Abe dhe Osemene s’janë më në planet e Teutës, gati revolucioni në janar

Dec 7, 2017 | 15:16
SHPËRNDAJE

Teuta e nisi këtë edicion të Kategorisë Superiore me ambicie të mëdha, ku vendi i tretë ishte objektivi kryesor për t’u arritur. Drejtuesit afruan lojtarë të rëndësishëm duke i dhënë mundësinë stafit teknik të ketë në dispozicion një grup të ri, por me dëshirë të madhe për të bërë mirë.

Teuta

Pas një faze model në Itali, ku qëndruan tri javë dhe një përgatitjeje finale në Maqedoni, durrsakët ishin gati për kampionatin. Pritshmëritë ishin të mëdha dhe skuadra e nisi shumë mirë sezonin aktual duke marrë dy fitore radhazi dhe menjëherë filloi të flitej për objektiva madhorë.

E megjithatë, shumë shpejt durrsakët u rrëzuan duke regjistruar rezultate negative. Humbjet e njëpasnjëshme bënë që drejtuesit të merrnin edhe masa drastike duke i kritikuar ashpër disa lojtarë, ku nuk munguan edhe largimet nga ekipi, si rasti i Albi Dostit.

RINOVIMI – Pas 13 ndeshjeve të para, Teuta e shikon veten në vend të shtatë në kuotën e 15 pikëve, 7 më pak se vendi i tretë që mbahet nga Kukësi. Objektivi duket larg, por kampionati është i gjatë, ku në lojë janë edhe 23 ndeshje të tjera, ndaj gjithçka është e mundur, por më parë duhet që bregdetarët të ndryshojnë marsh.

Teuta

Për të rivalizuar “dhëmb për dhëmb” me kundërshtarët, në janar pritet të ketë afrime në disa reparte, ku mbrojtja dhe sulmi janë ato më problematiket. Por, afrimet do të jenë njëra anë e medaljes, pasi nuk do të mungojnë edhe largimet, ku disa prej lojtarëve që kanë nënshkruar në verë, nuk kanë bindur. I pari në listë është mbrojtësi i djathtë Sunday Abe, me të cilin pritet të ndërpritet bashkëpunimi.

Gjithashtu edhe Osemene nuk ka shkëlqyer, ndonëse stafi teknik pret shumë nga ai. 22- vjeçari zotëron një potencial të madh, por deri tani nuk e ka shfaqur në fushë. 5 ndeshjet e mbetura të fazës së dytë do të jenë vendimtare për të ardhmen e tij në skuadrën durrsake. Në mbrojtje, edhe pse Magani ka pasur kritika, pritet që të ketë vetëm afrime dhe jo largime.

teuta kamza

Sa i përket portës, edhe aty durrsakët kanë vuajtur shumë duke pësuar rregullisht, pavarësisht nga kundërshtari që kanë pasur përballë. Edhe në këtë repart ka pasur rrotacion mes Elhan Kastratit dhe Shpëtim Moçkës që po pret të marrë më tepër minutazh për të treguar vlerat e tij.

DRILON XHEPOLLARI 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura