Administrata publike, 15 punonjës bursa trajnimi në Ecole Nationale d’Administration në Francë

Feb 14, 2018 | 17:23
SHPËRNDAJE

Administrata publike do të trajnohet në shkollën më të mirë franceze për administrim publik. Në mjediset e Kryeministrisë u zhvillua sot Ceremonia e Shpalljes së 15 Kandidatëve Fitues të Projektit “Skemat e Bursave për Nëpunësit e Rinj Civilë”, projekt i cili mbështet reformën në shërbimin civil në ngritjen e një sistemi profesional, të pavarur dhe të bazuar në meritë, në përputhje me standardet evropiane, si dhe rritjen e atraktivitetit të shërbimit civil për profesionistët e rinj.

Bashkimi Europian ka asistuar në këtë projekt në qendër të të cilit merr përparësi edhe trajnimi i anëtarëve të administratës publike. Pikërisht sot është finalizuar njëra nga fazat e rëndësishme të trajnimit të nëpunësve të rinj civilë.

administrata publike

Bëhet fjalë për një projekt që sapo ka nisur dhe synon t’u japë të rinjve përvojën më të mirë të institucioneve të huaja që kanë traditë shumë të gjatë në fushën e administratës publike.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Zëvendës Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi, Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike Albana Koçiu, Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) Romana Vlahutin, Ambasadorja Franceze Christina Vasak, përfaqësues të projektit etj.  Është hera e parë që po zhvillohet ky projekt dhe do të pasohet gjithashtu në vitet e ardhshme.

Pikërisht kjo shkollë, një nga më të famshmet në botë për edukimin e drejtuesve të administratës publike, është një nga partneret për zbatimin e trajnimit të nëpunësve të rinj të administratës publike.

Të pranishmit në këtë ceremoni shprehën rëndësinë e këtij trajnimi shumë specifik dhe të specializuar që do t’i pajisë të rinjtë me një përvojë konkrete për t’u zbatuar më pas në vendet e tyre të punës.

Sipas kësaj skeme të financuar nga BE, 15 nëpunës civilë të administratës publike qendrore do të dërgohen në një program 4 mujor trajnimi në Francë, Luksemburg dhe Bruksel. Procesi përzgjedhës është kryer në përputhje me standardet e dakordësuara paraprakisht midis partnerëve zbatues, duke marrë në konsideratë eksperienca të ngjashme të zbatuara më parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura