Adi Hila trajton fenomenin e fëmijëve-nëna në një këngë

Dec 23, 2018 | 9:43
SHPËRNDAJE

Për vajzat që janë bërë nëna në moshë të vogël, vite përpara se të arrijnë të 18-t, është shkruar në kohë të ndryshme, mirëpo fenomeni nuk ka ardhur ndonjëherë si pjesë e një festivali. I lënë për disa vite në heshtje dhe jo sepse ka përfunduar së ekzistuari, ato që quhen nëna-fëmijë kanë qenë këtë herë në vëmendjen e kompozitorit Adrian Hila.

download (1)

Kënga “Leyla”, pjesë e Festivalit të 57-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, me muzikë dhe tekst të Hilës, është kënduar nga Marko Strazimiri dhe Imbro. Është historia e një vajze, vetëm 14 vjeç, që bëhet nënë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, janë dy milionë vajza nën moshën 15-vjeçare, që çdo vit sjellin në jetë fëmijë, të njohura ndryshe edhe si fëmijët që sjellin në jetë fëmijë. Ka zgjedhur vokalin e një 16-vjeçari, Marko Strazimirit, të cilin e njeh që nga koha kur i riu këndonte në spektaklin e talenteve të rinj, “Gjeniu i vogël”, duke e kombinuar me timbrin e veçantë të këngëtarit 23-vjeçar, Imbros, që u fal notave të qeta të baladës, motive etnike. Në natën e dytë të Festivalit, emocionet që përcolli kjo këngë u bënë edhe më të forta prej pranisë së këngëtares Aurela Gaçe, fuqia e zërit të së cilës e rriti peshën e këngës.

sddefault

“Fabula e këngës është marrë nga një fenomen, i cili ka ndodhur dhe vijon të ndodhë. Prek jo vetëm moshën time, por edhe familjet e vajzave që mbesin shtatzëna në moshë të vogël”, ka thënë Strazimiri. Kënga në Festivalin e dhjetorit sjell për herë të parë në një këngë shqip kalimin e menjëhershëm -e jo pak traumatik -nga fëmijëria drejt amësisë. Ndryshimet e menjëhershme, shpesh edhe të padëshiruara, ndryshojnë jo vetëm jetët e vajzave shtatzëna, por edhe të familjeve të tyre. Me pasoja ndonjëherë edhe tragjike, për shoqëri patriarkale si e jona.

Ato vajza adoleshente, mes 15 deri 19 vjeç, jo aq të bindura sa Leyla e këngës për ta çuar deri në fund shtatzëninë, u nënshtrohen shpesh aborteve të pasigurta. Në botë janë tri milionë të tilla. Ndërsa në Shqipëri, një në njëzet aborte, kryhet te një vajzë adoleshente, që jo gjithnjë janë nga zonat rurale, por jetojnë në zonat urbane, si Tirana.

48392882_2188621074516651_27204211183714304_n

Pak më në juglindje të vendit, në Korçë, brenda dhjetë muajve, pak më shumë sesa koha që duhet për të sjellë në jetë një fëmijë, ishin trembëdhjetë vajza që lanë përgjithnjë lojërat për t’u bërë nëna, përpara se të mbushnin 18 vjeç. Edhe për braktisjen e foshnjave të porsalindura nga nënat, mjekët shohin si një prej shkaqeve kryesore, bashkë me kushtet e këqija ekonomike, lindjet në moshë të hershme. Për vitin e kaluar, vetëm në një prej materniteteve të Tiranës, ishin njëzet foshnja të braktisura. Kompozitori Adrian Hila ka dashur të bëjë një këngë për të gjitha ato vajza që për një apo dhjetëra arsye janë gjendur e vazhdojnë në vend të “Leylës”, duke zgjedhur një emër që i kalon kufijtë shqiptarë.

Teksti i këngës ‘Leyla’

Leyla do ta veshë si kukull
Do mbajë taka për t’u dukur
Katërmbëdhjetë ajo pa faj
Ajo do ta mbajë
I la shoqet Leyla
Për ninulla Leyla
Do të rritet Leyla
Bashkë me foshnjën Leyla
Zemra rreh për zemrën
Leyla
Ëndërr dashurie Leyla
Nina-nana Leyla
Kënga jote Leyla
Pa petale nëpër flokë
Fjalë që hidhen e shkel në
tokë
Si një pemë gjethen do
mbajë
Leyla s’ka më kohë të qajë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura