Administratori: Merkato me sukses. Vllazninë e mundi Pejiç, jo Kukësi

Jan 31, 2017 | 10:43
SHPËRNDAJE

Administratori i Klubit të Futbollit Vllaznia, Eugent Zeka, ka ende shpresë te ndonjë afrim surprizë deri në ditën e fundit të merkatos. Sipas tij, pavarësisht se merkato ka qenë me pikatore, sërish quhet e suksesshme. Drejtuesit e klubit janë të mendimit se Vllaznia nuk do të shikojë prapa dhe s’do ta diskutojë mbijetesën.

Eugent Zeka

Kanë mbetur disa orë nga mbyllja e merkatos, a pritet të ketë afrime të tjera pas Bakajt?

Mund të them, pa asnjë dyshim, se afrimi i Bakajt është një vlerë e shtuar për ne. Dua të them se kemi ende shpresë për ndonjë afrim tjetër deri në mbyllje të merkatos. Mundësitë ekzistojnë.

Ju si drejtues jeni të kënaqur me këtë merkato?

Mund të them jo vetëm në emrin tim, por edhe të drejtuesve të tjerë të klubit se merkatoja ka qenë e suksesshme. Pasqyrimi i merkatos duhet bërë në mënyrën më të drejtë dhe reale. Mund të them se merkatoja jonë ka nisur me mbylljen me mirëkuptim të kontratave të Hoxhës e Vietzer. Kursimet nga këta dy lojtarë kanë bërë të mundur që ne të futemi në merkato.

Afrimet që kemi bërë në janar janë: mbrojtësi Mulemo, Elis Bakaj dhe mesfushori Hajdari. Po ashtu kemi edhe rikthimin e portierit Sherri. Gjithashtu, ardhja në formë e lojtarëve të rinj si Vecaj, Gurishta, Hebaj apo ndonjë element tjetër nga akademia “Vllaznia” janë në vëmendjen e specialistëve.

Nisur nga kjo, a do të pretendojë Vllaznia një ngjitje në renditje?

Pse jo.

A mbetet Kupa e Shqipërisë një objektiv për klubin shkodran?

Kupa është objektiv për të gjitha skuadrat pjesëmarrëse. Ne do të kërkojmë që të avancojmë sa më shumë drejt finales.

Sa ka ndikuar humbja me Kukësin dhe si është atmosfera në skuadër, pasi kundërshtarët e tjerë janë afruar me pikë?

Nuk ka asnjë arsye që humbja me Kukësin të ndikojë negativisht. Vllaznia, pavarësisht humbjes që ishte një duel mes Pejiçit e Agoviçit, ka treguar se me çdo skuadër përballet si e barabartë.

Së fundmi, si e shikoni luftën e skuadrës për mbijetesë?

As ne, por as stafi nuk e mendon mbijetesën. Ne po mendojmë vetëm që të ecim përpara. Nuk e kthejmë kokën prapa.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura