A votohet kërcënimi?

May 20, 2015 | 12:21
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

   Krerët e shumicës Rama dhe Meta vazhdojnë ta luajnë me forcë gogolin  e kërcënimit të zgjedhësve kritikë dhe kundërshtarë me embargo fondesh. Në fillin të anabasit të tyre paraelektoral trumbetuan  bllokimin nga lart. Ditët e fundit po trumbetojnë bllokimin nga poshtë. Herën e parë thanë nuk do t’u japim lekë bashkive të opozitës, sepse nuk duam ne. Tani po thonë nuk do t’u japim lekë, sepse nuk duan ata.
Marrëzi njëra, marrësi tjetra. Kërcënim njëri, kërcënim tjetri. Qëllimi po i njëjtë. Zgjedhësit të mos votojnë kandidatët e opozitës, sepse nuk do të përfitojnë fonde.
Unë dhe disa analistë të tjerë politikë kemi argumentuar në faqet e kësaj gazete se karta elektorale e kërcënimit me mosdhënie fondesh për kundërshtarin, përveçse antidemokratike dhe antiligjore, është fund e krye spekulative për një arsye të thjeshtë: qeveria nuk ka lekë. Rama dhe Meta kanë qenë mësuar të tundin thesin e qeverisë para  pesëmbëdhjetë vjetësh kur ua mbushnin dy institucione që kishin në krye dy drejtorë të talentuar e të përkushtuar, Brovinën e Tatimeve dhe Agon e Doganave; e tundnin atëherë thesin, pasi qeveria ishte akoma Zoti, ndërsa pushteti vendor nuk kishte ende të drejtat dhe  kompetencat që fitoi më vonë. Sot situata është krejt tjetër. Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat janë në pikiatë, eksperimentet e zotit Rama me emërime zonjushash dhe zonjash të reja në këto poste kyçe kanë rezultuar një dështim i paralajmëruar. Eksperimenti tjetër me kompaninë angleze “Crown Agent’s” ka rezultuar një aferë me humbje për vendin. Qeveria nuk mbulon dot projektet e veta të miratuara në Kuvendin e Shqipërisë e jo më të ketë lekë për të financuar projektet e bashkive. Për shkak të rënies së të ardhurave, Ministria e Financave ka paralajmëruar një shkurtim të buxhetit të shtetit në muajt në vazhdim. Që do të thotë se qindra projekte të miratuara do të hiqen nga lista për pamundësi financimi. Në këto kushte, as që mund të flitet për të shtuar projekte të reja akoma në hava. Nga ana tjetër, edhe po të kishte lekë me tepri, qeveria mund të shpërdorojë një pjesë të tyre në projekte kombëtare, që nuk janë përparësi e një vendi në krizë, për çfarë do të gjykohet nga elektorati. Por, kur vjen puna për të transferuar fonde pranë njësive të qeverisjes vendore, hapësira për t’i parë ca si të nënës e ca si të njerkës është e kufizuar, diferencimet jashtë kornizës ligjore nuk janë të lehta. Kjo është e vërteta. Por, kur nuk ka lekë, siç nuk ka de fakto në qeverisjen e sotme, diskutimi është pa kuptim si në fabulën pse nuk bie kambana kur i mungon rrumbi.
Megjithatë, pasi jemi marrë në një shkrim të mëparshëm me kërcënimin me bllokim nga lart, le t’i kushtojmë pak vëmendje kërcënimit të ri  të qeverisë me bllokim nga poshtë. Predikimi i Edi Ramës dhe Ilir Metës është ky: kryebashkiakët e opozitës nuk do të bashkëpunojnë me  qeverinë qendrore, PD i do bashkitë për të rrëzuar qeverinë dhe jo për të shërbyer qytetarët, prandaj thirrini mendjes, o njerëz, mos votoni kandidatët e opozitës, sepse do të mbeteni pa lekë, votoni kandidatët tanë që t’u shihni hairin!
Ta shohësh nga këndvështrimi i efekteve pozitive që krijon në parim   bashkëjetesa e pushteteve të kundërta, në një vend me nivel korrupsioni dhe konfliktualiteti shumë të lartë, siç është vendi ynë sot, është një gjë shumë e mirë që pushteti vendor të anojë nga opozita, ndërkohë që shumica ka pushtetin qendror. Ka shumë arsye të besohet se ekuilibrimi i pushteteve është zgjidhja më e mirë, sidomos kur ka arrogancë të madhe nga qeveria; ka arsye të besohet se pushtetet me ngjyra të kundërta politike prodhojnë më shumë kontroll dhe motivim të ndërsjellë për të bërë më të mirën e mundshme, ndërkohë që pushtetet e njësuara thellojnë kalbëzimin dhe kontrastet shoqërore. Ka shumë arsye të besohet se bashkëpunimi është më i garantuar kur imponohet nga fuqia dhe numrat e palëve sesa kur mbetet në mëshirën e palës që i ka të gjitha. Ka arsye të besohet gjithashtu se teza e Ilir Metës  “PD i do bashkitë për të rrëzuar qeverinë” nuk i heq, por i shton vota opozitës. Ky është një diskutim i gjerë, që thërret në skenë argumente teorike dhe përvoja të larmishme të qeverisjes në Shqipëri dhe vende të tjera. Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të thellohemi në këtë rrafsh. Aq me tepër kur e dimë mirë se Rama dhe Meta e shtrojnë çështjen e bllokimit në funksion të një qëllimi konkret: Të trembin zgjedhësit. Kë të mundin.  
Po të kishin ndonjë fakt apo provë, edhe mund të vinin ndonjë në mendime. Po ku i kanë faktet dhe provat? Nga e kanë nxjerrë këtë që do të bllokohen si qeveri nga kryebashkiakët e PD-së? Qeveria Rama-Meta është prej dy vitesh në pushtet. Cila bashki e drejtuar nga demokratët  i ka bllokuar gjatë këtyre dy vjetëve? Kur dhe për çfarë? Me filxhan dhe me spekulime nuk shkohet në politikë. Fabula e re e bllokimit nga poshtë ngjan pak me përrallën e ujkut, që i ankohet qengjit pse me turbullove ujët. Nuk ka asnjë shenjë që të përligjë “profecinë” e qeverisë. Publiku po dëgjon nga kandidatët e opozitës shprehjen e një gatishmërie të panjohur deri më sot për të bashkëpunuar me qeverinë, me shoqërinë civile, me zgjedhësit e palës kundërshtare. Shprehja më pikante, që e përmbledh këtë filozofi të re dhe që ka rënë si një rrufe në pirgun e dogmave njëzetepesëvjeçare, është ajo që tha kandidati i PD-së për Tiranën, Halim Kosova, kur po fliste për bulevardin e ri të Tiranës: “Të vijë ta përurojë vetë Kryeministri Edi Rama, unë do të rri prapa, vetëm të bëhet për qytetin”.
Nuk mund të bllokojnë dhe nuk do të bllokojnë bashkitë qeverinë. Bllokimi mund të bëhet në një drejtim të vetëm: nga lart-poshtë.  Shembullin më domethënës e kemi në Tiranë. Kryeministri Edi Rama akuzohet prej me shumë se një viti nga kundërshtari i tij, Lulzim Basha, se ka bllokuar tri projekte të mëdha, për të cilat është dashur e duhet bashkëpunimi bashki-qeveri: Bulevardin e ri, stacionin multimodal dhe tramin. Tri vepra të projektuara dhe me financime të siguruara, së paku dy të parat, që do t’i jepnin një përmasë të re, një zhvillim të ri dhe një hijeshi të re Tiranës. Tre kantierë, njëri prej të cilëve, ai i bulevardit, kishte punësuar qindra njerëz dhe të tre së bashku do të punësonin mijëra të tjerë. Edi Rama është në ekrane disa orë në ditë. Për çfarë nuk ka folur e nuk flet, por nuk është dëgjuar ende të japë një shpjegim serioz, të mbështetur në fakte, prova dhe ligje, për bllokimin e pashembullt të tri projekteve të mëdha të Tiranës. Të thotë makar se nuk ka funksionuar në përgjithësi bashkëpunimi me rivalin e tij të ri politik, Lulzim Basha dhe se projektet janë viktimë e këtij konfliktualiteti. Ky mund të ishte një shpjegim afër së vërtetës, mbi të cilin do të duhej të ndërtohej një reflektim gjithëpërfshirës me shikim nga e ardhmja. Mjerisht, ndërsa duhet të japë llogari, Kryeministri Rama po rreket të nxjerrë përfitime politike nga bllokimi që u ka bërë tri projekteve. Kjo është shumë, jashtëzakonisht shumë. Dhe është pa perspektivë. Duke kandiduar Halim Kosovën, PD e ka zgjidhur paraprakisht ngërçin politik për tri projektet e mëdha. Nga Edi Rama është pritur dhe pritet të ngrihet në lartësinë e Halim Kosovës dhe t’i kthejë nderet me një deklaratë simetrike bashkëpunimi në skenarin e fitores së këtij të fundit. Por fisnikëria mbetet një zog shumë i rrallë për pallatet politike të Tiranës. Edi Rama nuk po i përgjigjet dot me të njëjtën monedhë doktor Kosovës. Sepse i bie përdhe fabula e bllokimit, që në fakt ka lindur e vdekur, pasi edhe Grida Duma nga Durrësi ka deklaruar të njëjtën gjë dhe nuk është çudi që kandidatët e PD-së të përpilojnë një deklaratë solemne bashkëpunimi me qeverinë në interes të qytetarëve dhe t’i ftojnë publikisht kryetarin e qeverisë dhe kryetarin e Kuvendit për të firmosur. Ata duken të vendosur të vërtiten në zukthat e politikës së vjetër, sepse nuk kanë program, nuk kanë as premtime kësaj radhe, për arsye që dihen- janë shumë të freskëta ato të vitit 2013 që rezultuan gënjeshtra. Kanë vetëm kërcënime. Dje më bllokim nga lart, sot me bllokim nga poshtë, nesër kushedi se me çfarë. A mund të votohet kërcënimi? Kjo është pyetja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura