu, për paratë që shkojnë përtej detit. Jo vetëm kaq por dhe më larg”, tha Meta.

Ndërkaq ai i bëri thirrje drejtësisë që të hetojë në mënyrë të thelluar dhe të mos përplaset me qytetarët për këtë aferë.

“E qartë që Rama kërkon të mbrohet nga kjo aferë e tmerrshme ku ai është i përfshirë 100% kokë e këmbë, duke i vendosur popullit para drejtësinë. Ne shpresojmë që drejtësia s’ka asnjë arsye të përplaset me popullin, se këto që vidhen janë partë e popullit. Personat që kanë firmosur e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë ata, minimumi akuza e shpërdorimi i detyrës që është akuza më e lehtë e papërfillshme.

Këtu nuk kemi të bëjmë as me shpërdorim detyre as me përgjegjësi individuale, këtu kemi me një grup të strukturuar kriminal dhe drejtësia do fillojë të reflektojë kur të ndërtojë akuzat për gjithë këta si pjesë e këtij grupit të strukturuar kriminal se nga gjithë provat e dokumentet e provuara zyrtarisht deri tani, asnjëherë nuk është vonë për të reflektuar, ndërkohë që hetimet kanë ecur me hapin e breshkës e kemi parë që ata vijojnë të vjedhin me shpejtësinë e kangurit”, u shpreh kryetari i PL-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura