Adhurimi për armët si tipar i veçantë i kulturës amerikane

May 28, 2022 | 10:10
SHPËRNDAJE

Ernest-Nasto

DR. ERNEST NASTO

Ngjarja e fundit tragjike në një shkollë fillore në Uvalde të Texas-it, ku një i  ri masakroi 19 fëmijë e 2 mësues, nxori përsëri në plan të parë marrëdhënien e ndërlikuar të shoqërisë amerikane me armët e zjarrit. Pasioni për to, ose ajo që quhet shpesh edhe ‘kultura e armës’ (gun culture) është ndër ato tipare të jetës amerikane, të cilat janë disi të vështira për t’u kuptuar nga europianët. Koncepti i armatosjes së qytetarëve për vetëmbrojtje s’është specifikisht amerikan, sepse ka qenë trajtuar në mendimin politik perëndimor qysh nga Mesjeta, mirëpo zhvillimi i tij në Shtetet e Bashkuara ishte i ndryshëm nga ai i vendeve të tjera perëndimore. Prandaj sot mund të thuhet se ky aspekt i shoqërisë amerikane është qartësisht i dallueshëm në krahasim me simotrat e saj europiane, Kanadanë etj. Përveçse element qendror i kulturës së përgjithshme, ai është përbërës kryesor i veçanësisë apo eksepsionalizmit amerikan, i domosdoshëm për të kuptuar drejt historinë dhe rrugëtimin e atij vendi.

Kultura në fjalë buron nga kombinimi i disa faktorëve të pranishëm qysh në fillimet e kolonizimit të kontinentit të ri në shekullin XVII, që konsolidohen pastaj në periudhën e themelimit të SHBA në shekullin XVIII, dhe vijojnë më tutje deri në ditët e sotme.

Kështu një faktor i tillë ishte mendësia e kushtëzuar nga fakti që kolonët dhe emigrantët ndodheshin përballë së panjohurës, një hapësire të pamatë e të paeksploruar, të mbushur me gjithfarëlloj rreziqesh ekzistenciale. Zhvendosja drejt perëndimit shihej si shtyrje e vazhdueshme e kufirit ndërmjet qytetërimit dhe egërsisë, dhe kjo “mendësi kufitare” (frontier mentality) kishte doemos armën si mjetin parësor të mbijetesës. E përmbledhur në shprehjen “unë, Zoti dhe pushka ime” ajo ndikoi fort në afeksionin për armët gjatë tërë historisë amerikane.

Një faktor tjetër ishte besimi absolut i amerikanëve te liria e individit, tek aftësitë personale, te zgjidhja e problemeve në nivel lokal, që ka sjellë detyrimisht edhe antipatinë e tyre tradicionale ndaj rolit të qeverisë, d.m.th., shtetit, në rregullimin e punëve të vendit. Pushka konsiderohej garantuesja e asaj lirie, dhe në amerikën koloniale funksioni i mbrojtjes kryhej nga milicitë lokale, si një formë e hershme e qytetarit ushtar. Roli i tyre u duk qartë gjatë revolucionit amerikan 1776-1783: ato ishin njësitë e para që filluan rezistencën e armatosur kundër ushtrisë mbretërore britanike, pavarësisht se barra e luftës kaloi pastaj mbi Ushtrinë e rregullt Kontinentale të Shteteve të Bashkuara.

Revolucioni amerikan u dallua ndër revolucionet e epokës moderne edhe në një drejtim tjetër madhor, sepse mbetet e vetmja revoltë madhore e dhunshme që pati një përfundim kryesisht pozitiv (për krahasim do të mjaftonin katastrofat njerëzore që pasuan revolucionin francez të 1789 dhe atë rus të1917). Ky sukses nxiti idealizimin e rolit të milicive të lartpërmendura, dhe iluzionin se ato mund të mposhtin një ushtri të rregullt profesionale, megjithëse kjo s’ndodhi gjatë revolucionit amerikan, sepse lufta u fitua në fund të fundit nga Ushtria Kontinentale dhe aleatët e saj francezë. Aq më pak ka gjasa që një fitore e tillë të arrihet sot, në rast të një përplasjeje, e theksojmë, aspak të afërmendshme, ndërmjet qytetarëve të armatosur dhe ushtrisë federale amerikane. Por në mendësinë amerikane, sidomos në zonat rurale, kjo s’e zvogëlon aspak idealizimin që thamë.

Roli i revolucionit në pasionin amerikan për armën del edhe nga krahasimi i Amerikës me zotërimet e tjera të mëdha britanike, si Kanadaja e Australia. Edhe te këto të fundit, mendësia kufitare ishte gjithashtu e fortë, por në dallim nga Shtetet e Bashkuara, ato u shkëputën nga perandoria në mënyrë paqësore, duke mos njohur kështu idealizimin e armës e të qytetarit të armatosur.

Pas fitores së pavarësisë marrëdhënia speciale me armën u sanksionua në Kushtetutën e vitit 1787, e cila i jep qeverisë federale kompetenca të kufizuara, që ajo të mos kthehet në tirani. Frika nga kjo e fundit çoi në përfshirjen në Kushtetutë të Amendamentit të Dytë, i cili rregullon të drejtën e armëmbajtjes. Atje thuhet se “një milici e rregulluar mirë është e nevojshme për sigurinë e një shteti të lirë, [prandaj] e drejta e njerëzve për të mbajtur armë nuk mund të shkelet”.

Më vonë, shtyrja e kufirit drejt Perëndimit vazhdoi, e shoqëruar me idealizimin e figurës së eksploratorit guximtar me pushkë ngjeshur, ndërsa kinematografia popullarizoi së tepërmi ato të sherifit e të kaubojsit, të cilëve problemet ua zgjidh kurdoherë pushka. Paralelisht me çka thamë më lart për rolin e revoltës së dhunshme fitimtare, Kanadaja e Australia s’njohën prodhim në masë të filmave të kësaj teme.

Shkak i përhapjes masive të armëve janë edhe shpenzimet kolosale të lobingut nga prodhuesit e tyre, të rritura me hapa gjigantë krahas politizimit të vazhdueshëm të çështjes së rregullimit ligjor të armëmbajtjes. Ky politizim ka përfshirë edhe organizatën më të madhe të armëmbajtësve, NRA (National Rifle Association), e cila prej viteve ‘70 është kthyer praktikisht në një instrument të fuqishëm lobimi nga prodhuesit, e angazhuar për heqjen e pothuaj çdo kufizimi ndaj përdorimit të armëve. Në materialet e saj të shumta dhe në praninë masive në media ajo thekson vetëm idenë se armatosja gjer në dhëmbë është mënyra optimale për t’u mbrojtur nga krimi. Në kundërshtim me njërin nga qëllimet e saj fillestare, mbrojtjen e rendit në raste trazirash e rebelimesh, organizata në fjalë i mëshon fort idesë se qeveria përbën kërcënim e rrezik të përhershëm për qytetarët, prandaj ata duhet të jenë të përgatitur në çdo moment t’i rezistojnë e ta luftojnë atë. Nga kjo retorikë, dhe nga pakënaqësia ndaj rritjes së numrit të imigrantëve me ngjyrë, shitja e armëve arriti nivele të papara pas zgjedhjes së Barak Obamës President më 2008, sepse masa të konsiderueshme individësh mendonin se një President zezak do të niste detyrimisht luftën mes racave.

Më së fundi, një faktor po aq i rëndësishëm, dhe specifikisht amerikan, është edhe përkrahja e qëndrimeve të NRA nga ana e grupimit të madh politiko-religjioz të njohur si e Djathta Fetare (Religious Right). Organizatat e këtij grupimi shprehen kundër çdo kontrolli mbi armët, duke adoptuar pozicione që zor se dallohen nga ato të NRA. Kështu ndjekësit e tyre, të cilët e konsiderojnë veten besimtarë kristianë, përmendin në mënyrë konsistente “mbrojtjen nga kërcënimet e qeverisë” si motivacionin kryesor për të mbajtur armë. Prandaj dyshimi dhe armiqësia ndaj autoritetit shtetëror janë vazhdimisht në rritje, duke shkaktuar tronditje të thella në bazën morale të shoqërisë amerikane, siç tregohet edhe nga fakti që pasuesit e së Djathtës Fetare votuan gati si bllok më 2016 e më 2020 për kandidatin/presidentin tërësisht jo-konvencional, Donald Trump. Ai mori 75-80 për qind të votave të tyre dhe mbrojtja e së drejtës për të mbajtur armë ishte ndër arsyet kryesore për këtë përkrahje masive, pavarësisht se në kundërshtim me normat më elementare të moralit kristian. Kjo dëshmon se edhe në këtë drejtim kultura merr përparësi dhe i mbivendoset besimit.

Si përfundim mund të themi se është pikërisht kombinimi i faktorëve të lartpërmendur që ka kushtëzuar kulturën e veçantë amerikane të armës. Edhe vende të tjera perëndimore si, p.sh. Zvicra, kanë nivele të larta të armatosjes së popullsisë, por atje armët shihen në funksion të së mirës së përgjithshme të mbrojtjes së vendit e jo si shprehje të identitetit individual për të kundërshtuar autoritetin publik. Shembulli i tyre mundet vërtet të shërbejë për amerikanët si metodë e arritjes së kompromisit nëse synohet të ulet tensioni në këtë aspekt të rëndësishëm të jetës publike.

*Studiues i politikës amerikane, Chicago

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura