Administratorët e pallateve/ Kush nuk paguan detyrimet, gjoba do t’u vijë në…

Sep 28, 2020 | 14:00
SHPËRNDAJE

Bashkia e Tiranës ka vendosur t’u heqë një barrë të madhe administratorëve duke “disiplinuar” vetë banorët e pabindur që nuk iu nënshtrohen tarifave të përbashkëta të pallatit.

erion-veliajAta që nuk paguajnë detyrimet për mirëmbajtjen e pallatit do të gjobiten në faturën e ujit. Nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Erion Veliaj paralajmëroi ndryshime ligjore që do të rregullojnë pagesat jo vetëm për muajt që vijnë, por do të ketë edhe efekt prapaveprues.

Të gjitha faturat e papaguara të administrimit do t’iu faturohen “të pabindurve” në faturën e UKT-së. “Ne do të kalojmë të gjitha faturat e prapambetura të një banori problematik që nuk kontribuon në mirëmbajtjen e shkallës, të pallatit, ashensorit apo nevojave të tjera të pastrimit apo ndriçimit, te fatura e ujit dhe do të jetë Ujësjellësi i Tiranës, që siç mbledh taksën e pronës, do të mbledhë edhe detyrimin e prapambetur të një komshiu problematik, që 99% e të tjerëve që janë në rregull me administratorin të mos dekurajohen kur shohin një person që i bën karshillëk shtetit”.

Por jo vetëm kaq. Me ndryshimet ligjore në punën e administratorëve të pallateve, penalizime do të ketë edhe për ndotësit. “Do t’u japim administratorëve të pallateve edhe fuqinë që të venë gjoba nëse dikush hedh plehrat nga pallati, nëse dikujt i duket gallatë që var plehrat te doreza e komshiut. Këto janë akte acivile, antiqytetare, që nuk i kanë hije kryeqytetit dhe do të ndëshkohen, duke i dhënë mundësi administratorit të vendosë gjoba të ekzekutueshme për këto shkelje civile të bashkëjetesës qytetare.

Me këtë projektvendim fuqizojmë kryepleqtë dhe ndërlidhësit”, deklaroi Veliaj nga Këshilli Bashkiak. Ujësjellësi, në këtë rast do të shërbejë si agjent tatimor. Njëjtë është vepruar edhe me tarifa të tjerë që rrallëkush shkonte për t’i paguar me dëshirë në bashki. Përpos tarifës së pastrimit, taksës së ndërtesës dhe asaj të arsimit, Ujësjellësit do t’i shtohet edhe gjoba për banorët që nuk i nënshtrohen rregullave të përbashkëta në komunitet.

PARKINGJET

Përveç parkingut te “Sheshi Skënderbej”, “Bulevardi i Ri”, “7 Xhuxhat”, tek “Arena Kombëtare”, si dhe parkimeve mbitokësore te “Selman Stërmasi” dhe te “Pazari i Ri”, në buxhetin e parashikuar kërkohet të ndërtohen edhe dhjetë të tjera, vuri në dukje Veliaj, pa specifikuar se ku konkretisht. Më tej, ai bëri me dije se puna për ndërtimin e Piramidës do të nisë në muajin nëntor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura