A përbën vërtet një prolem taksimi i të varfërve?

Nov 19, 2018 | 12:03
SHPËRNDAJE

ZEF PREÇI/ zef preciJavët e fundit, një kërcënim i ri po shfaqet për më të varfrit, më të keqpaguarit, më të nëpërkëmburit nga shteti dhe aq më shumë nga punëdhënësit privatë, pikërisht …”55% e të punësuarve që janë jashtë sistemit fiskal”, d.m.th ata që paguhen deri në 30 mijë lekë në muaj. Fjala është për propozimin e z. Ahmetaj, e artikuluar fillimisht si deklaratë verbale, por në pritje që të shndërrohet në një amendament të posaçëm për t’u përfshirë në paketën fiskale, që shoqëron miratimin e buxhetit të shtetit për vitin 2019. Le ta analizojmë pak më gjerë problemin, se kështu ndoshta i kontribuojmë edhe debatit të radhës në Kuvendin e Shqipërisë për këtë temë që prek shumicën e të punësuarve në ekonominë shqiptare.

Sipas mendimit tim, në këtë debat duhen dalluar, së pari, çështjet që kanë të bëjnë me rritjen e nivelit të jetesës së familjeve shqiptare, si qëllimi i shpallur kushtetues i qeverisjes dhe retorikës politike zyrtare, që justifikon investimet dhe shpenzimet publike, koncesionet, PP-të dhe gjithçka që lidhet me drejtimet e përdorimit të mundit dhe djersës së qytetarëve si dhe të borxhit publik. Nga ky këndvështrim, çfarëdo taksimi, sado i vogël që të jetë, i kësaj kategorie të të punësuarve vetëm se përkeqëson më tej statusin e tyre social-ekonomik. Madje, nuk e teproj të vë në dukje se edhe pagat që shpallen si paga minimale (për të cilën ministri dhe qeveria heshtin), de facto janë edhe më të ulëta sesa deklarohen dhe janë një pjesë relativisht e madhe e të punësuarve që, edhe pse e marrin rregullisht në llogarite personale të tyre, detyrohen të kthejnë një pjesë të saj te punëdhënësi…

E pra, taksimi e rëndon më tej pozitën e tyre dhe këtu mendoj se ministri Ahmetaj nuk ka aspak të drejtë të kërkojë taksimin e të punësuarve, sepse tatimi mbi të ardhurat e atij niveli (deri në 30 mijë lekë në muaj) i varfëron më tej ata. Të jemi më konkretë: nga studimi që Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike që unë drejtoj ka bërë përllogaritjen e minimumit jetik rreth dy vjet më parë, ka rezultuar se të ardhurat minimale monetare për frymë në çfarëdo forme që të jenë ato (pagë, pension, ndihmë sociale, etj.) duhet të jenë të paktën në nivelin e 16 mijë lekëve në muaj. E nëse marrim parasysh se çdo i punësuar mban/ka në ngarkim edhe një pjesëtar tjetër të familjes (pleq, fëmijë etj.), atëherë të ardhurat monetare nën 35 mijë lekë shërbejnë “vetëm për të mbajtur frymën gjallë”, siç thuhet në gjuhën e përditshme dhe nuk ka vend për të vjele tatim mbi të ardhurat nga kjo kategori e të punësuarve.

Së dyti, në aspektin e marrëdhënieve të punës, vendi ynë vazhdon të vuajë postkomunizmin, që është ende i pranishëm në kuptimin që zyrtarët e qeverisë e shohin mungesën e zhvillimit të sindikalizmit si terren të favorshëm për thithjen e investimeve të huaja në emër të shfrytëzimit të fuqisë punëtore të lirë. Fakti që Shqipëria ka pagat më të ulëta në Europë dhe qeveria ndjek politiken e bllokimit/mosarritjes së tyre për periudha të gjata kohe, i rrit ato “me pikatore” vetëm në prag zgjedhjesh, pa ndonjë studim serioz dhe pa vëmendjen qe meritojnë veçanërisht më të keqpaguarit, si 55%-shi i tyre i paguar zyrtarisht deri në 30 mijë lekë apo taksimi i rëndë me 23% i pagave mbi 130 mijë lekë në muaj duhen listuar pa dyshim ndër shkaqet e braktisjes së frikshme të vendit gjatë dekadës dhe sidomos gjatë pesë viteve të fundit.

Vendimmarrësit dhe ligjbërësit e vendit të kuptojnë se nuk mund të ketë zhvillim dhe rritje të ekonomisë sonë kombëtare pa fuqizimin profesional të të punësuarve, se kualifikimi i tyre është një proces në vijimësi dhe se investitorët e huaj nuk vijnë këtu sepse kemi punëtorë të pakualifikuar dhe keqpaguar deri nën nivelin e minimumit jetik, por ata kanë nevojë për punëtorë krahu të pakualifikuar dhe staf teknik konkurrues, novator dhe se pagat e punës janë pjesë e kostos, pa të cilën nuk mund të bëhet biznes. Suksesi në biznes lidhet ngushtësisht me nxitjen e zhvillimit, me investimet në rritje në kapitalin human si dhe me mbi këtë bazë me nxitjen e konsumit dhe jo e kundërta

E pra, çfarëdo rritjeje tatimesh e taksash, tarifash, pagesash koncesionare drejtpërdrejt nga qytetarët (p.sh. pagesat e kalimit në rrugët nacionale), ndër të tjera përveçse e bëjnë vendin më pak konkurrues, tkurrin më teje dhe konsumin, duke pakësuar shanset për fitim dhe mbijetesë edhe të atyre veprimtarive ekonomike që janë në treg, pa folur për pamundësimin e zgjerimit të tyre dhe futjen në ekonominë tonë të sipërmarrjeve të reja, që gjithsesi bazohen me numrin e konsumatorëve.

Së treti, në këndvështrimin e administratës tatimore, mendoj se futja e një tatimi mbi shtresën më të keqpaguar në vendin tonë (unë mendoj se ata janë më të tatuarit e këtij vendi), por që mjerisht janë edhe shumica e tyre si në rastin në fjalë, tingëllon si një deja-vu e metodës së njohur të qeverisjes e ushtruar gjatë gjithë periudhës mbas ndryshimit të sistemit, e aplikuar “me sukses” me vjeljen e tarifave për pagesën e energjisë e të ujit të (pa)pijshëm, etj. D.m.th., ndëshkim i atyre që janë të rregullt me ligjin dhe rritje e ngarkesës mbi ta. Shkurt, problemi kryesor qëndron, sipas meje, në ndërmarrjen e politikave fiskale të mirëmenduara për të ngushtuar sektorin informal të ekonomisë. Dhe si për ironi të fatit, përgjegjësia kryesore për dështimin e “aksionit qeveritar kundër informalitetit” bie mbi vetë qeverinë e pesë viteve të fundit. D.m.th., edhe pse qëllimi i kësaj politike ishte i mirë dhe në interes të publikut – zgjerimi i bazës së kontribuuesve në tatime taksa – rruga e ndjekur e ka komprometuar në të vërtetë këtë qëllim.

Ka ndodhur kështu sepse futja e një sërë përshkallëzimesh në taksa është motivuar më shumë nga interesa elektorale apo nga ndikimet e oligarkëve (p.sh. përjashtimet apo shkallët e ulëta të taksimit deri të ulja e tatimit mbi dividendin), por edhe nga nevoja për të mbledhur më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit. E sot, në prag të miratimit të buxhetit të vitit 2019 kemi ardhur në një situatë kur “taksa e sheshtë” ka arritur de facto në 15% nga 10% në vitin 2013, si dhe taksat mbi punën janë dukshëm më të rënda se ato mbi kapitalin (kuptohet se oligarkët zotërojnë “mjetet mbrojtëse” – Kuvendin e Shqipërisë).

Në këtë situatë ku pleksen problemet e vjetra dhe të reja të administratës tatimore në një sistem fiskal të paqartë dhe nën ndikimin e rrymave të ndryshme, rritja e taksës mbi shtresën më të keqpaguar të të punësuarve më duket e padrejtë dhe si një ndëshkim fiskal që niset nga parimi i njohur se “të varfrit taksohen më shumë, jo se kanë shumë, por se janë shumë…” E për fat të keq, siç del edhe nga të dhënat e publikimeve të Bankës Botërore, pjesa e popullsisë shqiptare që jeton me më pak se 5 USD në ditë për frymë është rritur gjatë viteve të fundit, duke përfshirë një pjesë të konsiderueshme të saj.

Së fundi, disa rekomandime modeste që mund t’i shërbejnë debatit në Kuvendin e Shqipërisë rreth kësaj teme, edhe nëse Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk do të paraqesë amendimin në fjalë për tatimin e pagave mbi 10 mijë lekë në muaj. Të tilla mendoj se më kryesoret janë:

Përcaktimi në ligj i detyrimit të qeverisë për indeksimin automatik për shkak të inflacionit të pagave në sektorin publik dhe përfshirja e Këshillit trepalësh (punëdhënës, punëmarrës dhe qeveria) për të mundësuar zbatimin e kësaj mase edhe në sektorin privat të ekonomisë sonë kombëtare.

Studimi/njohja e nivelit të llogaritur të minimumit jetik nga ana e qeverisë dhe përcaktimi në ligj i rishikimit të përvitshëm si pjesë të paketës fiskale si dhe i detyrimit të çdo punëdhënësi publik e privat për zbatimin e pagës minimale jo më poshtë se dyfishi i minimumit jetik të llogaritur, me synim që kjo të bëhet e mundur brenda një periudhe trevjeçare.

Forcim i penaliteteve ligjore për mosdeklarimin e saktë të pagave si dhe ndëshkimin e praktikave të zvogëlimit de facto të pagave nën presionin e varfërisë nga ana e punëdhënësve. Futja brenda 2019-ës e kontratës kolektive të punës dhe kalimi në pagën orare si në çdo vend tjetër të botës së zhvilluar.

Rritje e fondeve publike për të punësuarit rishtas dhe rishikim rrënjësor i Kodit të Punës me qëllim vendosjen e punëmarrësit në qendër të marrëdhënieve të punës, d.m.th. dekomunistizimin e atij dokumenti dhe të strukturave jofunksionale të derisotme të ngritura mbi bazën e tij, të kontrolluara nga oligarkia e pa përfaqësim real të punëmarrësve.

Rishikimin e sistemit fiskal brenda 2019-ës me synim korrigjimin e tij, bashkimin e administratës tatimore dhe asaj doganore si dhe zbatimin e praktikave te mira të qeverisjes së financave publike.

Analiza gjate 2019-ës për kostot krahasuese të të bërit biznes në Shqipëri dhe në vendet e rajonit, si dhe të implikimeve të mundshme të koncesioneve dhe të kontratave të PPP-ve në bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe të investimeve rajonale.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura