Aeroporti i ri, në zonën mes Gjirokastrës dhe Sarandës

Aug 15, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Aeroporti i Jugut pritet të ndërtohet në një zonë mes Sarandës dhe Gjirokastrës, ndërsa në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave u miratua fondi prej 30 milionë lekësh për kryerjen e studimit të fizibilitetit.

edi-rama-mbledhje-qeverie

Përveç ndërtimit të aeroportit të Jugut, për të zhvilluar turizmin qeveria parashikon ngritjen e 12 porteve të reja, duke përfshirë edhe zgjerimin e 5 porteve aktuale. Gazeta zbardh strategjinë e qeverisë për zhvillimin e bregdetit deri në 2030, të cilën e ka cilësuar Kushtetutën për zhvillimin e këtyre zonave.

Në Veri të vendit ndodhet aeroporti i Kukësit, por aktualisht nuk ofron shërbimin e udhëtimit të pasagjerëve, edhe pse është në gjendje pune. Në planin e qeverisë sugjerohet që aeroporti i Jugut të ngrihet në një zonë mes Gjirokastrës dhe Sarandës, ndërsa për studimin e fizibilitetit nga Ministria e Transporteve do të përdoren 30 milionë lekë.

“Propozimi i planit të përgjithshëm kombëtar, me dy aeroporte të reja në vend, një në zonën e Kukësit dhe një midis Gjirokastrës e Sarandës do të arrijë t’i krijojë kushtet e përshtatshme për zhvillim, jo vetëm sektorit të turizmit, përmes shpërndarjes së shpejtë të turistëve të huaj dhe vendës përgjatë gjithë bregdetit, por edhe për zhvillim të sektorëve të tjerë ekonomikë”, thuhet në strategjinë e qeverisë.

Plani i bregdetit sugjeron edhe ripërdorimin e aeroporteve ekzistuese ishushtarake apo militare, duke i ndryshuar funksionin për qëllime turistike. Riaktivizimi i këtyre aeroporteve parashikohet vetëm në rast se ato ndodhen afër resorteve turistike apo fshatrave turistikë.

“Kjo, kur bëhet fjalë për investime infrastrukturash akomoduese dhe shërbimesh turistike të dimensioneve të mëdha, që kërkojnë këtë lloj shërbimi transporti të shpejtë, si për shembull në rastet e investimeve të turizmit kompleks, fshatra turistike elitare, resorte etj.”, thuhet në strategjinë e bregdetit.

PORTET

Qeveria parashikon që brenda 15 viteve të ndërtojë në të gjithë vendin 17 porte të reja, duke përfshirë zhvillimin edhe të porteve aktuale. Pas rikualifikimit që qeveria u bën porteve ekzistuese, në porte të rëndësishme kombëtare që do t’i shërbenim më tepër turizmit, plani propozon edhe 12 vendndodhje të reja të përshtatshme.

Aktualisht, në vend ndodhen porte për shërbim militar, për anijet e peshkimit, riparim anijesh peshkimi, për parkim jahtesh. Strategjia e qeverisë ka si objektiv përdorimin e porteve, pontileve dhe moleve ekzistuese përpara se të ndërtohen pikat e tjera të reja. Në strategji janë propozuar si vendndodhje teknikisht më të përshtatshme për t’u ndërtuar deri në vitin 2030, 17 porte.

Synohet që këto porte të shërbejnë jo vetëm për turistët, por edhe për transportin e mallrave. Plan i qeverisë propozon që zhvillimi i mëtejshëm i porteve në të ardhmen të orientohet sipas vlerave dhe aktiviteteve më dominuese që ajo zonë ofron aktualisht dhe që ka si perspektivë zhvillimi në të ardhmen.

PROPOZIMI PËR NDËRTIMIN E PORTEVE

Gjiri i Ftelias në Jug te Kepi Spilo
(Sarandë–Mursi–Vrinë)
Gjiri i Tetranisit
(4-ishujt në Ksamil)
Gjiri i Sarandës
Gjiri i Limionit
(Sarandë)
Porto Palermo
(Gjiri i Armeridhës dhe Gjiri i Kalasë)
Orikum
(Derdhja e lumit Izvor)
Radhimë
(Bazë aktualisht në përdorim të forcave të policisë kufitare)
Porti Tregtar Skelë-Vlorë
Ishulli i Sazanit
Kalaja e Turrës
Porti ekzistues i Durrësit
Zona Ujore përpara sheshit Vollga – Durrës
(Qendra e qytetit)
Currila – Durrës
Bishti Pallës – Gjiri i Lalëzit
(Zona në jug të derdhjes së lumit Erzen)
Gjiri i Peshkatarit (Shën Pjetri)- Gjiri i Lalëzit
(Në pjesën jugore të Kepit të Rodonit)
Porti Ushtarak në Shëngjin
(Bazeni në bregdetin verior në hapësirën jashtë tunelit të katrave silurues)
Liqeni i Shkodrës, pranë qytetit dhe përgjatë lumit të Bunës

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura