“Abortova dy herë se më rrihte përditë, si e vrava vjehrrën me vaj të nxehtë në vesh”

Mar 9, 2016 | 7:20
SHPËRNDAJE

“Janë 10 histori jete, 10 histori mëkati, 10 vrasje që mund të mos kishin ndodhur, që mund të ishin ndaluar”. “Unë kam vrarë”.

Eni Vasili/ Xhemile Skuka
Eni Vasili/ Xhemile Skuka

Me këtë pohim tronditës, gazetarja Eni Vasili ka titulluar librin e saj, botuar nga “UET Press”, në kolanën “Scripta imanent”, paraprirë nga një parathënie e shkruar nga Ismail Kadare. Është përmbledhja e 10 intervistave të realizuara me gra që kanë kryer krimin e vrasjes dhe po e vuajnë atë.

Histori që nuk zbulojnë vetëm fatet e viktimave dhe autorëve të krimeve, por që na tregojnë se sa dhunë, injorancë, mbyllje, mungesë komunikimi, mentalitet arkaik fshihet në shoqërinë shqiptare, se sa të sëmura mund të jenë ato familje të ashtuquajtura “të forta” apo “parimore”.

“Rrëfimet janë ndërtuar në formën e intervistave, jo pa qëllim. Ajo që libri merr përsipër të tregojë janë të vërtetat e të dënuarave, ngjarjet sipas tyre, përjetimet dhe interpretimet e këtyre grave në vetë të parë, pa pretenduar aspak që ato që tregojnë të jenë të vërtetat absolute. Rrëfimet shoqërohen, gjithashtu, me një përmbledhje të arsyetimit dhe të vendimit të gjykatave, për t’i dhënë lexuesit gjithë instrumentet, që të mund t’i gjykojë këto histori, po edhe për të zgjedhur të vërtetën, që mund të besojë”, shprehet autorja, në hyrje të librit të saj.

Në faqet e këtij libri mund të lexosh historitë e Dallëndyshe Kasajt, Xhemile Skukës, Orjola Lleshit, Hatixhe Ahmetit, Adriana Kolamit, Fatbardha Gjonit, Lule Doçit dhe më të bujshmes Nazime Visha, që bëri bashkë Kadarenë, Agollin e intelektualë të tjerë, në një kërkesë për faljen e saj.

Ndër to kemi shkëputur historinë e Xhemile Skukës, e cila vuan dënimin për vrasjen e vjehrrës, në bashkëpunim me kunatën. Xhemilja, e rritur në një familje me probleme të mëdha ekonomike, e martuar pa shkuar 15 vjeçe, me dy aborte për shkak të dhunës dhe tre fëmijë, një ditë troket në dyert e komisariatit të Policisë: kishte vrarë një njeri…

HISTORIA E XHEMILE SKUKËS

Xhemile Skuka, e ditëlindjes 02.10.1988, lindur në Kandërr, Dibër dhe banuese në Hotesh, Skukë, Dibër. Dënuar nga gjykata e Dibrës si fajtore për veprën penale të “Vrasjes me dashje kryer në bashkëpunim”, me 10 vite e tetë muaj burg.

Vendimi u mor në mars 2014. Sipas vendimit të gjykatës, Xhemilja, në bashkëpunim me kunatën, Hike Skuka, ka vrarë në ahurin e shtëpisë së përbashkët vjehrrën Naime Skuka, në shkurt të vitit 2013.

Xhemile Skuka para gjykatës ka pranuar krimin, duke rrëfyer si shkak dhunën fizike dhe psikologjike që e vjehrra i kishte shkaktuar, sipas saj, atë mëngjes, sikundër për vite me radhë, që nga koha e martesës me djalin e viktimës, E.S.

Xhemile Skuka është sot 27 vjeçe dhe ka tre fëmijë të mitur, dy vajza dhe një djalë. Që nga dorëzimi në polici, përpara tri vitesh, nuk i ka parë më fëmijët e saj dhe nuk ka asnjë lajm prej tyre. E veshur me kostum sportiv dhe me një kapelë në kokë, Xhemilen e takova në parukerinë e burgut 325.

Një ditë me shi pas kontrollit të hollësishëm që kryeja çdo herë që hyja në regjim. Kështu quhet vendi ku rrinë të dënuarat.

Si u martove pastaj, më trego…

Pas një jave kanë ardhur direkt krushqit. Ku është shtëpia e filanit? – kanë pyetë. Binte shi atë ditë, si sot e mbaj mend. Derën e hapa unë dhe i ftova brenda, nuk e dija kush ishin dhe ata nuk dinin çfarë kishte ndodhur. Kur bëmë të 40-at e babit, ata erdhën prapë.

Ti pranove të fejoheshe, të pëlqeu ai?

Ai? Nuk e kam pa kurrë, me synin si mashkull.

Po si e ke parë?

Unë tek ai më tepër kam dash me gjetë mbështetje, nuk e kam parë për bukuri, në atë kohë kisha shumë nevojë për mbështetje.

Dhe të mbrojti ai?

Nuk më mbrojti kurrë… Kam qëndruar një vit e fejuar, thosha të kem dikë që të më dojë, nuk desha asgjë tjetër, s’më ka interesuar pasuria kurrë, as sot.

Pas martese shkove të jetosh në fshatin ku ishte shtëpia e tij?

Po, vajta në Hotesh.

Kush jetonte në atë shtëpi?

Në atë kohë ishim me kunatën, me kunatin me tre fëmijë, unë dhe vjehrra. Babën nuk e kishte.

Ti thua se e doje, po përse nuk ishe e lumtur?

Ai nuk më ka dashur kurrë, përderisa arriti që edhe e motra e tij të më rrihte.

Jetonte edhe e motra në atë shtëpi?

Jo, por vinte dhe rrinte shpesh aty. Më rrihnin shumë.

Kjo ndodhte kur burri yt ishte në emigracion, apo dhe kur ishte në shtëpi?

Kudo që të ishte, por ai më shumë rrinte në emigracion.

Pra, ti u martove dhe burrin nuk e kishe në shtëpi?

Po, 2-3 muaj pas martese iku në Greqi, vinte, rrinte një ditë e ikte prapë. Sa herë që vinte, më rrihte, jo ndonjë pëllëmbë, por të rrahura të forta. Unë punoja, tërë shtëpinë e mbaja. Unë, punët jashtë, me bagëti, me toka, të gjitha unë.

Cila ishte arsyeja, përse të rrihte?

E kishte si tekë.

Sa fëmijë ke ti?

Tre kam tash. 7 e gjysmë vajza e madhe, 5 e gjysmë është e vogla dhe 3 e gjysmë është çuni. (qan). Burri im nuk ishte për familje, kohët e fundit mora vesh që bashkëjetonte me një tjetër në Greqi. U mërzita shumë. Nuk çaja dot, nuk gjeja dot një rrugë tjetër, kurrë nuk e merrja guximin të jetoja vetëm.

Doje që ta lije?

Që ta lija nuk e merrja dot guximin, kisha një mentalitet shumë të mykur. …..

Pas martese ngele menjëherë shtatzënë?

Po, ngela shtatzënë dhe ai iku në Greqi.

Kur ai u kthye, ti ishe me fëmijë?

Kur ai u kthye, më pati vdekë fëmija, kishte 3 muaj. Më ka vdekë djali i parë se më rrahën shumë keq. Isha në muajin tim, vjehrra nuk më besonte që isha sëmurë, kam ndenjur dy ditë dhe dy net për vdekje. Kur më çuan në spital, atje thanë nuk kemi çfarë t’i bëjmë, po i vdes fëmija në bark. E linda fëmijën, rrojti 6 ditë, pastaj vdiq.

Çfarë konfliktesh kishe me nënën e tij?

Ajo më torturonte shumë, unë kurrë nuk ia kam kthyer gjysmë fjale.

Për çfarë arsyeje të torturonte?

Kot. Nëse e bëja një gjë mirë, më rrihte, nëse e bëja keq, më rrihte. Pa arsye.

Kështu ishte përditë?

Përditë.

Nuk ndryshoi gjë fakti që u bëre me fëmijë?

Përkundrazi, kur u bëra me fëmijë, edhe pse i kisha kushtet, kisha qumështin, kisha kosin, unë mezi ia bëja fëmijës ushqimin që hante, me ujë dhe pa sheqer.

Përse?

Mbyllte gjithçka në çelës.

Po pse nuk ia tregoje burrit ti këtë?

Ia tregoja, por ai më rrihte, se nuk e besonte. E ëma ia tregonte ndryshe.

Po çfarë ndodhte, hynte në dhomë dhe të godiste?

Po, merrte një kabëll, e bënte në tresh e më godiste. E kam trupin gjithë shenja (i tregon).

Ti ua tregoje vëllezërve të tu këtë gjë?

Në fillim ua tregova, në 2006-n, pasi më pati vdekë djali, bëra dhe një abort tjetër.

Ai ishte në Greqi?

Po, dhe nuk më besoi, doktoresha ka shkuar dhe ka dëshmuar pasi rashë unë në burg, ka treguar, siç më kanë thënë, që një djalë i imi i ka vdekur në duar dhe arsyeja kjo ka qenë.

Cila ka qenë arsyeja?

Që më rrahën.

Kush?

Vjehrra ime. Unë punoja shumë dhe lodhesha, mbaja pesha të rënda, s’di si të t’i kallëzoj punët e fshatit. Nga pesha e rëndë kam ndenjur dy ditë sëmurë dhe s’më besonte kush. Kur më kanë çuar pas dy ditëve, e ka marrë doktoresha dhe ka thënë çfarë i keni bërë kësaj, i ka thënë që gati i keni mbytur fëmijën në bark, çfarë i keni bërë?

Po pse të rrahën?

Kot, moj kot, qejfi i asaj ishte që mua të më shihte me lot në sy, edhe kaq.

Pse i lejoje të të keqtrajtonin?

Po çfarë t’i bëja?

T’i denoncoje.

Nuk mundja, s’kam mundur kurrë… Nuk ngopesha me gjumë, nuk ngopesha me bukë. Por, në 2006-n kam bërë një denoncim. Sa erdhi nga Greqia, im shoq më rrahu pa asnjë arsye. E kam denoncuar, më këshilloi djali i dajës tim.

Denoncove vetëm burrin, apo edhe vjehrrën?

Burrin. Ai e njihte mirë nënën e tij, të kisha patur të paktën në krah tim shoq, thjesht një fjalë të mirë të më kish thënë, vetëm të më jepte kurajo, kaq doja. Do kisha duruar, por të dy nuk mund t’i përballoja dot.

Po vëllai dhe nusja tjetër, që ishit në një kulm, çfarë bënin?

Ata u ndanë herët nga familja. Kishin shtëpinë e tyre aty afër.

Si sillej me nusen tjetër?

Shumë keq edhe me atë, edhe në shtëpi të vet nuk e linte rehat.

Po pasi denoncove burrin, ndryshoi diçka?

E denoncova dhe e tërhoqa denoncimin.

Përse e tërhoqe?

E tërhoqa denoncimin, sepse në radhë të parë nuk pata mbështetje dhe pastaj e doja shumë. Me gjithë të këqijat që më bënte, prapë e doja. Erdhën për të më marrë te shtëpia e prindërve se unë ika, erdhi burri im, kunati, daja, njerëzit e tij. Unë pranova, nuk ishin dakord as xhajat, çunat e xhajës, as dajat, as vëllezërit e mi. Më thoshin mos shko, por e dija se në fshat, kur ndahesh nga burri, bëhet një bujë e madhe, nuk e doja këtë për familjen time, nuk doja t’u krijoja probleme. Dhe që nga 2006-a nuk u kam treguar më që më rrihnin apo që nuk më jepnin për të ngrënë. ….

Do të më tregosh tani se çfarë të ndodhi në vitin 2013, në ditën e vrasjes?

Në 2013-n? Kaq di me të thanë: se kur të vjen shpirti me dalë, thua shyqyr që shpëtova, që më dha Zoti forcë të jetoj, kaq mundem të them.

Çfarë po bënin fëmijët atë ditë, ishin në shtëpi?

Vajza e madhe ka qenë në shkollë, të vegjlit në shtëpi. Jemi zënë si gjithmonë, por atë ditë vjehrra ka dash me më mbytë.

Për çfarë u grindët?

Si gjithmonë, donte vetëm të më rrihte, unë hyja, dilja, donte të më binte me diçka, se s’gjente rehat.

Çfarë bëre ti?

Ka qenë mëngjes, atë natë e kam gdhi duke qarë, jam çuar në mëngjes, shihja vetëm fëmijët, isha në një gjendje që nuk di, thosha a do të zbardhi dita në mëngjes, të na gjejë shëndoshë?

Po fëmijët i keqtrajtonte vjehrra?

I rrihte shumë, i ndërroja të paktën një herë në ditë. Nuk më linte kohë të merresha fare me ta.

Përse e bënte?

Ashtu donte. Shiko, kjo më ka mundue gjithmonë, se nuk kam arritur të kuptoj kurrë arsyen. Pse më ndodhën mua gjithë ato gjëra, kjo më ka mundue e më mundon akoma.

T’i kthehemi ngjarjes: të rrahu një natë përpara, ti u ngrite në mëngjes e lodhur nga kjo gjë dhe…

Isha shumë e tronditur, isha si e mpirë, isha e dështume, nuk dija çfarë të mendoja. Vetëm s’kisha fuqi, ndihesha e dobët, por kur kam parë që më futi thonjtë në fyt e që donte me më mbytë, aty nuk e di se nga më ka ardhë ajo forcë, sa s’kam mujtë me mendu asgjë tjetër.

Çfarë bëre?

Bëra vrasjen dhe prandaj jam këtu sot.

Kam nevojë të ma shpjegosh.

Nuk mundem me ta shpjegu, se e kam shumë të rëndë. Edhe unë nuk e pranoj që nga ajo vajza që nuk ktheja kurrë fjalë, nuk ktheja kurrë dorë, imagjino ku shkova… Je e para që po ta tregoj, se nuk mundem as… (qan)… Imagjino, kur kam ra në burg, s’dinin asgjë në shtëpinë time, kisha 6 vjet pa e parë njërin vëlla, tjetrin kisha tre vite. Më ka ardhë në burg, jam futë ke ajo salla, e kam parë vëllanë në këmbë dhe kam pyetur: Kush është takimi im? Nuk e njoha tim vëlla (qan). Ishte rritur, më dha kurajo.

Përse nuk i takoje vëllezërit?

Nuk më linin, më ndanë nga njerëzit, prandaj nuk mundem t’u kërkoj asgjë njerëzve të mi. Vëllezërit i kam pasur pikë të dobët, i kam edhe sot akoma. Kur rashë në burg, kanë ardhur të më takojnë, më kanë mbështetur.

E di që e ke të vështirë, por mundohu të ma shpjegosh çfarë ndodhi. Ju po grindeshit në ahur dhe ti e lidhe, në mos gabohem?

Jo, jo…

Por çfarë ndodhi, u kacafytët?

Ashtu…

Unë di që i hodhët vaj të nxehtë.

Po, me vaj të nxehtë.

Ka qenë dhe kunata jote aty?

Nuk dua të flas për këtë pistë, kemi qenë të dyja, po nuk dua të flas. Mediat kanë ba çfarë u ka dashë qejfi, por atë çast unë s’kam për ta harruar dhe vetëm varrit do t’ia tregoj.

Si të duash, unë nuk do të këmbëngul më tej, por ti ke mundësi, nëpërmjet kësaj dëshmie, të tregosh të vërtetën tënde.

Kaq mundem me të thanë, se mua në atë moment më ka ardhë shpirti me dalë dhe nuk kam mendu më asgjë. Nuk kam pas mundësi me mendu më.

Duhet të kuptoj, së pari, nëse e ke bërë ti krimin apo kunata jote, Hikja.

Kemi qenë të dyja aty.

Kush e mori vendimin për të nxehur vajin?

Nuk është se kemi marrë vendim, ne kemi qenë aty, frika s’na linte…

E rrahët njëherë viktimën?

Po…

Por nuk vdiq?

Ashtu na u duk ne, sepse kishim shumë frikë… kishim shku në atë pikë sa edhe mizën e kishim frikë…

Donit të ishit të sigurta që kishte vdekur, prandaj morët vajin? Mendon se kishte vdekur më përpara?

Sot, ashtu mendoj.

Dhe ku e varrosët pastaj?

Aty, në haur.

Ishte mëngjes, sa zgjati gjithçka?

Ishte paradite, nuk e di sa ka zgjatë, u ktheva te fëmijët, thjesht jam ulë e vetëm kam qarë. Erdhi goca e madhe e më pyeste: Ça ke, mami? Nuk mund të flisja, as haja, as pija.

Çfarë ndieje kur po e kuptoje se çfarë kishe bërë?

Nuk e di çfarë ndodhte me mua. Vetëm shtrëngoja fëmijët, më pas nuk e kishim idenë, nuk dinim kujt t’i drejtoheshim.

Ndërkohë me Hiken, kunatën, bisedonit çfarë do të bënit, si do të vepronit?

Po, shkojmë në polici, propozova unë, por kishim frikë.

Po pse e varrosët, donit ta fshihnit? Kishit frikë nga burrat tuaj, apo nga policia? Kishim frikë nga burrat, kishim frikë nga ajo vetë, nga gjithçka kishim frikë.

Edhe pse ishte e vdekur, prapë e kishit frikë?

Po, e kishim shumë. Janë të shumtë ata që e dinë ç’kam hequr prej saj. Nuk janë thjesht fjalë, të gjithë e dinë.

Ishte e vështirë gjithë ajo gjëja që bëtë më pas, apo nuk ishe fare në vete dhe nuk e mban mend?

Të më pyesësh mua sot, them nuk e di. Nuk më besohet që e kam vrarë, as nuk dua ta besoj. Nuk e di se si nga ajo vajzë që isha, shumë e trembur, shumë e pafuqishme bëra…

Domethënë, ju hapët gropën dhe futët trupin. E mbuluat me ndonjë gjë?

Jo, siç ishte.

Hikja çfarë thoshte?

S’di ça thoshte edhe ajo, as nuk kemi hangër, as nuk kemi pi, as me fëmijët, ishte shumë e trembur.

Burri ishte në shtëpi, apo në emigracion?

Jo, në emigracion…

Po burri i Hikes?

Edhe ai nuk ishte, ishte në Greqi. Kemi ndenjur në atë gjendje për dy ditë. Të tretën, Hikja thotë: Ik e trego në polici. Shkova dhe sillesha rreth policisë, nuk dija kuptimin e fjalës komisariat, nuk e kisha idenë se ekziston burg për femra. Kam parë një grua duke shkundë tapetet dhe e kam pytur për ndërtesën e policisë, se fjalën komisariat nuk e dija. Ajo dera blu, më tregoi ajo. Dalin dy policë te dera dhe më pyetën: Çfarë do? – U thashë: Unë kam vra një njeri. Atëherë më kanë kap si me qenë qen, u bë një rrëmujë që nuk e ke idenë. Kanë sjellë fëmijët aty pastaj, më kanë lënë nja dy orë me ata aty.

Nuk u ktheve më në shtëpi, qëkur vajte vetë në komisariat?

Jo, më kanë lidhë duart, më kanë dhënë me pi ujë, pastaj më kanë çuar në spital. Nuk kuptoja çfarë po ndodhte. Tregova ngjarjen, më thanë do futesh në burg. Më çoni te fëmijët, çfarë është ky burg, pyesja unë. Jo, më thanë, nuk mundesh me i pa fëmijët, mundesh me i pa kur të shkosh andej nga burgu 313, që unë s’e kisha idenë fare çfarë ishte…

Nuk e dije ti se po të vrasësh një njeri, shkon në burg?

Jo.

Po sipas teje, çfarë ndodhte?

Si mundem të ta shpjegoj ty, ndoshta nuk ke për të më besuar…

Ti mendoje se do të tregoje në polici dhe do të ktheheshe në shtëpi?

Kam qenë gjithë kohën në atë botën që vetëm puno, puno. Nuk isha e dalme, nuk kam shku ndonjëherë në Peshkopi, të shoh qytetin, isha e mbyllur, me hijen time. Nuk e dija se ekziston botë, moj, ti nuk e beson… Nuk e harroj një polic atë natë, ishte ftohtë, ishte shkurt. Më nxori një furnellë për t’u ngrohur, kishte marrë bukën me vete e më dha pak, po nuk ia pranova. Më tha: Bëj kujdes me sjelljen, mos u grind me gratë, mos u bëj raport shërbimi. Unë nuk e kisha idenë çfarë është raporti i shërbimit, mos u mërzit tha, se ke për të bërë shumë burg. E pyeta: Çfarë është ky burg, ma shpjego një çikë? Do të shkosh në Tiranë, më tha, ka shumë gra që u ka ndodh kjo fatkeqësi, nuk je vetëm ti, do shkosh ke 313-a. Po më tregonte pak a shumë se çfarë do bëja atje, e unë prapë mendoja me vete: Ky është i çmendur, çfarë është ky burg…

Si e mori vesh burri yt?

E kanë marrë në telefon…

Erdhi të të takonte, të ka çuar fjalë, të ka marrë në telefon?

Jo, asgjë.

Nuk të lejon burri t’i takosh fëmijët?

Jo, kujdestarinë e fëmijëve e ka ai, nuk jemi ndarë akoma me gjyq, unë kam bërë kërkesë, shpresoj që të kem takim.

E kujton gjatë ditës momentin e ngjarjes?

Mundohem ta largoj, mos ta kujtoj, ai moment më shkatërroi gjithçka, më shkatërroi fëmijët. Unë vetë këtu në burg u ngopa me bukë, njeri nuk më rreh, me u vesh dhe me u mbath na e japin një rrobë ose diçka, e vetmja gjë që më mungon janë fëmijët… Shumë herë mundohem ta harroj, të bëj diçka, të mësoj diçka, që të mos kujtoj, se më lëndon shumë mungesa e fëmijëve.

A mund të kishe vepruar ndryshe?

Them vetëm të kisha ikur, mendoj në çfarë bote jetoja që s’kam ditur asgjë, si u mbylla unë kaq shumë me veten, sot them pse kisha kaq frikë unë. Mund të kisha jetuar në shtëpi me qira, se unë punoja, e gjykoj shumë veten, po të ishte kthyer koha prapa, do ishte ndryshe.

Si do të ishte, për shembull?

Së pari, do ta kisha lënë që në fillim tim shoq, nuk do të kisha pyetur për njerëzit dhe fjalët. Ai e dinte se lija kokën pas tij, edhe jetën e jepja, kurse ai nuk më deshi kurrë. E dija që më tradhtonte, e dija se bashkëjeton me tjetrën në Greqi dhe s’kam mundur kurrë me ja kthy shpinën.

ENI VASILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura