“Abuzimi me tokën shtet, po përfitojnë ata që s’kanë tapi”

Aug 12, 2017 | 8:32
SHPËRNDAJE

Edhe më shumë shqetësuese paraqitet situata me Hipotekën. Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka kursyer as këtë institucion duke i renditur të gjitha problematikat, nga të cilat “ka bashkëjetuar” në 4 vitet e shkuara, duke përfshirë edhe 6 mujorin e parë të këtij viti, ku situata sërish paraqitet gri sa i takon dëmit ekonomik.

Legalizimet

Mbi 10 milionë lekë është fatura e humbjes vetëm në 2017. Ndërkohë që në total, “gropa” e shkaktuar nga ZRPP-të kap vlerën e 1.3 miliardë lekëve.

PROBLEMATIKAT

KLSH ngre shqetësimin se sipërfaqet shtetërore po përdoren nga individë që nuk kanë tituj pronësie. Kjo për vet faktin se Hipoteka nuk ka bërë bilancin e listave, duke mos veçuar të regjistruar “Shtet” sipërfaqen tepër mbi normë të ndarë me ligjin 7501.

“Këto veprime kanë sjellë si pasojë përfitimin e padrejtë të pasurisë-shtet nga individët pa titull pronësie, kryerja e transaksioneve dhe tjetërsimi i saj, duke sjellë të ardhura të munguara dhe dëm ekonomik për buxhetin e shtetit”, thuhet në raport.

Problematike paraqitet situata edhe me regjistrimin e pasurive, të cilat në jo pak raste janë bërë me ndryshime të zërave kadastral pa dokumentacionin përkatës. Po ashtu, nga ZVRPP-t janë pranuar e regjistruar leje ndërtimi objektesh mbi truall shtetëror, me mangësi në dosje. Për të mos folur më tej për regjistrimin e tokës bujqësore të ndarë me 7501, që jo në pak raste ka çuar në dyert e gjykatës shumë familje, për shkak se e njëjta pasuri është regjistruar më shumë se një herë.

Pra, ka munguar bashkëpunimi dhe koordinimi mes institucioneve përgjegjëse. Kësaj tabloje nuk mund t’i mungonin vonesat.

“Zvarritjet e praktikave në proces janë evidente në të gjitha zyrat e regjistrimit, përmendin këtu auditimet e kryera në ZVRPP Tiranë, Kukës, Dibër, Gjirokastër, ku janë konstatuar praktika të papërfunduara që prej 5 vitesh pa dhënë shërbimin e faturua”, theksohet në raportin e KLSH-së.

LEJET

Pak ditë më parë, Hipoteka u vu në shënjestër për lejet e legalizimit ende të paregjistruara. Nuk ishin të pakta, por 28 mijë të tilla që qëndronin sirtarëve dhe familjet nuk ishin pajisur me tapi.

ADA HAZIZOLLI/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura