A po i ha rilindja bijtë e saj?

Oct 23, 2018 | 12:13
SHPËRNDAJE

LUÇIANO BOÇI/2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-Viewer Kutia e Pandorës duket se tashmë është hapur dhe Rama me nxitim po rras dorën brenda që të kapë diçka nga fundi i saj, për të shpëtuar fundin e vet. Rilindja ka nisur shkërmoqjen dhe lufta brenda vetes për pushtet sa vjen e merr forma më të ashpra. Ajo ka kapur fazën kur “revolucioni ha bijtë e vet”. Degradimi është i pandalshëm dhe iluzioni i rezistencës për të mos lëshuar karrigen, po kaq i madh. Personazhet e arrestuar me vepra penale të ndryshme duken krejtësisht të ndryshëm, por që i bashkon diçka e madhe. Të dy janë rilindës të njohur, ndonëse njëri tipik dhe tjetri atipik, për të cilin Rama shprehu dhe keqardhjen e tij të madhe në një lojë hipokrizie perfide.

Ky ishte një lloj mesazhi i dekoduar, sipas të cilit arrestimi ishte një sakrificë në emër të Partisë, të qëllimeve më të larta, të cilin ai vetë nuk e dëshironte, por ja që koha ka dhe dëshmorët e vet. Mesazhin e bënë më të fortë fotot e lumturisë që Rama shpërndau paraditen e arrestimit të tyre, me gjasa të bëra sapo kishte tundur kokën, për t’i dhënë lejen Prokurorisë dhe Policisë së tij personale për t’i ndaluar. Në fund të fundit, shëndeti emocional i udhëheqësit të gëzuar prevalon mbi çdo akt tjetër. Para këtij fakti, çdokush duhet të mbyllë gojën ose të kafshojë gjuhën, siç ndodhi të nesërmen e arrestimit dhe nga shokët e ngushtë të arrestuarve. Një standard figurativ dhe ligjërimor historik ky, i vendosur nga drejtuesit më famëkeq të këtij vendi, i ngjashëm dhe me simbolet që Rama i mban me pompozitet në xhaketa apo kollare. Plus që Rama si profil psikologjik ka një lloj atraksioni të pandashëm nga mania e kurbanizimit dhe e njeh mirë procedurën dhe efektet emocionale e mentale të tij.

Parë në një analizë më të plotë, të dy emrat janë nga ai soj që i “kanë dhënë një dorë të mirë” hipjes së Ramës në pushtet, për shkak të influencave respektive që kanë pasur në zonat specifike. Detyrimet e Ramës, parë në këndvështrim e gangsterizmit politik klasik, siç është munduar me vite ta paraqesë ai veten, ishin për hir të së vërtetës, shumëfishe ndaj të dyve. Në këtë pikë, as njërit dhe as tjetrit nuk ia ka prerë mendja që rilindësi i parë do mund “t’i hante”. Por jo vetëm kaq. Me cinizmin e tij unikal, Rama jo vetëm që “i hëngri”, po nuk i kurseu as pjesën e shëmtuar të propagandës “miqve” të tij të dikurshëm të zemrës, të cilët të bënin namin, në qoftë se guxoje t’i shaje kryerilindësin. Për turp të vetes dhe në kundërshtim me çdo normë ligjore, shpërndau live pamje filmike me duar të prangosura, të njeriut që dikur i hidhte dorën në shpatull, për ta frymëzuar në betejat për pushtetin e vet personal. Vetëm e vetëm që të lante duart e veta me një stil makbethian të lindur.

Koha precipitoi me shpejtësi dhe “nderet” e marra tashmë ai i ka zeruar përballë rrezikut të menderes së vet. Zgjedhja e kurbaneve duket inteligjente, pasi të dyja figurat plotësojnë kriterin e të qenurit “zyrtarë” të lartë, ish-deputetë dhe ish-funksionarë të lartë. Por, çuditërisht, të dy janë si rastësisht potenciale politike në shuarje e sipër, për sa u takon influencave votëmbledhëse, të ardhura si për shkaqe të historive personale, ashtu dhe për shkak të humbjes së fuqisë së mandatit politik. Në të gjithë këtë histori, të paçuditshme janë vetëm veprat penale për të cilat ato akuzohen, sepse për të tilla vepra të njohura botërisht, në Shqipëri mund të rreshtosh një numër të madh zyrtarësh të sotëm.

Thënë në gjuhën e ashpër politike, parë me sytë e Ramës, të dy këta janë njerëz që nuk sjellin më ato votat e vlefshme që ai të mund të vazhdojë komandimin politik. Thënë në gjuhën popullore, për Ramën tani janë thjesht “limona të shtrydhur”, të cilët, megjithatë, kanë dhe një funksion përdorimi të fundit. Atë të hedhjes përtej. Tani, sipas stilit të tij otoman. Jo të hedhjes në harresë, por të hedhjes si “mish” ushqyes, të propagandës për “bishën” e tij të sistemit të përçudnuar të drejtësisë, që ajo të mund të duket edhe për ca kohë si hirushja e përrallës së nanurisur prej kohësh.

Për t’i thënë botës që ai drejtësinë e do më shumë se Partinë, ndërkohë që si njërës, edhe tjetrës, nuk ngurron t’i verë shqelmin sa herë bëhet fjalë për interesat e veta. Njëkohësisht, sipas parimit “një gur, dy zogj” ai nginj dhe orekset e brendshme të luftës së klaneve brenda rilindjes, sikurse bën dhe paralajmërimin e fortë se kush mund të dalë sadopak kundër tij, mund të përfundojë si këta të dy.

Por, këtë leckën e arrestimeve ai do ta përdorë dhe për retorikën e tij bajate kundër opozitës, siç bën rëndom në daljet e tij të shpëlara. Pse jo dhe të largojë vëmendjen e publikut nga aferat që po fundosin ditë pas dite anijen e rrënuar të pushtetit të tij.

Ndërsa funksionin kryesor, ky spektakël e ka në shpëtimin ose në shtyrjen e kohës së diskreditimit të disa lëkurave të tjera, me të cilat Rama ka ndërtuar lukuninë e vet dhe që peshojnë shumë më tepër se këta të dy. Nëse i gjykon nga veprat penale që kanë konsumuar në krahasim me ato që kanë bërë njerëzit e lukunisë akoma më afër Ramës, duket sikur këto janë marrë vetëm me “lekë të shkoqura” dhe jo me kartëmonedhat e rënda. “Lëkura e të tjerëve” i intereson në realitet Ramës, jo se këta i dhimbsen më shumë, por se ato mund të marrin në qafë, shumë shpejt, vetë lëkurën e Kryeministrit. Në momentin kur Rama do nuhasë rrezikun që afrohet çdo ditë, do t’i hajë dhe ato. Me radhë. Vetëm e vetëm të shpëtojë vetveten si simbol i pushtetit rilindës. Rilindja si pushtet kult, që të mbijetojë, ka të nënkuptuar në paragrafët e saj dhe pranimin në heshtje të dorëzimit kurban për hir të saj. Rituali i ngrënies sapo ka filluar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura