A mundet që TTIP të dekurajojë Brexit?

May 23, 2016 | 12:53
SHPËRNDAJE

valbona-zeneli1VALBONA ZENELI

Tri vite më parë, gjatë Samitit të G-8 (sot G-7) Kryeministri britanik David Cameron e quajti TTIP (Marrëveshja Transatlantike e Tregtisë dhe Investimeve), “një mundësi që vjen një herë në një gjeneratë”. Sot, negociatat e TTIP vihen në pikëpyetje nga referendumi në Britaninë e Madhe dhe një dalje e mundshme e saj nga Bashkimi Europian. Çështja kryesore është nëse Britania mund t’ia lejojë vetes të humbë konkurrueshmërinë tregtare, duke dalë nga tregu i përbashkët europian në një kohë kur rritja ekonomike në vend është në rënie?

Megjithëse ekonomitë në zhvillim po ndryshojnë, balancat e pushtetit në ekonominë globale dhe influenca e tyre në tregtinë ndërkombëtare po rritet, ekonomia transatlantike mbetet forca më e madhe dhe mirintegruar në ekonominë globale, duke përfaqë- suar 33 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) botëror. Nëse Britania do të votojë që të dalë nga Bashkimi Europian (BE), vendi do ta gjejë veten jo të aftë për të gëzuar ndonjë marrëveshje speciale tregtie të lirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Si rrjedhojë, Mbretëria e Bashkuar do të humbiste pikat e saj të forcës në tregtinë transatlantike, duke u përballur me të njëjtat tarifa të vendeve të tjera jo europiane, si Kina, Brazili apo India. Kur debati për BE-në filloi në Britani pak vite më parë, Presidenti Obama paralajmëroi se një Brexit (dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja) do të pengonte Mbretërinë e Bashkuar nga pjesëmarrja në TTIP, dhe se Uashingtoni nuk dëshironte të negocionte një marrëveshje tregtie të lirë të veçantë me Londrën.

Ky pozicion u përsërit edhe me më shumë forcë gjatë vizitës në Londër të Presidentit Obama në fund të prillit, ku ai u fokusua gjatë bisedimeve te tregtia transatlantike dhe paralajmëroi rezultate jopozitive për shkak të një Brexit-i potencial. Megjithëse ekziston një lloj opozite nga TTIP, dhe europianët kanë shprehur shqetësime në lidhje me impaktet negative që kjo marrëveshje mund të ketë respektivisht për shërbimet publike dhe konsumatorët, standardet shëndetësore, të sigurisë dhe punësimit, opinioni publik sugjeron se ekziston një mbështetje e përgjithshme publike për lidhje më të forta ekonomike transatlantike.

Më shumë se 53 për qind e publikut amerikan dhe 58 për qind e atij europian e mbështesin TTIP. Në Mbretërinë e Bashkuar, kjo shifër arrin deri në 65 për qind të popullsisë që e mbështet TTIP, dhe vetëm 19 për qind e të anketuarve e kundërshton atë. Mbetet për t’u parë nëse kjo mbështetje për TTIP do të përkthehet edhe në një votë për të qëndruar në BE. KARAKTERISTIKAT E TREGTISË DHE INVESTIMEVE Eliminim i plotë i tarifave transatlantike është një nga shtyllat e TTIP.

Aktualisht, tarifat tregtare transatlantike janë shumë të ulë- ta, rreth 4 për qind në mesatare me përjashtimin e disa sektorëve, të cilët janë fort të rregulluar dhe gëzojnë proteksion të lartë, si për shembull tekstilet, pjesët motorike dhe bujqësia. Tarifat në këto sektorë arrijnë nga 87 deri në 350 për qind.

Po të ekzaminohen karakteristikat tregtare globale, SHBA mbetet tregu kryesor për kompanitë e BE-së, dhe SHBA është partneri kryesor tregtar për europianët, duke përfaqësuar 15,3 për qind të tregtisë së saj totale. Për më tepër, tregu amerikan absorbon më shumë se 18 për qind të gjitha eksporteve të BE-së. Gjithashtu, Amerika e Veriut është destinacioni kryesor i eksporteve britanike, duke qenë eksportuesi i dytë më i madh europian drejt SHBA, pas Gjermanisë.

Me një marrëveshje TTIP të suksesshme, sasia a përfitimeve për Britaninë, si një nga partnerët kryesorë tregtarë të SHBA, do të përkthehej në miliarda dollarë kursime si për kompanitë tregtare dhe për konsumatorët. Objektivi kryesor i TTIP është të shkojë përtej avantazheve lehtësisht të arritshme, por të arrijë konvergjencën e sistemeve rregullatore dhe të adresojë efektet e dëmshme të barrierave jotarifore tregtare.

Në fakt, studimet tregojnë se më tepër se 80 për qind e rritjes së mirëqenies nga një TTIP i suksesshëm do të vijë nga eliminimi i këtyre barrierave që vijnë për shkak të diferencave në sistemet ligjore dhe rregulluese. Këto veprime do të sillnin efekte pozitive të qarta tek investimet transatlantike. Europa dhe SHBA janë burimi dhe destinacioni kryesori investimeve të tyre të huaja direkte, të cilat përfaqësojnë edhe shtyllën kurrizore të ekonomisë transatlantike.

SHBA renditen si tregu më i madh për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, me 22 për qind të tregut botëror. Britania është destinacioni kryesor i investimeve amerikane në Europë. Njëkohësisht, kompanitë britanike përbëjnë investitorin më të madhe në tregun amerikan, duke përfaqësuar 20 për qind të stokut total të investimeve të huaja në SHBA. Është e qartë se Britania do të kishte benefite të mëdha nga kjo marrëveshje, sidomos për sa u përket kompanive të vogla dhe të mesme.

Me gjithë avantazheve të vlerësuara financiare, TTIP nuk është vetëm një marrëveshje tregtie, është një aleancë gjeoekonomike. Nëse kjo marrëveshje do të negociohej dhe implementohej me kujdes, ka potencialin që të ripërtërijë konkurrueshmërinë e vendeve perëndimore, ku Britania luan një rol shumë të rëndësishëm.

Më shumë se kurrë, suksesi i kësaj marrëveshjeje ka rëndësi politike për BE-në dhe është vendimtar për bashkimin e brendshëm të Europës. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse ka potencialin që të dekurajojë skepticizmin Europian brenda Mbretërisë së Bashkuar apo vendeve të tjera. Për këtë arsye, Europa ka nevojë për TTIP.

*Dr. Valbona Zeneli është Drejtore e Programit të Detit të Zi dhe Euroazisë në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall”. Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të Qendrës Marshall, dhe të Qeverive të SHBA dhe Gjermanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura