Afatet për tapinë, dështon udhëzimi Lame-Muho

Jul 26, 2017 | 15:28
SHPËRNDAJE

Ndryshe nga sa pritej, sheshimi i çdo barriere ligjore që mund të bëhej pengesë për pajisjen e qytetarëve me certifikatën e pronësisë apo përcaktimi i afateve konkrete, nuk solli ndryshimin e pritur. Kur po bëhet pothuajse një vit nga miratimi i udhëzimit të përbashkët mes kreut të Agjencisë së Legalizimeve Artan Lame dhe ish-kreut të Hipotekës, Ilirjan Muho, situata vijon të mbetet gri.artan-lame

VONESAT

Ndonëse nuk ka një shifër zyrtare, nuk janë të pakta ato familje që pasi kanë marrë lejen e legalizimit janë vënë në radhë pritjeje për tapinë. Kjo është pranuar edhe nga Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, sipas së cilës shkak për vonesat e krijuara janë bërë ngërçet institucionale dhe mospërputhja e hartave me të cilat punojnë dy institucionet. Në këto kushte nuk kemi të bëjmë me vonesa të krijuara nga qytetarët, sa kohë që as pagesa e truallit nuk është parakusht për regjistrimin e pronës në ZRPP. Me ndryshimet e miratuara në rastet kur nuk kryhet shlyerja e detyrimit financiar për parcelën ndërtimore atëherë prona regjistrohet, por me shënim hipotekor, duke e privuar qytetarin nga e drejta për ta shitur apo për ta lënë kolateral.

AFATET

Në bazë të udhëzimit, ALUIZNI ka detyrimin që brenda 40 ditëve nga momenti që merr në shqyrtim një dosje, të miratojë edhe lejen e legalizimit. Brenda kësaj kohe qytetarët do të njoftohen për pagesën e parcelës ndërtimore. Nëse ata do të paraqiten, do të përfitojnë 30 për qind zbritje. Ndërkohë familjet që nuk do të kenë mundësi të shlyejnë faturën, do të humbasin të drejtën për të përfituar nga reduktimet e parashikuara në ligj dhe nga ana tjetër, toka do të regjistrohet në Hipotekë, por me kufizim.

Udhëzimi përcakton që kërkesa për regjistrimin e objektit dhe pronës të mos bëhet nga përfituesi i lejes, por nga ALUIZNI. Ky aplikim do të kryhet elektronikisht përmes një formulari me të dhënat bazë të familjes, si dhe dokumentacionin përkatës. Brenda 10 ditëve nga depozitimi i kërkesës, Hipoteka ka detyrimin që të përmbyllë procedurat e regjistrimit. Pas kësaj, brenda pesë ditëve qytetarët do të njoftohen nga ALUIZNI për të kryer pagesën e shërbimit. Me likuidimin e kësaj tarife lëshohet edhe certifikata e pronësisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura