Admir Përvathi e Edi Rama përfaqësojnë Shqipërinë në një ekspozitë në Austri

Oct 23, 2018 | 10:23
SHPËRNDAJE

Arti është gjuha që thyen kufijtë, që bashkon vende e popuj, pavarësisht largësisë gjeografike.

Piktori Admir Përvathi, gjatë hapjes së ekspozitës në Grac të Austrisë
Piktori Admir Përvathi, gjatë hapjes
së ekspozitës në Grac të Austrisë

 

Ky ishte edhe qëllimi i një ekspozite të hapur në Grac të Austrisë, nga një grup artistësh nga Shqipëria e Kosova. Ekspozita e titulluar “Të zbulojmë të përbashkëtat”, kuruar nga Eva Lassnig, bënte bashkë disa mediume, që nga piktura në vaj, punime në letër, kolazhe, skulptura, të prezantuara nga artistët Albana Ejupi, Haxhi Fejzullahu, Destan Gashi, Resul Jusufi, Admir Përvathi, Edi Rama, Adriana Sedaj, Naim Spahiu.

pervathi2
Disa nga punët e Admir Përvathit, ekspozuar në “Të zbulojmë të përbashkëtat”

Si edhe mund të shihet, Shqipëria ka qenë e përfaqësuar në këtë ekspozitë me piktorin Admir Përvathi, i cili operon me pikturën abstrakte dhe Edi Rama, Kryeministri i vendit, me disa nga punimet e tij në letër.

Ndonëse Rama edhe në renditjen e artistëve nuk është as i pari, por as i fundit, prezantohet si një artist, e pamundur që të mos prezantohet edhe “kostumi i zyrtarit”, i cili qoftë edhe pa dashje del përmes shkresave zyrtare, mbi të cilat Rama vizatonte gjatë takimeve të ndryshme kur ishte ministër Kulture apo kryetar bashkie e më pas Kryeministër i vendit.

pervathi1
Nga ceremonia e hapjes së ekspozitës

Edhe organizatorët e ekspozitës nuk i kanë rezistuar dot tundimit që pranë punëve të tij të vendosin edhe një poster, ku vendosnin edhe ofiqin e tij si Kryeministër. Në këtë ekspozitë Rama paraqitej me 8 punë. Nga ana tjetër, për Admir Përvathin nuk është hera e parë që ekspozon në Austri. Veprat e tij janë ekspozuar edhe në dy ekspozita të tjera. Përvathi prezantohej me 5 tablo në vaj.

Disa nga punët e Edi Ramës, ekspozuar në Grac
Disa nga punët e Edi Ramës, ekspozuar në Grac

“Ishte një aktivitet mjaft interesant, ku artistë nga Shqipëria e Kosova u prezantuan me punët e tyre në një ekspozitë të organizuar me rastin e Vitit Kulturor Austri-Shqipëri. Përveç pritjes së ngrohtë nga mikpritësit dhe publiku që mori pjesë në hapjen e ekspozitës, ishte i vlefshëm edhe takimi me artistët e Kosovës, një lloj përballjeje miqësore. Jo më kot edhe titulli i ekspozitës është “Të zbulojmë të përbashkëtat”. “Të gjithë u paraqitëm me punë të veçanta, në mediume të ndryshme, por ç’ka na bashkon të gjithëve, është arti”, thotë Përvathi, teksa shton se ekspozita nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga media vendëse, ndoshta edhe për faktin që pjesëmarrës në të ishte edhe Kryeministri i vendit. Një fakt, që gjithsesi do të grishte kuriozitetin e publikut.

Media austriake për ekspozitën, ku merrte pjesë edhe Edi Rama
Media austriake për
ekspozitën, ku merrte pjesë
edhe Edi Rama

EKSPOZITA

Ekspozita e hapur disa ditë më parë e që do të qëndrojë e hapur deri në datën 7 nëntor u hap me rastin e Vitit kulturor Austri-Shqipëri, por edhe 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

pervathi3

“Si iniciator dhe organizator, unë jam i kënaqur që kjo ekspozitë arti më Landhaus të Gracit mund të realizohet, sepse ka pasur një numër arsyesh: Viti përkujtimor 2018 u shpall një vit kulturor Austri-Shqipëri, Republika e Kosovës ekziston që 10 vjet dhe në gjysmën e dytë të 2018-s Austria mban Presidencën e BE-së. Prezantimi i veprave bashkëkohore të artit, i kombinuar me ngjarjet shoqëruese, të përshtatshme, është një mënyrë e denjë për t’i festuar këto ngjarje dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj tyre. Kjo përqendrohet në shtetet e Ballkanit Perëndimor, me të cilat qyteti i Gracit dhe të Steiermarkut tradicionalisht janë të lidhura ngushtë”, është shprehur organizatori i ekspozitës Karl Bauer.

pervathi4

Ekspozita do të përshëndetej edhe nga Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, sipas të cilit, kjo ekspozitë dëshmon për skenën e gjallë të artit të të dy vendeve. “Iniciativa si këto promovojnë dialogun kulturor”, është shprehur ai.

“Viti kulturor Austri-Shqipëri 2018 fton për më shumë iniciativa dhe projekte artistike dhe kulturore që lidhin vendin me “rizbulimin e të përbashkëtave”, që është edhe motoja e këtij viti kulturor”, u shpreh Presidentja e Landtagut të Steiermarkut, Bettina Vollath. Ndërsa kryetari i Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Steiermark, Fatmir Osmani, u shpreh se “Kultura afron popujt, por vetëm kur arti është përkthyesi i saj. Arti na mëson se, të jesh njeri, është identiteti i vetëm i vërtetë që na bashkon”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura