A po kuptojnë gjë qytetarët?

Sep 26, 2015 | 12:39
SHPËRNDAJE

Preç-ZogajjPREÇ ZOGAJ

    Fjala është për skandalin e ish-CEZ-it, që në shpërthimin me gulshe, si të një fontane, po përcakton bashkë me disa skandale të tjera vjeshtën me stuhi të këtij viti në politikën shqiptare.
Ka qenë një labirint qëkurse ka nisur në vitin 2010 kjo historia e CEZ-it çek, që erdhi e na bëri një bajgë të stërmadhe në vendin tonë të vogël. Ka  mbetur një mishmash deri ditën e përzënies nga qeveria shqiptare tre vjet më vonë, tamam si ato telat e ngatërruar të lidhjeve të ligjshme e të paligjshme në shtyllat e tensionit.

Dhe ka vazhduar të na tërheqë në vorbullën e saj edhe pasi i kemi dhënë duart, duke na nxjerrë qumështin e nënës përmes qeverisë së re të zotërinjve Rama dhe Meta.  Publiku nuk ka ditur shumë dhe s’mund të dinte shumë për këtë histori që ka rrrjedhur më shumë nën tokë se mbi tokë. Tani që e vërteta e shpërdorimeve dhe plaçkitjes ekstreme ka treguar majën e ajsbergut, situata ka ndryshuar. Ka shumë informacion.

Por druaj se jemi në gjendjen që përshkruan fraza paradoksale e Papa Françeskut  “çuditërisht nuk kemi pasur kurrë me shumë informacion se sot, por vazhdojmë të mos dimë çfarë ndodh”. Informacioni nuk është ende njohje. Aq më pak në kohën tonë, kur burimet e panumërta dhe kundërthënëse të informacionit priren të bombardojnë arsyen, të thjeshtojnë pohimet e palëve, siç thjeshtohen numrat në aritmetikë dhe të nxjerrin si përfundim një tabula rasa perfekte që nuk thotë asgjë për të vërtetën.

A po kuptojnë në fakt qytetarët çfarë po ndodh, çfarë është realisht  kjo histori që po trondit jetën politike dhe institucionale të vendit?  Ku janë humbjet, ku janë vjedhjet, ku është përgjegjësia? Besoj se ka plot që kuptojnë. Do të doja të ishin shumicë, pse jo absolute. Zotërimi i së vërtetës nga publiku qëndron më lart dhe vlen më shumë  se një sentencë gjyqësore për demokracinë. Por duhet ta themi se qytetari e ka më të vështirë se njeriu i drejtësisë që paguhet për zbardhjen e të vërtetave të koklavitura.

Për qytetarin nuk është e lehtë, sidomos në ngjarje mjaft të ngatërruara si këto që kanë ndodhur me ish CEZ-in. Informacionet kundërthënëse të palëve politike janë si  një shkëmbim i kryqëzuar dhe i pandërprerë zjarri. Në këtë korridë shohim të futen në një thes përgjegjësitë dhe akuzat politike ndaj  qeverive me përgjegjësitë dhe akuzat penale të individëve konkretë;  vjedhjet, plaçkitjet dhe humbjet e rendit të miliona eurove me abuzimet dhe tangjentet e vogla, të dënueshme edhe ato, por kurrsesi sa të parat; hollësi dhe episode që mbushin skenën e skandalit me vetë  trungun e skandalit.

Është një metodë e njohur zhvendosja e vëmendjes drejt hollësive periferike që e kënaqin perversitetin dhe natyrën sipërfaqësore të njeriut për të harruar kryesoren.
Kjo po ndodh pak a shumë me skandalin e ish-CEZ, të cilin, për fat, e konsiderojnë skandal të gjitha palët. Pavarësisht nga optika që kanë. Por ky skandal është i tillë, që për sa u përket fakteve kryesore që përbejnë kolonën e tij vertebrale, nuk mund të ketë optikë palësh. Optika është arsyeja, objektiviteti. Siç thotë populli, të rrish shtrembër e të flasësh sa të mundësh drejt.

Është e vërtetë se në shpërthimin e tij, skandali ka nxjerrë, po nxjerr e do të vazhdojë të nxjerrë në dritë pisllëqe të vogla, që i bëjnë me turp autorët, por morfologjia e skandalit në boshtin e tij  duhet të rindërtohet e të tregohet në pikat kyçe. Kështu mund të kuptohet më mirë e vërteta e tij.

Është e vërtetë se privatizimi i shpërndarjes së energjisë elektrike,  duke ia dhënë kompanisë çeke “CEZ” ka rezultuar një privatizim i dështuar i qeverisë “Berisha”. Është e vërtetë se CEZ nuk zbatoi asnjë prej pikave të kontratës për të investuar në modernizimin e shërbimit të shpërndarjes dhe shitjes së energjisë elektrike në Shqipëri. Në të kundërtën, nga shumë fakte ka dalë dhe po del në dritë se CEZ ishte një çetë batakçinjsh që u kujdesen vetëm të bënin para për vete, të harxhonin pa hesap për shpenzime luksi, të korruptonin, të luanin e përlyenin zyrtarë shqiptarë të të gjitha rangjeve, pasi ua kishin  blerë mendjen.

Administratorët e CEZ-it krijuan kompanitë e mbledhjes  së borxheve, siç ishte DIA, pa marrë miratimin e ERE-s, për të bërë para bashkë me ta nga thesi i shqiptarëve. Do të vërtetohet besoj se këto kompani nuk mblodhën borxhe nga qytetarët, por në rastin më të mirë, nga ndërmarrjet shtetërore. Ky ka qenë rasti tipik si ishte bërë deti kos për të gjithë përfituesit dhe hienat e sistemit të CEZ mbi pasurinë e shqiptarëve.

Pavarësisht se kompania çeke ishte private  dhe ishte në të drejtën e saj të kërkonte kompani për të mbledhur borxhin e keq dhe pavarësisht se në qeverinë “Berisha”, siç e kam shkruar në kohë reale, partitë që e kishin kompozuar, kryesisht LSI, punonin sekush në çifligjet e veta, këtu ka pasur përgjegjësinë e tij  Kryeministri i asaj kohe, zoti Berisha. Jo vetëm se qeveria kishte akoma një përqindje të aksioneve në kompaninë e shpërndarjes, por  qeveria kishte në dorë të urdhëronte apo edhe të ndihmonte ndërmarrjet shtetërore debitore të shlyenin detyrimet drejtpërsëdrejti, pa qenë nevoja për ndërmjetës.

Kjo që ka ndodhur, për ta banalizuar, është njëlloj sikur banka e shtetit të më japë mua një sasi parash për t’i çuar në një bankë të nivelit të dytë dhe për këtë shërbim  të më  shpërblejë me gjysmën e shumës. Kjo nuk bëhet veçse për të ndarë  paratë me drejtorin apo drejtorët. Kaq sheshit kishte plasur korrupsioni.
Është e vërtetë se DIA ka marrë para nga CEZ në mënyrë abuzive. Për këtë po hetohet e duhet të hetohet.

Me çfarë motivacioni janë lëvruar paratë nga CEZ, si i ka pranuar banka ku janë kryer këto transferta, si janë bërë tërheqjet nga DIA, çfarë është shoqëria “Nereida” së cilës, sipas një deklarate publike të Dritan Priftit të enjten në emisionin “Opinion”, i janë kaluar shuma të mëdha të këtyre parave nga DIA, për çfarë i ka përdorur “Nereida” këto para, a mos janë këto para  tangjentet dhe pjesa për “kumbaron” që ka qenë prapa DIA-s dhe “Nereida”-s bashkë? Këtu ishte litari që kishte lënë jashtë skandali, që doli në skenë papritur në një rrethanë që do ta shpjegojmë më poshtë…  

Është e vërtetë se pas konsultimeve me Bankën Botërore, qeveria “Berisha” vendosi ta prishte kontratën me CEZ për mospërmbushje të asnjë prej pikave të saj.
Është e vërtetë se CEZ, e informuar më parë nga njerëzit e vet në qeverinë “Berisha” për vendimin që kjo po piqte, prishi kontratën me DIA-n për t’i dhënë mundësi ankimi, për të bërë para në arbitrazhin ndërkombëtar me marifetet e njohura juridike të nxjerrjes së milionave dhe miliardave në arbitrazhe e gjykata.  

Është e vërtetë se qeveria “Berisha” refuzoi propozimin e CEZ-it për t’u ndarë në paqe, duke i dhënë asaj tetëdhjetë e pesë milionë euro.
Është e vërtetë se qeveria “Berisha” kishte fituar disa gjyqe të  formës së prerë me CEZ për mospagim taksash. Është e vërtetë se qeveria “Berisha” e paditi penalisht administratorin e CEZ-it, zotin Haysek dhe të gjitha kompanitë e krijuara nga cEZ për mbledhjen e borxheve të këqija.

Është e vërtetë se CEZ e paditi qeverinë  shqiptare në arbitrazhin ndërkombëtar duke kërkuar 300 milionë euro detyrime dhe  dëmshpërblime, sipas saj. Është e vërtetë se qeveria shqiptare filloi të përgatiste padinë e saj me asistencë ndërkombëtare. Është e vërtetë se Berisha humbi zgjedhjet në vërën e vitit 2013… Është  e vërtetë se avokatura e shtetit dhe avokati ndërkombëtar i qeverisë shqiptare e vazhduan dhe e përfunduan punën voluminoze për përgatitjen e kundërpadisë gjatë qeverisjes “Rama-Meta”.

Është e vërtetë se vetëm  nga faturat e papaguara ndaj KESH-it, OST-së dhe Tatim-Taksave, sipas vendimeve gjyqësore, CEZ i kishte borxh Shqipërisë mbi pesëqind milionë euro. (CEZ kishte marrë mallin veresie, e kishte shitur dhe kishte ikur pa paguar). Është e vërtetë se Banka Botërore dhe avokati ndërkombëtar e shikonin me probabilitet shumë të madh fitoren e Shqipërisë në arbitrazhin ndërkombëtar për një shumë 1 miliard euro (pesëqind milionë eurot e faturave të pashlyera nuk diskutoheshin fare).

Është e vërtetë se qeveria Rama-Meta nënshkruan në qershor të vitit 2014 një marrëveshje me kompaninë CEZ në të cilën në thelb qeveria shqiptare 1)u tërhoq nga arbitrazhi ndërkombëtar, pra hoqi dorë nga pretendimi për të përfituar së paku  500 milionë eurot e faturave të papaguara, 2) pranoi t’i paguante CEZ-it 95 milionë euro, 3) mori përsipër me vetëdije apo me naivitet të paguante shumën e pretenduar  prej 135 milionë eurosh të DIA-s që kishte hedhur ndërkohë në arbitrazh CEZ-n për prishje të njëanshme të kontratës, 4) vendosi mbylljen me ligj të çdo hetimi apo ndjekjeje penale për çdo çështje  që kishte lidhje me CEZ.

Nga kjo marrëveshje, Shqipëria fali minimalisht 500 milionë euro dhe plus kësaj, dha 95 milionë të tjera  si dëmshpërblim apo si detyrim për CEZ-in dhe u ngarkua edhe me 135 milionë euro të tjera nga një vendim eventual i Arbitrazhit në favor të DIA-s. E gjithë kjo për të rifituar pronësinë e aksioneve të  kompanisë, çfarë mund ta bënte, sipas shumë juristëve, pa këto lëshime të paimagjinueshme.  Marrëveshje e qershorit 2014 u nënshkruan me kushtin që të mos debatohej dhe u miratua thuajse në fshehtësi më 31 korrik 2014, në një kohë kur opozita ishte në bojkot parlamentar. Një ditë më parë, kreu i PD-së, Lulzim Basha, i kishte bërë bëri një thirrje  ndërgjegjes  së deputetëve socialistë, por siç mund të pritej, marrëveshja kaloi si në një seancë morti.

Është e vërtetë se qeveria “Rama” u  zgjua për të penguar një vendim arbitrazhi në dëm të Shqipërisë në lidhje me 135 milionë eurot që pretendon DIA . Është e vërtetë se është pala shqiptare që ka përgatitur dhe miratuar strategjinë e mbrojtjes në arbitrazh. Është e vërtetë se dëshmitë e dhëna, spontane apo të dirigjuara për të sprapsur apo mundur DIA-n, kanë nxjerrë në skenë Ilir Metën dhe kanë hapur kutinë e Pandorës, prej nga po fluturojnë çdo ditë fragmente të skandalit të madh.

Këto janë disa të vërteta të qenësishme të morfologjisë së skandalit. Dikush mund të shtojë ndonjë tjetër, që duhet të jetë e qenësishme gjithashtu. Drejtësia nuk mund të shmanget nga detyra. Ajo do të thotë  fjalën e vet pa humbur kohë. Por unë e shtroj çështjen në rrafshin e të drejtave dhe detyrave të qytetarëve. “Demokracia është pushteti i një populli të informuar”, thoshte Toqueville. Shqiptarët  kanë  të drejtë të dinë, të informohen në detaje. Jo për atë që kanë ditur dhe  për të cilën janë shprehur e kanë dhënë zgjidhje me votë. Për atë që ka ndodhur jashtë dijenisë së tyre, për atë që po ndodh sot. Ata pastaj kanë inteligjencën e nevojshme për të gjykuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura