Abuzimi me licencimet, si futbolli shqiptar humbi 500 milionë lekë nga gabimet e FSHF-së

Nov 24, 2021 | 23:36
SHPËRNDAJE

Licencimi i klubeve shqiptare në Kupat e Europës ka qenë një gangrenë në vitet e fundit, pasi shumica e tyre nuk plotësojnë kriterin financiar të vendosur nga UEFA për të marrë pjesë në kompeticione si Liga e Kampioneve dhe Liga e Konferencës. Borxhet e shumta që kanë klubet e elitës kanë vendosur në një siklet të madh FSHF-në, që në fund mban përgjegjësi për dhënien e licencës.

tirana makabi

Në vitin 2018, institucioni i futbollit mori një goditje të fortë nga UEFA pas një investigimi që kjo e fundit i kishte bërë dokumentacionit të klubeve shqiptare që u licencuan për të marrë pjesë në Europë pas përfundimit të sezonit 2017- 2018. Enkas për Komisionin e Licencimit UEFA vendos në dispozicion një shumë prej 160 mijë eurosh, në mënyrë që FSHF-ja të kryejë sa më mirë procesin.

Madje, rasti ku FSHF-ja ka gabuar rëndë është ai me Tiranën në sezonin kur kjo e fundit zbriti nga kategoria dhe njëkohësisht fitoi Kupën e Shqipërisë dhe mori pjesë në turin e parë të Ligës së Europës. FSHF-ja i dha licencën Tiranës, në një kohë që kishte borxhe të shumta ndaj palëve të treta dhe mbi të gjitha ndaj Tatimeve. Pas një hetimi të thelluar, UEFA dënoi FSHF-në me mosdhënien e 160 mijë eurove dhe nga ana tjetër i mbajti shifrën prej 215 mijë eurosh klubit të Tiranës si shpërblim që jepej për pjesëmarrjen në turin e parë të Ligës së Europës në vitin 2017. Në atë kohë, institucionit të futbollit shqiptar iu hoq e drejta e licencimit të klubeve për një edicion.

vendimi

Miratimi i një licence që nuk duhej dhënë për Tiranën i bëri një dëm prej rreth 500 milionë lekë të vjetër futbollit shqiptar katër vite më parë. Në përfundim të sezonit 2016-2017, në vend të Tiranës që nuk plotësonte kriterin financiar, pjesëmarrja në Europë i takonte klubit të Luftëtarit, që e mbylli i katërti kampionatin në atë sezon. “Licencuesit iu bë e ditur nga organi hetimor se procedurat e tij të vlerësimit nuk ishin plotësisht në linjë me rregulloret e Licencimit të Klubeve dhe ‘Fair Play Financiar’. Në mënyrë më specifike, licencuesit iu kërkua që të implementonte një listë me veprime specifike korrektuese në lidhje me vlerësimin e detyrimeve të vonuara të klubeve ndaj punonjësve dhe organeve tatimore”, citohej në atë kohë në faqen zyrtare të UEFA-s.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura