A mundet të jetë vepër e inxhinierëve të rrugëve mbikalimi i “Shqiponjës”?!

Aug 11, 2022 | 9:30
SHPËRNDAJE

fatmirlacejPROF. DR. FATMIR LAÇEJ *

Rrugë të shumta janë ndërtuar vitet e fundit në vendin tonë, si rruga e Arbrit, bayppasi i Fierit, bayppasi i Vlorës, rruga Kardhiq-Delvinë, apo Unaza e Madhe e Tiranës. Këto rrugë janë një lehtësi për lëvizjen e popullatës, kursejnë kohën, mbrojnë më tepër mjetet nga amortizimi si dhe janë një vlerë e shtuar për rritjen e turizmit vendas e të huaj. Megjithatë, disa prej këtyre rrugëve mund të kenë dhe problematikën e tyre, për shkak të paaftësisë së projektuesve apo për shkaqe të tjera. Këto problematika zgjasin mundimin e drejtuesve të mjeteve, harxhojnë kohën e tyre apo zbrazin më tepër xhepat e tyre nëse i referohemi edhe rritjes se çmimeve të karburanteve në këtë periudhë. Një rast i tillë është ai tek Unaza e Madhe e Tiranës dhe pikërisht tek ish-rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja”, një rast që të bën të mendohesh se a ka me inxhinierë konstruktorë rrugësh të aftë dhe të zotë në vendin tonë? Kjo pyetje të vjen menjëherë ndërmend sapo zbret mbikalimin e autostradës Durrës-Tirane te “Casa Italia” dhe në vend që të vazhdosh rrugën drejt, kur ke destinacionin Laprakën, Zogu i Zi (me 2 kalimet majtas dhe djathtas për në Unazën e Vogël), apo qendrën e Tiranës, një tabelë të detyron të futesh djathtas në një hinkë me dy korsi, ku drejtuesit e mjeteve “nga halli” fillojnë të bëjnë hile se kush të futet i pari, pasi në këtë hinkë përveç korsive të autostradës duhet të futen edhe dy korsi të tjera të tejngarkuara që vijnë nga drejtimi i Kamzës, Universitetit Bujqësor, rrugëve dytësore të autostradës apo Yzberishtit, të gjitha duke kaluar te nënkalimi pranë “Casa Italia”- s (ku këtu në çdo orë të ditës ka një mbingarkesë mjetesh dhe krijohet një rrëmujë e madhe).

Shumë personave, për arsye pune, u takon që me mjetet e tyre të kalojnë dy herë në ditë nga ish-sheshi “Shqiponja”, disa të tjerëve disa herë në javë dhe shumë të tjerëve të kthehen në fundjavë, duke kaluar pikërisht në këtë segment, që çuditërisht quhet i përfunduar. Pas një periudhe të gjatë dhe të rrëmujshme të kalimit të rrethrrotullimit tek ishsheshi “Shqiponja” para dy-tre vitesh, u gëzuam kur mësuam që do të kryheshin punimet për të përmirësuar lëvizjen dhe kalimin në këtë rrethrrotullim. Pavarësisht se gjatë punimeve pati ngadalësim apo devijim të lëvizjeve, siç është normale në këto raste, ajo që na mbante me shpresë ishte fakti se përfundimi i tyre do të na lehtësonte së fundi lëvizjen, do të na hiqte stresin e këtij segmenti rrugor, por ndodhi diçka e çuditshme. Kështu, pas përfundimit të punimeve para disa javëve, mësuam se për futjen ne Unazën e Madhe në drejtim të Elbasanit, e cila është e pozicionuar djathtas, duhet të ecësh drejt dhe të futesh në tunelin nëntokësor, ndërsa për të shkuar drejt, për në Laprakë, Zogu i Zi (që ndahet në dy drejtime tek Unaza e vogël) si dhe qendër, ku sot për sot kalojnë shumica e mjeteve, duhet të kthehesh djathtas dhe të ndalosh për shumë minuta (në varësi të trafikut), në pritje të radhës për të kaluar hinkën e krijuar artificialisht nga ndërtuesit. Një hinkë tjetër e tillë është krijuar edhe në krahun tjetër në drejtimin Durrës apo Kamzë. Këto dy hinka kanë futur në mes nënkalimet që lidhen me Unazën e Madhe, ku më problematike për shkak të prurjeve të automjeteve është hinka që ndodhet tek ish-Dogana. Nuk duhet harruar dhe fakti që edhe rritja e çmimit të karburanteve në këtë periudhë e bën më torturuese dhe më të kushtueshme këtë ndalim, ngadalësim apo kalim “kush është më i forti” në këto dy hinka me dy korsi.

Duke pasur parasysh edhe mbikalimin e Unazës së Madhe të bërë te Shkolla Teknologjike para dy-tre vitesh, ku kalohet me lehtësi në drejtim të Elbasanit, ndërsa për kalimin poshtë mbikalimit në drejtimin majtas për nga “21 Dhjetori” dhe për tek Unaza e Vogël, apo për drejtimin djathtas për në Kombinat, kalimi ka mbetur mjaft problematik, me domosdoshmërinë e pranisë së një polici rrugor për të ndalur apo lejuar automjetet që të kalojnë, nuk e dimë a janë këto vetëm paaftësi të inxhinierëve pre konstruksionin e rrugëve, apo ka ndonjë arsye tjetër që disa nga këto investime bëhen gjysmake. Aktualisht dimë që drejtuesit e mjeteve po heqin keq akoma në disa kryqëzime të rëndësishme të rrugëve në hyrje-dalje të Tiranës, megjithëse në mjaft prej tyre janë bërë edhe investimet përkatëse. Mos të harrojmë këtu dhe rrethrrotullimin e Zogut të Zi, që mbeti problematik dhe pa shpresë për t’u ndryshuar, megjithëse para disa vitesh këtu u bënë mjaft shpenzime për ta përmirësuar dhe ku çdo mëngjes ky rrethrrotullim, përveç stresit që na shkakton, na merr te gjithëve disa minuta më tepër për kalimin e tij dhe ku të paktën minimalisht mund të bëhej një nënkalim për të lejuar lëvizjen e mjeteve që vijnë nga drejtimi i Durrësit për në qendër.

*Pedagog në U.B.T

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura