Adelina Muça: Në dy muaj humba 15 kg dhe mësova të këndoj

May 31, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Asnjërit prej të pranishmëve në sallë nuk mund t’u shkojë në mendje se njëri prej aktorëve, pikërisht, ndërsa po e shohin në skenë, nëpër ato sekonda që i lejon dalja nga roli, është duke menduar për një njeri të dashur. Mona e shfaqjes së Pirandello-s “Sonte do të luajmë pa tekst”, me regji të Driada Dervishit, pikërisht kur i duhej të ngjitej në skenë, në një nga ditët e para të shfaqjes, humbi gjyshen.

 

Adelina Muça në rolin e Monës
Adelina Muça në rolin e Monës

E rritur prej saj, nuk mund të harrohej krejt e të tjetërsohej e gjitha në Monë. Të paktën jo në pjesën e parë, kur personazhi i saj nuk ishte shumë i përfshirë. Në pjesën e fundit, kur skena ishte e gjitha e saj, u ‘burgos’ aty ku në fakt gjendej prej pesë vitesh, bashkë me 2 fëmijët e saj, për të pritur dhunimin e radhës prej të shoqit. Për aktoren Adelina Muça, ky ishte roli i parë me kaq përgjegjësi në Teatrin Kombëtar.

Për minuta të tëra të gjata duhet ta mbajë publikun vetëm, të shfaqet e të fshihet mes cohave të tablove të Magritte. Por, ajo çka parashikoi si më të vështirën nuk ishte pjesa e fundit; ariet që duhet të këndonte, në fillim e frikësuan. Nuk besonte se me punë, mund ta kapërcente edhe këtë…

Ç’marrëdhënie keni pasur me këngën?

Asnjë marrëdhënie, kurrë! Edhe mes miqsh hezitoja të këndoja sepse më dukej se po stonoja, por edhe të tjerët vazhdimisht më dekurajonin kur më dëgjonin. Kur Driada më tha se do të këndoja arie, i thashë se kjo ishte e pamundur. Është një gjë të të pëlqejë opera dhe një tjetër të jesh në gjendje ta këndosh. Nuk besoja se do të isha në gjendje ta përcillja.

Duhet të punonit për këtë, të merrnit mësime?

Po, patjetër, kam punuar 2 muaj me Sokol Hidershan. Edhe pse zëri mund të jetë aty, duhen teknikat e duhura. Koli më tha se po të vazhdoja të merrja leksione, mund të bëhesha shumë e mirë në pjesët lirike. Vështirësia qëndronte në mënyrën që duhet për të kënduar një arie.

Duhet të kesh njohuri të mjaftueshme, gjë që unë nuk e kisha. Kjo ishte mjaft impenjative për t’u realizuar. Çdo ditë në orën 9 punoja me kanton, më vonë me tekstin, në drekë sërish me kanton. Më vonë merreshim me lëvizjet, sado që Mona nuk kishte dhe aq shumë.

 

Sekuencë e shfaqjes me aktorin Dritan Boriçi
Sekuencë e shfaqjes me aktorin Dritan Boriçi

A ju kompleksonte pjesa e të kënduarit?

Vazhdon të më kompleksojë, sepse më duket sikur do të harroj pjesën e Monës. Vras mendjen se si do të më dalë zëri, si do të jem me notat. Ndërkohë që të tjerët më qetësojnë sepse më thonë je në rregull.

Nga aq sa ju kemi parë deri sot nëpër role, mund të thuhet se ky është më përfaqësuesi…

Është një gjë krejt e ndryshme nga ato që kam bërë më parë. Në përgjithësi unë kam qenë e fokusuar te komedia, prandaj kjo pjesë ka shumë ndryshim.

Adelina Muça
Adelina Muça

Te komedia sepse ashtu ka qëlluar, apo sepse e keni kërkuar?

 

Ka qëlluar ashtu. Kur kam qenë në shkollë, kam ndier dramën më të afërt, por rrugës gjërat ndryshuan.

Pse, çfarë ndodhi?

Rrugës ndodhi ajo që ende e konsideroj si problematikë të teatrit shqiptar.

Që është?…

Që ne ende punojmë për publikun. Pra, publiku është mësuar të shohë vetëm komedi dhe ndonjëherë regjisorët të japin atë që kërkohet prej tij. Po të sjellim ndërmend edhe kushtet, sepse të vësh dramë do kushte, atëherë komedia bëhet më e shpeshtë sepse aty të paktën mund të ketë mbulime përmes tekstit apo lojës së aktorëve, ndërsa drama do përkushtim më të madh, aktorë më të mirë.

Pra, kjo është hera e parë që ju po bëni gjënë që kishit dashur që në fillim?

Gjatë gjithë kësaj rruge e kam provuar dramën, por jo në përmasat e tanishme dhe jo në Shqipëri, por në Itali. Aty m’u duk se preka deri aty ku duhej dhe i thashë vetes stop, tani kthehu!

Kthehu te komedia apo kthehu në Shqipëri?

Kthehu në Shqipëri, sepse arrita të merrja atë që mendova unë se kisha nevojë të merrja. Këtu, nuk është se kam pasur shumë mundësi sepse ndonjëherë është edhe çështje fati. Kur u ktheva, fillova të punoja në 2008 në Teatrin e “Metropolit” dhe atje, duke qenë se isha drejtoreshë artistike, e kisha pak të vështirë të merrja role, edhe nëse më ofroheshin.

Doja të isha korrekte në këtë pikë, të qëndroja larg çdo thashethemi dhe kështu i kam hequr të drejtën vetes. Nga “Metropoli”, rastësia më çoi në Teatrin e Durrësit, ku jam prej katër vitesh. Pjesa më e madhe e përvojave të atjeshme ka qenë në komedi.

Nga ajo që keni dashur e keni menduar më parë, dhe deri sot, në konkretizim, si është ndryshimi, vështirësia?

Regjisorja Driada, duke qenë se ka katër vite që punon me mua, më njeh mirë edhe si njeri, përtej profesionit dhe ka krijuar një lloj besimi që më vë në siklet, por edhe më rrit përgjegjësitë. Përpiqem të mos ngatërroj miqësinë me punën. E besoi tek unë këtë rol sepse thoshte që shihte mënyrën se si funksionoja në jetën e përditshme, ndjeshmërinë që kam.

Ka qenë një vepër që kishte ndërmend ta vinte në Teatrin e Durrësit. Më vonë e prezantoi në Teatrin Kombëtar dhe u aprovua. Ishte vështirë sepse kemi dy muaj që punojmë çdo ditë. Më vuri detyrë që të humbisja peshë; kam humbur rreth 15 kg për dy muaj. Një vullnet që nuk e besoja se do ta kisha. Sado që Driada kishte kohë që më thoshte të dobësohesha, unë në dy muajt e fundit e realizova.

Kam bërë një dietë shumë të fortë falë edhe mikeshës sime, Gentës, që më ka monitoruar në çdo kohë. Por nuk mbaron me kaq, kisha edhe sfidën tjetër, këngën, siç ju thashë.

Edhe të gjendjes psikologjike të Monës…

E lashë në fund si më të vështirën, sepse Mona është personazh shumë kompleks. Është e vështirë edhe ta kuptosh aktorin në këtë lloj roli. Po ta shohësh, në pjesën më të madhe të shfaqjes, Mona nuk ka shumë aktivitet dhe s’ka dalje të shpeshta nga rolet. Mona dhe aktorja duhet të jenë në të njëjtat ujëra dhe evidentimi nga aktor në personazh, është më i vështirë.

Unë nuk duhet të shkoj deri te vetja ime. Vështirësia tjetër është që duhet të jesh në shërbim të së tërës në çdo moment dhe për t’ia arritur do të përqendrim të jashtëzakonshëm. Ti duhet të futesh në një gjendje për pesë minuta, të mendosh që ke 5 vite e izoluar, ke dy fëmijë që janë si ty të izoluar, ke një bashkëshort që të dhunon sistematikisht.

Pra, edhe një fletë të lëvizë, humbet fillin. Nëse s’perceptoj gjithçka, nuk mund të shkoj deri në fund. Nuk mund të bësh asgjë me sikur, duhet të përjetosh gjithçka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura