Afera e inceneratorëve/ Kreu i SPAK flet për “Zërin e Amerikës”: Janë të përfshira disa institucione, kushdo që ka shkelur ligjin do përgjigjet

Aug 6, 2022 | 6:58
SHPËRNDAJE

Kreu i SPAK, Arben Kraja në një intervistë për “Zërin e Amerikës” tha se çështja e aferës së inceneratorëve është në hetim. Sipas tij, kjo është diçka shumë komplekse, pasi janë të përfshira disa institucione.

kraja

Sipas Krajës, hetimet do të vazhdojnë deri në fund edhe për inceneratorin e Tiranës dhe do të përgjigjet çdo zyrtar i lartë që ka shkelur ligjin.

“Çështja e incineratorëve është një çështje shumë komplekse sepse janë përfshirë shumë institucione shqiptare të cilat kanë qenë pjesë e këtij aktiviteti. Po kështu është edhe një volum i madh pune për të sqaruar se çfarë ka ndodhur. Ne kemi 3 hetime, pra 3 çështje penale për secilin nga incineratorët, Elbasanin, Fierin dhe Tiranën. Për dy të parat, pra Elbasanin dhe Fierin ne kemi arritur disa përfundime, pra i kemi bërë njoftimet që tanimë i dini sepse janë bërë publike. Kemi ngritur në përgjegjësi penale disa persona, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar. Por hetimet vazhdojnë dhe për incineratorin e Tiranës do ta vazhdojmë deri në fund për ta sqaruar se çfarë ka ndodhur. Në qoftë se ka përgjegjësi penale, kush ka dhe do të përgjigjet, kushdo që të ketë shkelur ligjin”, tha Kraja.

I pyetur në lidhje me pronarët e kompanive të cilët u larguan para daljes së urdhërarresteve, Kraja sqaroi: “Kjo është çështje e hetimit, që duhet sqaruar, por problemi është se janë qytetarë të lirë deri sa del një masë sigurie nga gjykata. Deri atëherë njerëzit lëvizin lirshëm. Mund të jenë edhe jashtë vendit, mund të jenë edhe diku tjetër. Nganjëherë kur kërkohen, nuk arrihen të kapen, sepse fshihen. Është pjesë e hetimit kjo. Por e rëndësishme është që kjo nuk pengon që ne të vazhdojmë hetimet. Në Shqipëri ndjekja penale ushtrohet edhe në mungesë të personit, dhe ka edhe vendim gjyqësor përfundimtar në mungesë të tij, kushdo që të jetë ai”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura