Abdyl Bani vdiq në qeli nga torturat, dr. Dervishi e raportoi turbekuloz, togeri Zydi Aga e varrosi fshehurazi (fotot e rralla)

Aug 18, 2018 | 12:25
SHPËRNDAJE

Zbulohet dokumenti i rrallë me raportin sekret të vitit 1949 ku Mehmet Shehu informon Enverin dhe Komitetin Qëndror për torturat që u ishin bërë gjatë hetuesisë Ing. Lutfi Strazimirit e Pavllo Margaritit që akuzoheshin si agjentë të amerikanëve dhe Abdyl Banit, shoqëruesit të kolonel Islam Radovickës. Raporti sekret: “Abdyli gjatë hetuesisë nuk ka deponuar asgjë as për Islam Radovickën dhe as për veten e tij, sado që është torturuar nga një ish-Kapterr dhe mbajtje në presion (pa gjumë, pa bukë, në këmbë nga një N/Toger)”

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Që nga nëntori i vitit 1948-të kur Enver Hoxha filloi goditjen ndaj Koci Xoxes në Kongresin e parë të PKSH-së e në muajit në vijim deri sa ai doli në gjyq në majin e vitit 1949-të, me porosi direkt të Enverit, nga Ministria e Brendëshme dhe kryesisht Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, u morrën një numër i madh dosjesh sekrete të cilat u dërguan në kabinetin e tij në Komitetin Qëndror të PKSH-së. Në ato dosje që i përkisnin një periudhe kohore katër vjeçare (1945-1948) kishte dokumente me proces-verbale, relacione, raporte, informacione, letra të ndryshme etj, të cilat kishin të bënin kryesisht me veprimtarinë dhe punën e ish-Ministrit të Brendshëm, gjeneral-leitnant, Koci Xoxes, i cili ndodhej në procesin hetimore në qelitë e Burgut të vjetër të Tiranës.

Pjesa më e madhe e këtyre dosjeve përmbanin arrestime, eliminime personash, tortura ndaj tyre, vdekje në qeli, pushkatime, me dhe pa gjyq, fshehje kufomash etj etj krime nga më të përbindëshmet që ishin bërë deri në atë periudhë kohe nga Ministria e Brendëshme. Qëllimi i Enver Hoxhës ishte që ato “prova dhe fakte” t’ja “faturonte” ish-ministrit Koci Xoxe dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, zv/ ministra të Brendshëm, Drejtorë të Sigurimit të Shtetit, e zyrtarë të tjerë të rangjeve më të ulta të asaj ministrie, duke i akuzuar ata për të gjitha krimet që kishin ndodhur në atë periudhë kohore që ata kishin qenë në krye të Ministrisë së Brendëshme.

Dhe për ta bërë sa më të besueshme luftën dhe “denoncimin e krimeve të Koco Xoxes”, Enver Hoxha shpalli një amnisti, duke liruar nga burgu disa persona dhe duke rehabilituar disa të tjerë, gjë e cila është e njohur tashmë edhe në Historinë e PPSH-së si “Kthesa e Partisë”. Lidhur me sa më sipër, bën fjalë edhe ky dokument arkivor i cili i përket shkurtit të vitit 1949 dhe që përmban një raport-informacione i përpiluar nga majori i Sigurimit të Shtetit (Zymer Jerina) dhe që u bëhet me dije disa prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Enver Hoxhës, si: Mehmet Shehut, Tuk Jakovës, Liri Belishovës, Kadri Hazbiut, etj. Dokumentin në fjalë ku pasqyrohen qartë krimet monstruoze të ndodhura në atë periudhë kohe, publikohet për herë të parë dhe ekskluzivisht për gazetën TemA.

(Bashkë me faksimilet përkatëse, po publikojmë edhe disa foto të rralla, të personave për të cilët bën fjalë ky dokument, si p.sh. Ing. Lufti Strazimirit, të Abdyl Banit, Harry Fultz, Kadri Hazbiut, Koci Xoxes, etj)

LETRA PER KOLONEL KADRI HAZBIUN

Shoku Kolonel

Simbas materjalit që disponoj, këtu po rreshtoj disa materjale mbi personat mbi të cilët interesohet dhe shoku Tuk dhe shoqja Liri.

1.Ingj. Lutfi Strazimiri është arrestuar në muajin Gusht 1947 i akuzuar si spiun në shërbim të spiunazhit Amerikan (S.B.S.) i rekrutuar nga Fultzi që në vitin 1923-‘27 ndërsa ka qenë nxënës në shkollën Teknike të Tiranës. Gjatë kohës që ka qenë në shkollën Teknike ka frekuentuar një kurs spiunazhi për shumë kohë së bashku me shumë bashkënxënës (afro 15 vetave emnat e të cilëve i shënon në process-verbalin e tij).

Mbasi mabroi shkollën u vu në shërbim aktiv të informacjonit Amerikan, mbas pak kohe shkoj për të vazhduar studimet si Ingjinier në Gjermani. Mbas tre vjetësh që ndejti në Gjermani erdhi në Shqipëri ku përsëri ra në kontakt me Fultzin i cili n’atë kohë ishte përgatitur të lënte Shqipërinë, se u përzu nga shteti Shqiptar. Përpara se të ikte Fultzi e prezantoi Lutfinë me njeriun e spiunazhit Amerikan në Legatën Amerikane, Hofmman me të cilin bashkëpunoj deri sa u largua Legata Amerikane nga Shqipëria.

Në këtë rast Lutfiu nënshkroi kontratën dhe u bë spiun i rregullt, i cili për shërbimet që kryente, u shpërblente me 200 Fr. Ari në muaj. Këtë rrogë e merrte rregullisht edhe mbas largimit të Legatës, nëpërmes Ahmet Çelës (bashkënxënës i Lutfiut), të cilit Lutfiu i jepte informata dhe këto informata Ahmeti i çonte në Legatën Turke. D.m.th. se Lutfiu në këtë rast i ka shërbyer edhe spiunazhit Turk. Në vitin 1936, d.m.th. mbas tre vjetëve që është kthyer nga Gjermania, ka ra në lidhje me tre oficera Gjermanë të Gestapos që ishin civila në Shqipëri si teknikë por me misjon spiunazhi. Këto lidhje tue i shërbue me informata të ndryshme Lutfiu i ka mbajtur deri nga fundi i vitit 1944 (disa muaj para kapitullimit të Gjermanisë). Gjatë kësaj kohe ka pas lidhje me shumë oficera të Gestapos deri më në fund edhe me Gjeneralin Fiztum.

Mbas çlirimit përsëri filloj aktivitetin e tija prej spiunazhi në shërbim t’Amerikanëve. (U lith me njerzit që i kishte derguar Fultzi S.B.S në Shqipëri). Në bazë të direktivave të Fulztit u organizua Organizata Tekniko-Intelektuale ku dhe Lutfiu u bë pjesmarrës aktiv i saj deri sa u godit.

Në bazë të materjalit që ka proçesi i tij, mendoj se dënimi i tij është politikisht i drejtë, ndonëse n’hetuesi t’asaj kohe mund të ketë pas sugjerime, ekzagjerime jashtë mase etj.

2. Pavllo Margariti, nga Vlora ish N/Toger i Ushtrisë Kombetare. Asht arrestua në majin e vitit 1947 për aktivitet spiunazhi në shërbim të imperializmit Amerikan.

Në Gushtin e vitit 1942 për arsye të qëndrimit të tij pro L.N.Ç. u arrestua nga italjanët dhe u internua në Kampin e Barit ku qëndroj deri në kohën e kapitullimit të Italisë para trupave Anglo-Amerikane. Dy muaj më vonë u largua nga kampi i Barit nga Anglezët dhe u dërgua në një kamp 20. km lark Barit. Aty ra në kontakt me agjentin Lari Post dhe me një kapterr Amerikan me origjinë Shqiptare. Me qënse ishte i sëmundë me ndërmjetësinë e këtyre u nxorr nga kampi dhe u dërgua në Sanatorjum.

Këtu shpesh vizitohesh prej Lari Postos dhe kapterrit të cilët e ndimojshin materjalisht dhe e edukojshin në shërbim të spiunazhit Amerikan. Gjithë shokët e tij që kishte qenë me ta në kamp i kishte organizuar Fultzi në kurse specjale për informacjon, si Galip Hatibi, Kol Berisha, Sinan Gjoni, Hasan Reçi, Spiro Dhima, etj. Ndërsa Pavllua edukohej individualisht për shkak të gjëndjes së tij shëndetësore. Gjatë kohës që ka qenë atje pohon se është rekrutuar Agjent i rregullt i S.B.S dhe po me këto detyra është përcjellë për në Shqipëri. Këtu ka mbajt lidhje të rregullta me njerzit që i kanë rekomanduar amerikanët, ka marrë udhëzime prej tyre e direkte prej Lari Posto.

U ka dhënë informata të gjithfarëshme ka tradhëtuar detyrën që ka qenë besue në zyrën e Çensurës së Komandës së Përgjithëshme që tue përfitue nga kjo asht lejue që të shkoj korrespondencën e Lari Postos në Itali pa çensurën e cila ka pas karakter thjesht informative.

Ka zhvillue një punë armiqësore t’organizueme deri sa asht arrestue. Mbas arrestimit të gjitha i ka pohue vetë. Nuk dihet nëse asht torturuar.

Nga materjali që ka në proçes, mendoj se dënimi i tij është i drejtë.

3. Abdyl Bani, nga Vlora i cili ka qenë prapa Islam Radovickës. -Asht arrestue me qëllim që të nxirrej diçka rreth aktivitetit të Islamit si dhe për shkak se implikohej në procesin e hajdutit Adem Çoku si nxitës i këtij për vjedhje dhe arratisje. Gjatë hetuesisë nuk ka deponuar asgjë qoftë për Islamin dhe qoftë për Ademin dhe as për veten e tij, sado që është torturuar nga një ish-Kapterr dhe mbajtje në presion (pa gjumë, pa bukë, në këmbë nga një N/Toger). Mbas një dite që është torturuar nga Kapterri, ka vdek. Simbas raportit që ka

lëshue Dr. Ibrahim Dervishi, rezulton se ky ka qenë T.B.C në shkallën e fundit e sigurisht për vdekjen ja kanë shpejtuar torturat e jeta e keqe në birucë. Po atë natë (natën pa e parë njeri, asht varros nga Toger Zydi Aga në bregun e lumit ku varroseshin Armiqtë e Popullit. Kufoma para se të varrosej nuk ka qenë dërgue në Garnizon siç thuhet në letër. Vëndin ekzakt të varrimit të tij e di Toger Zydi Aga.

Në lidhje me çështjen e këtij, Kapiten i I-rë Stavri Xhara, mbas Kongresit të I-rë të P.K.Sh. ka përpiluar një relacion të hollësishëm i cili u paraqit ose në Komitetin Qëndror ose në Prokurorinë Ushtarake.

M a j o r

(Zymer Jerina)

Shoku Tuk

Po ju dërgoj informatën

që kini kërkuar Kol. Kadriut

me anën e sekretarit.

Ndoshta s’janë të plota, por

Tash për tash, këto kemi.

22.12.’49.

Mehmet Shehu

Familja e Abaz Kupit

u internua, për ato

të tjerat po hetojmë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura