Afër pacientëve me koronavirus dhe distancë në shtëpi, rrëfimet prekëse të mjekëve

Mar 24, 2020 | 9:20
SHPËRNDAJE

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndonëse ka mundësi për karantinim të personelit, aty nuk është izoluar askush prej stafit.infekt

Mjekët aty thonë se pas orarit të punës kthehen në shtëpi te familja. Disa mbajnë distancën sociale sipas rregullave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë edhe në shtëpi. Por, disa që kanë fëmijë të vegjël, vazhdojnë kujdesin prindëror në shtëpi.

Njëri nga ta është infektologu, Valbon Krasniqi, i cili duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se kjo gjendje nuk dihet sa do të zgjasë, andaj nga puna e gjatë që e bën në Klinikën Infektive të QKUK-së, kthehet në shtëpi. Por, në shtëpi, ai thotë se është vetizoluar dhe nuk ka kontakte të drejtpërdrejta me familjarët.

“Jam baba i tre fëmijëve. Nënën të cilën e kam më në moshe e kam larguar në fshat për shkak se të moshuarit janë më të rrezikuarit nga koronavirusi. Unë në klinikë jam i mbrojtur me rroba, veshje speciale dhe pastaj edhe në shtëpi i kujdesshëm me higjienë e distancë. Shpresoj ta kalojmë sa më shpejtë këtë situatë”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Gëzim Morina është mjek infektolog. Për Radion Evropa e Lire ai ka ndarë përvojën e tij të vetizolimit, pas kontaktit që kishte pasur me familjarët e tij, të cilët kishin ardhur nga Italia dhe më pas kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Infektologu Morina, është baba i tre fëmijëve, mosha e të cilëve është 13, nëntë dhe tre vjeç.

“Kam shkuar t’i vizitoj familjarët, pasi që kishin ardhur nga Italia. Por, unë gjatë vizitës kam qenë me maskë dhe dorëza. Megjithëkëtë, sapo kam kuptuar se ata kanë qenë pozitivë me koronavirus, jam vetizoluar për dy javë rresht dhe nuk kam pasur kontakt as me gruan e as me fëmijët. Nuk kam qëndruar në të njëjtin vendbanim. As në Klinikën Infektive nuk kam shkuar për dy javë rresht”, thotë Morina.

Ai thotë se ka bërë dy teste dhe pasi që të dy testet kanë dalë negativë me koronavirus, ka filluar të punojë dhe i është bashkuar familjes.

Profesionistë shëndetësorë thonë se në Klinikën Infektive ka kushte për stafin që kanë kontakt me të prekurit me koronavirus të izolohen dhe të mos shkojnë në shtëpi pas orarit të punës.

Por, megjithatë, pas orarit të punës, asnjë nga personeli nuk është izoluar aty.

Njëra nga infektologet e cila nuk deshi të flas me emër, që njëherësh është edhe nënë, tha se ndonëse çdo ditë punon në këtë klinikë dhe aty janë të shtrirë dhjetëra të prekur me koronavirus, asaj i duhet te kthehet në shtëpi, pasi që ka fëmijën vetëm dy vjeç.

“E bëj nga pamundësia për t’u vetizoluar, sepse e kam fëmijën shumë të vogël. Po mundohem që të jem shumë e kujdesshme këtu në klinikë dhe të mbrohem sipas udhëzimeve të OBSH-së. Jam mes dy zjarreve, për t’i ndihmuar pacientët e që tashmë po e bëj këtë gjë, por edhe t’i ofroj kujdes fëmijës tim”, tha ajo.

Infektologët brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, thonë se edhe në të kaluarën janë përballur me epidemi, si gripi i derrit, ethet hemorragjike e të ngjashme dhe se janë të informuar se si duhet të mbrohen.

Deri tani asnjë mjek infektolog, por as infermierë nuk janë prekur me koronavirus brenda Klinikës Infektive në QKUK.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura