A po ndikojnë shpenzimet kolosale të fushatave për ndërrimin e bindjeve politike

Apr 17, 2021 | 9:20
SHPËRNDAJE

YLLJET ALIÇKA

Ylljet Aliçka

Në tallazin e betejave të perceptimeve të opinionit publik, aktualisht dhe jo vetëm, të bie në sy se problemi i identitetit lidhur me bindjet politike trajtohet më tepër nga këndvështrimi kolektiv apo historik, duke injoruar nivelin e pragmatizmit individual. Si në planin individual, ashtu dhe në atë kolektiv, faktorët përcaktues të individit dhe bindjeve të tij politike, më së shumti shihen vetëm në formë idealesh, me ngjyrime patriotike, morale, parimore.

Harrohen me ose pa qëllim shtysat apo interesat e përfitimit ekonomik e ato të protagonizmit, duke injoruar kështu aspektin pragmatik të identifikimit politik. Rrallë ndodh që një grupim politik, apo institucional, të mbrojë haptas një ide apo vendim pa e veshur atë me argumente të pranueshme të moralit të sotëm njerëzor dhe të së mirës së përgjithshme. E padrejta, interesat e ngushta, i përkasin vetëm kundërshtarit politik. Po të zbrisnim në nivelin individual, shpesh individi shqiptar ia fsheh vetes se pse krijon simpati apo tifozllëk për një lëvizje politike apo antipati për tjetrën, por përpiqet t’i veshë, përligjë apo interpretojë, parapëlqimet e tij me argumente objektive, të moralit të mirë e të pranueshme për një opinion të gjerë, si p.sh., lufta ndaj padrejtësive, korrupsionit, kriminialitetit, imoralitetit.

Duhet të jetë ky niveli i maturimit të një individi apo shoqërie, pra, raporti midis faktorëve objektivë të përqafimit të një partie politike me atë që lidhen me interesat apo egon e ngushtë të individit. Pranohet se, krahas të tjerave, njeriu përshtatet apo përfshihet nën një ombrellë vlerash identifikuese, kur ndjen se aty fiton ekonomikisht, se aty mbrohet nga një rrezik, apo se aty merr vlerë protagonizmi i tij. Parë nën këtë këndvështrim, është evident fakti se ende te ne inercia dhe ndikimi i vlerave dhe antivlerave njerëzore nga e kaluara është shumë e fortë.

Nga ana tjetër, individëve të sotëm iu është dashur të përshtaten apo ballafaqohen dhe me pamundësinë e mjaft strukturave apo individëve me pushtet, të cilat paralelisht me përpjekjet për të forcuar shtetin e së drejtës dhe respektin ndaj institucioneve, nuk kanë mundur të frenojnë a kontrollojnë dot edhe impulset e tyre agresive. Është e tepërt të thuhet se kësisoj keqpërdoret apo komprometohet besimi i individit ndaj institucioneve e për pasojë dhe ndjenja e përgjegjësisë së tij qytetare. Gjatë këtyre tri dekadave janë shfaqur ide, vizione mobilizuese apo ringjallëse në fushën shpirtërore e morale që do lëkundnin klishetë e vjetra të mendimit apo që do t’i ofronin individit shqiptar arsyen dhe orientimin e ri për të jetuar.

Karshi kësaj frenezie të elektrizuar elektorale, me të drejtë lind pyetja a dyshimi nëse votuesi shqiptar, i cili po ndjek fushatën elektorale herë me arsye, herë me emocion, të mund të dallojë ato ngjarje apo platforma politike që kanë lidhje me interesin e dhe të mirën e përgjithshme apo me interesat e ngushta fitimprurësve? Apo nëse shpenzimet kolosale të fushatës politike e japin apo jo rezultatin e ndikimit dhe ndërrimit të bindjeve politike të individit, në favor të së drejtës dhe të mirës së përgjithshme?

Dhe, nga ana tjetër, a mundet që gjatë fushatave zgjedhore të fitojë elektorat ajo parti që ia del të përcjellë mesazhin e vet politik në organet më të rëndë- sishëm të medias? Pra, a ka mundur dot bashkëlidhja e medies me politikën vënë në shërbim të fushatave zgjedhore, të ndikojë mbi mënyrat e konceptimit të mesazheve politike të individit apo ndryshimit të mëpasshëm të bindjeve politike? Dhe ndaj cilit target?

Kam përshtypjen se harxhohet më kot energji dhe para e jashtëzakonshme publike e private, ndërkohë që, pranohet fakti se, në krahasim me vende të tjera europiane, Shqipëria e ka tepër të vogël atë shtresë popullsie të lëkundur që nuk e ka vendosur ende se për kë do votojë. E veçanta e situatës aktuale më tepër ka të bëjë me evoluimin e sofistikimit të propagandës dhe retorikës elektorale për të fshehur në mënyrë sa më të pranueshme moralisht e institucionalisht, një platformë ideologjike apo vendimmarrjeje institucionale, të lidhura ngushtë me interesat e ngushta fitimprurëse.

*Profesor pranë Universitetit Mesdhetar Shqiptar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura