Afat deri në 2017 për tokat në fshat, kush përjashtohet

May 24, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Shtyhet deri në 2017 afati i shqyrtimit për titujt e pronësisë për përfituesit e tokave nga ish-ndërmarrjet bujqësore, pasi rezulton se janë pa shqyrtuar 5 mijë kërkesa. Nga njohja e titullit të pronësisë përjashtohen familjet që nuk janë përdoruese faktike të tokës bujqësore, kanë ndryshuar vendbanim dhe kanë burim tjetër të ardhurash.

shalsi

Deputetët e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese miratuan projektligjet me ndryshimet për shtyrjen e afatit deri në dhjetor të 2017 të njohjes së pronësisë për tokat e ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe tokës të ishkooperativa bujqësore. Në diskutimin e dy drafteve në komision, deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela, ngriti shqetësimin e njohjes së titujve të pronësisë për banorët që kanë ndryshuar vendbanimin.

Përfaqësuesi i Ministrisë të Bujqësisë, Irfan Tareli, shpjegoi se ligji 8053 për ndarjen e tokës së ish-ndërmarrjeve bujqësore përjashton 3 kategori.

“Ligji bazë 8053 për tokat e ish-ndërmarrjeve bujqësore vendos një sërë kufizimesh. Pra, përfituesi duhet të jetë përdorues faktik i kësaj toke bujqësore dhe ligji përcakton procedurën se si kjo konfirmohet nëpërmjet kryepleqësisë, dokumentacionit të administratës vendore, si dhe vendos dhe një kufizim për tokat e ish-ndërmarrjeve bujqësore që aplikuesi duhet të jetë me gjendje civile të pandryshuar që nga ‘91, ‘92 dhe deri ditën që jepet titulli i pronësisë, ndërsa familjet bujqësore që kanë ndryshuar vendbanimin dhe kanë burime të tjera të ardhurash përjashtohen”, shpjegoi Tareli.

Deputeti Agron Duka tha se 2017 është një vit elektoral, çka sjell pamundësinë e marrjes në shqyrtim të 5 mijë kërkesave dhe do të kërkohet përsëri shtyrja e afatit. Por, sipas Ministrisë të Bujqësisë, mbyllja e procesit do të sjellë formalizimin e familjeve bujqësore. “Përfundimi sa më shpejt i zbatimit të dy ligjeve është i domosdoshëm për formalizimin e familjeve bujqësore, pasi lidhet me përfitimin e subvencioneve dhe ndihmës ekonomike”, u shpreh ai.

Deputeti i Partisë Demokratike, Elidon Bushati, ngriti shqetësimin për 1507 vendime të pavlefshmërisë të titullit të pronësisë. Ai kërkoi që 1500 hektarë tokë e trajtuar nga këto vendime t’i kalojnë si fond fizik Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë shpjegoi se ligji e lejon që të vihet në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, sipërfaqja që del e lirë apo e përfituar padrejtësisht.

DEBATI 

Agron Duka: Afati është shtyrë disa herë dhe ju thoni se ka ende dhe 5 mijë kërkesa për shqyrtim. A ka ndonjë parametër, mbi të cilin ju jeni nisur për të realizuar shqyrtimin e këtyre kërkesave, pasi 2017 është një vit elektoral dhe do të kërkoni një shtyrje tjetër të afatit?

Irfan Tareli: Përfundimi sa më shpejt i zbatimit të dy ligjeve është i domosdoshëm për formalizimin e familjeve bujqësore, pasi lidhet me përfitimin e subvencioneve dhe ndihmës ekonomike.

Agron Duka: A mund të mendohet që në formë presioni që titujt e pronësisë apo toka në përdorim t’i jepet individit, atëherë kur dokumentohet nga organet e pushtetit vendor se toka punohet. Sepse i jepet toka dhe nga tokë bujqësore kalon në truall, mbi të cilin ndërtohet dhe vazhdon e njëjta histori.

Irfan Tareli: Rishpërndarja e tokës nuk është subjekt i zbatimit të ligjit, sepse në dy ligjet që janë sjellë sot për shqyrtim, duhet që për këto sipërfaqe subjekti që aplikon për të përfituar duhet të jetë përdorues faktik. Pra, në kushtet që kjo sipërfaqe i hiqet një subjekti tjetër, nuk mund të provohet që është subjekt faktik një përdorues tjetër. Nuk ka interes t’i jepet toka një objekti tjetër që nuk e kultivon atë, por do të shqyrtohet kërkesa për titujt e pronësisë për personat që e kultivojnë tokën.

Bujar Çela: Gjatë kësaj kohe është shfaqur dukuria që ish-banorë të fermave kanë ndryshuar vendbanimin. Komisioni ka vepruar ku e ka hequr tokën, ia ka dhënë dikujt tjetër, diku ka mbetur, ata e humbasin këtë tokë? E drejta e pronësisë trajtohet në 7 mënyra, atij që e përfiton, atij që e ka humbur. Mendoj se në ligj, krahas shtyrjes, të kishte dhe diçka të shtuar, një sqarim edhe për noterët dhe për kadastrat dhe për stafet e bashkive.

Irfan Tareli: Ligji bazë 8053 për tokat e ish-ndërmarrjeve bujqësore vendos një sërë kufizimesh. Pra, përfituesi duhet të jetë përdorues faktik i kësaj toke bujqësore dhe ligji përcakton procedurën se si kjo konfirmohet nëpërmjet kryepleqësisë, dokumentacionit të administratës vendore, si dhe vendos dhe një kufizim për tokat e ish-ndërmarrjeve bujqësore, që duhet të jenë me gjendje civile të pandryshueshme që nga ‘91, ‘92 dhe deri ditën që jepet titulli i pronësisë. Pra, nëse është përdorues faktik i tokës bujqësore, ndërsa familjet bujqësore që kanë ndryshuar vendbanimin dhe kanë burime të tjera të ardhurash, përjashtohen.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura