Absurdi te Juventusi, shifrat tregojnë se mesfusha e vërtetë është… mbrojtja

Nov 5, 2021 | 18:06
SHPËRNDAJE

Një mesfushë që ndërton pak dhe një mbrojtje që luan më shumë topa dhe mbi të gjitha krijon më shumë raste për shënim. Është kjo fotografia e kampionatit të Juventusit, të paktën duke u bazuar në të dhënat e “OPTA”-s, e cila ka vendosur të bëjë krahasimin mes dy reparteve të skuadrës së Masimiliano Alegrit.

alegri bonuci

Teksa më poshtë analizohen dhe zbardhen të gjitha shifrat e deritanishme, ajo që konfirmohet është fakti se shtylla kurrizore, këtij formacioni aktual i mungon ende, të paktën kur bëhet fjalë për 11 ndeshjet në Serinë A, ndonëse në Champions duket një rrymë krejt tjetër, siç tregojnë edhe 4 fitoret radhazi në grup, por në të njëjtën kohë edhe fakti se ndaj Zenitit (sukses 4-2), Juventusi fitoi për herë të parë në këtë sezon, me dy gola avantazh, pas një loje shumë ofensive dhe me momente brilante, të cilat ndoshta japin shpresë për të ardhmen.

FANTAZISTI BONUÇI – Numrat e deritanishëm të grumbulluar në Serinë A flasin qartë dhe dëshmojnë cilësinë e mbrojtjes në fazën e pasimeve të sakta dhe ndërtimit të lojës, si askush tjetër ndoshta, por mbi të gjitha aftësinë e dobët në fazën e impostimit nga ana e mesfushës. Prapavija bardhezi numëron pas 11 ndeshjesh në Serinë A 9 goditje në kuadratin e portës rivale dhe ndërtimin e 45 rasteve për gol, përveçse 3 realizime (me Kuadradon kundër Udinezes, De Ligtin ndaj Specias dhe Bonuçin kundër Sampdorias). Gjithsesi, të dhënat që stonojnë më shumë në krahasimin mes mbrojtjes e mesfushës janë ato për ndërtimin e lojës: Prapavija e Juves ka luajtur 3554 topa, kundër 1763 të mesfushës…

Dhe akoma më shumë 2739 pasime në destinacion dhe 391 pasime të gjata nga mbrojtja kundër 1300 pasimeve të sakta dhe 108 pasimeve të gjata nga ana e mesfushës. Në numrat e mësipërm, specialisti i organizimit dhe i saktësisë në veprimet e tij është Leonardo Bonuçi dhe jo vetëm i Juventusit, por i të gjithë Serisë A. Numri 19 bardhezi numëron 129 pasime të sakta dhe 724 topa të luajtur. Në të njëjtën kohë, Bonuçi është edhe futbollisti më i përdorur nga trajneri Alegri, me 900 minuta të grumbulluara, të ndara në 10 prezenca në kampionat. Sa minuta ka luajtur i vetëm Leonardo kanë grumbulluar së bashku Aleks Sandro e Danilo, të cilët janë edhe dy lojtarët e Juves që shkaktojnë më shumë faulle se kushdo tjetër (11 secili), prapa Kuadrados, i cili numëron 12 faulle të shkaktuara, por njëkohësisht edhe 16 raste për gol, me kolumbianin që me këto shifra konfirmon edhe rëndësinë e tij për formacionin bardhezi.

SULMI, MBROJTJA MË E MIRË – Nëse analizojmë vetëm ndeshjen e fundit të Serisë A dhe duke analizuar lojtarët e zbritur në fushë, rekordin e pasimeve të sakta e pati Danilo, me 71 në destinacion, me Kielinin që ra në sy për 9 pasime të gjata të sakta dhe fitimin e 5 dueleve ajrore, nga 7 tentativa. “King Kongu” fitoi gjithashtu edhe primatin e aksioneve të rrezikshme të ndërprera (3), Danilo ishte ai që rikuperoi më shumë topa (3), ndërsa Aleks Sandro dërgoi 3 krosime të sakta në zonë. Po mesfusha? Numrat për të cilat ra në sy reparti ishin 6 faullet e fituara nga Artur (më i keqtrajtuari nga rivalët) si dhe dy duelet fizike të humbura nga Rabio. Fatmirësisht, për t’i shpëtuar fytyrën mesfushës mendoi MeKeni, i cili me dy goditje në kuadrat dhe mbi të gjitha golin e shënuar, ndonëse ndaj Sasuolos vlejti thjesht për statistikë, duke qenë se në fund Juventusi humbi 2-1 në “Allianz Stadium”.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura