Abazoviç dhe Zelensky nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët për perspektivën euroatlantike të Ukrainës

Dec 5, 2022 | 20:27
SHPËRNDAJE

Kryeministri në largim, Dritan Abazoviç dhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky nënshkruan të hënën një deklaratë të përbashkët për perspektivën euroatlantike të Ukrainës.

CaptureZoti Zelensky tha se të dy vendet kanë marrëdhënie të hapura, miqësore dhe falënderoi qytetarët e Malit të Zi për mbështetjen dhe mikpritjen ndaj atyre që ikën nga Ukraina.

“Dua të nënvizoj se Mali i Zi është një shtëpi për refugjatët, gratë dhe fëmijët, familjet që kanë nevojë për mbështetje që nga fillimi i agresionit. E di, pa këtë marrëdhënie, nuk do të ishte kështu. Unë shoh unitet, që nga dita e parë ne pamë mbështetjen tuaj të vazhdueshme. Ne patëm edhe një takim të mrekullueshëm dhe e dimë se na përkrahni në të gjitha drejtimet “, tha zoti Zelensky gjatë një videolidhje me kryeministrin në largim Dritan Abazoviç, me rastin e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët për perspektivën euroatlantike të Ukrainës.

Presidenti Zelensky po ashtu tha se mbështetja e Malit të Zi për Ukrainën, e cila erdhi pa hezitim, ishte rezultat i bashkëpunimit të përbashkët.

“ Ne e vlerësojmë mbështetjen tuaj në muajt e kaluar. Falënderoj gjithashtu të gjithë në Mal të Zi që mbështesin Ukrainën dhe besojnë në fitoren tonë. Do të jetë fitorja jonë e përbashkët. Kemi sfida dhe është mirë të kemi mirëkuptim të ndërsjellë dhe të luftojmë për të njëjtat vlera, “ tha Zelensky.

Zoti Abazoviç, ndërkaq tha se “ukrainasit mbrojnë një qytetërim që ka vendosur të jetojë në liri dhe demokraci. Ai tha se Ukraina do ta fitojë luftën dhe do të çlirojë të gjithë territorin e atij vendi.”

Në takimin e zhvilluar përmes videolidhjes, mori pjesë edhe ambasadori i Ukrainës në Mal të Zi, Oleg Gerasimenko.

Pas nënshkrimit të deklaratës, kryeministri Abazoviç theksoi se, pas Belgjikës dhe Republikës Çeke, Mali i Zi është vendi i tretë në Europë që nënshkruan një dokument të tillë.

“Pozicioni ynë është i qartë – ne mbështesim paqen. Jemi të pakënaqur që ka akte lufte dhe viktima, që kushtet nuk janë plotësuar në një formë tjetër për të zgjidhur problemet politike… Ne shprehim mbështetjen tonë të qartë për Ukrainën dhe popullin e saj në mënyrën që të mbrohet integriteti i tyre, sovranitetin dhe e drejta e Ukrainës për të zgjedhur se si duan të jetojnë dhe cilat organizata duan ose nuk duan t’u bashkohen”, tha kryeministri Abazoviç në konferencën për shtyp.

Ai theksoi se bashkëpunimi me Ambasadën e Ukrainës në Podgoricë është në nivel jashtëzakonisht të lartë dhe tha se më shumë se 10.000 ukrainas jetojnë aktualisht në Mal të Zi.

“Përveç mbështetjes së qartë për Ukrainën dhe të ardhmen e saj europiane gjatë vizitës së kryeministrit Abazoviç në Kiev, në prag të dhënies së statusit kandidat për anëtarësim në BE, nënshkrimi i sotëm është një tjetër konfirmim i mbështetjes së vendit tonë për Ukrainën në përpjekjet e saj për tu bërë pjesë e plotë e shoqërisë euroatlantike,” njoftuan më herët sot nga zyra e kryeministrit. /VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura