A ndihesh i presionuar nga politika? Përgjigjet kreu i ILD-së Artur Metani: Kam qenë aktiv me deklarata ndaj ministrave! Po kam presion nga…

May 19, 2022 | 12:34
SHPËRNDAJE

Kreu i ILD-së Artur Metani mori pjesë këtë të martë në seancën dëgjimore të zhvilluar nga Komisionin e Ligjeve në lidhje me raportin vjetor të institucionit që ai drejton.

artur metani

Gjatë seancës ai u pyet nëse ka patur presion nga politika gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Metani u përgjigj se kushtetuta dhe ligji i kanë dhënë garanci që mos të ketë presion nga asnjë institucion politik.

Ai shtoi në mënyrë figurative se ka presion nga shoqëria dhe familja për ta bërë sa më mirë punën në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.

“A ndihem unë i presionuar nga politika? Jo sepse Kushtetuta dhe ligji ma kanë dhënë garancinë që mos të kem asnjë ndjesi intimidimi ligjor nga politika dhe nga institucionet politike, apo ndaj kushdo që mund të bëjë presion ndaj Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Po kam presion nga brenda vetes, kam presion nga familja, kam presion nga shoqëria, kam presion nga ju në kuptimin e mirë të fjalës për pritshmëritë që ju keni ndaj meje personalisht por edhe ndaj institucionit. Këto janë presione të forta me të cilat ne flemë në darkë dhe zgjohemi në mëngjes.

Edhe këto gjërat që ju referuat në raport unë i kam ngritur sepse dua që puna e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të jetë sa më efikase dhe sa më e shpejtë. Çështja e presioneve që vjen nga politika është bërë çështje e debatit. Unë dua ta them që personalisht kam qenë aktiv në reagime publike edhe me deklarata ndaj institucioneve politike, ndaj ministrave, kam reaguar dhe në konferenca publike, së fundmi përpara një jave për atë që flitet ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Po bëhet një kakofoni midis sulmit, kritikës apo intimidimit që i bëhet organeve të drejtësisë. Duhet ta ndajmë me tre nivele këtë raport që ka politika me punët e gjyqësorit, së pari janë intimidimet ligjore apo institucionale dhe këto janë fenomene të cilat unë nuk i shoh. Nuk shoh sulme institucionle ndaj organeve të drejtësisë.

Niveli i dytë janë denoncimet. Denoncimet bëhen publikisht por të bëhet sipas sistemit që ne kemi ngritur.

Niveli i tretë është kritika ndaj punës së magjistratëve dhe institucioneve të drejtësisë”, tha Metani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura