Aeroporti i Kukësit/ Hetim 38 punësimeve fiktive, si morën rrogat pa asnjë ditë punë

May 22, 2017 | 8:34
SHPËRNDAJE

Punësimi i 38 personave në Aeroportin e Kukësit bëhet objekt hetimesh nga Prokuroria. Kjo e fundit ka nisur hetimet për këtë rast, bazuar në informacionet se personat e punësuar rreth një vit më parë e kanë marrë pagën ndërsa nuk kanë qenë asnjë ditë në punë, shkruan “Panorama”. 

Aeroporti-i-Kukesit

Burime nga Prokuroria kanë thënë se hetimi i këtij rasti po kryhet nga sektori i Antikrimit ekonomik prej disa javësh. Dyshimet janë se punësimi i 38 personave ka sjellë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit, pasi pagat dhe sigurimet shoqërore të paguara në adresë të tyre janë tërhequr pa kryer asnjë punë.

Këtu qëndron edhe thelbi i hetimit pasi Aeroporti i Kukësit “u hap” një vit më parë në maj 2016, por kjo mbeti vetëm në letër. Asnjë fluturim nuk është kryer ende nga ai aeroport, e po ashtu as nënshkruar ndonjë kontratë me ndonjë kompani për operim nga aeroporti i Kukësit. Pikërisht për këtë arsye ka nisur edhe hetimi i Prokurorisë me dyshimet se pagat e dhëna çdo muaj për rreth 38 persona janë derdhur në llogaritë e tyre pa u bërë asnjë punë.

HETIMET

Hetimet e Prokurorisë më- sohet se janë adresuar te zyrtarë dhe ish- zyrtarë të lartë të Autoritetit të Aviacionit Civil për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Titullarët e autoritetit të Aviacionit Civil dhe Drejtoria e Aeroporteve kanë punësuar 38 persona, duke i emëruar në detyra të ndryshme në Aeroportin e Kukësit. Emërimi ka ndodhur në periudhën maj-qershor të një viti më parë, ndërsa efektet financiare mendohet se kanë nisur së paku prej dhjetë muajsh.

Dyshohet se këta punonjës nuk kanë shkuar një ditë në vendin e punës për aresye se aeroporti nuk funksionon dhe në të nuk është operuar me asnjë fluturim gjatë gjithë kohës së “punësimit” të 38 vetave.

Grupi i hetimit ka dyshime se këta punonjës, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të Autoritetit të Aviacionit Civil, kanë marrë në financën e institucionit edhe dieta udhëtimi çdo muaj e ushqimi në shuma të mëdha financiare. Organi i akuzës mësohet se ka caktuar tre ekspertë kontabël, që do të llogarisin dëmin e shkaktuar ndaj shtetit nga pagat e derdhura në llogaritë e shtetasve që nuk kanë shkuar në punë, siç dyshohet, asnjë ditë.

PROVAT

Hetuesit e Prokurorisë kanë sekuestruar dokumente në Drejtorinë e Aviacionit Civil dhe në sektorin e aeroporteve në lidhje me praktikën e punë- simit të 38 vetave në Aeroportin e Kukësit. Dokumentacioni po këqyret për të verifikuar ligjshmërinë e punësimeve që janë kthyer tashmë në objekt hetimi.

Po kështu, bazuar në dokumente po identifikohen edhe personat që kanë firmosur praktikat apo vendimet e emërimit të shtetasve, që dyshohet se janë paguar pa kryer asnjë punë. Nga ana tjetër, grupi i hetimit ka qenë një herë në Kukës ku ka marrë kamerat e sigurisë së aeroportit për të parë nëse personat që janë paguar gjatë kësaj kohe, kanë shkuar në punë apo jo.

Nga verifikimi i Prokurorisë u konstatua se Aeroporti i Kukësit nuk është fare në funksion, pasi aktualisht ka vetëm godinën. Prokuroria pritet të marrë në pyetje drejtues e ish-drejtues të Aviacionit Civil në lidhje me këtë situatë.

TRAZHGIM SOKOLAJ /PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura