A mund të “vaksinohesh” me Omicron? Specialisti i Shëndetit Publik i jep përgjigje qytetarëve: Rreziku për jetën është…

Jan 15, 2022 | 8:22
SHPËRNDAJE

Në kushtet e qarkullimit në vendin tonë edhe të variantit të ri Omicron, përveç Delta dhe virusit të gripit, specialisti i Shëndetit Publik Erion Dasho bën apel për vaksinim të qytetarëve.

omicron

Dasho i jep përgjigje të gjithë personave që mendojnë se infektimi me Omikron është një formë vaksinimi kundër COVID-it.

Kjo sipas mjekut specialist nuk është e vërtetë.

“Përfundimisht rreziku për jetën dhe shëndetin qoftë edhe nga varianti “i zbutur” omikron është shumë më i lartë se çdo efekt anësor i vaksinës. Rreziku për humbje jete, komplikacione, COVID-i i zgjatur, etj. janë argumentë më se të arsyeshëm për të mos rrezikuar një aventurë me shëndetin dhe jetën”, shkruan Erion Dasho.

POSTIMI I PLOTE

A MUND TË “VAKSINOHESH” ME OMIKRON?

Me shfaqjen e variantit omikron si nje variant i COVID-it që shkakton një formë më të lehtë klinike, kam marrë shumë pyetje nga miq të faqes që besojnë se infektimi me omikron është një formë vaksinimi kundër COVID-it.

Një pjesë e miqve që më pyesin nuk kanë bërë asnjë prej vaksinave në qarkullim, ose nuk dëshirojnë të bëjnë dozën e tretë. Ata besojnë se duke u infektuar qëllimisht me omikron do të imunizohen dhe do të shmangin nevojën për vaksinim.

Përgjigja ime, e bazuar si gjithmonë në përvojën më të mirë shkencore që disponohet për momentin, është:

NUK MUND TË VAKSINOHESH ME OMIKRON!

Vdekshmëria nga omikron raportohet nga tre deri në dhjetë herë më e ulët se vdekshmëria nga variantet e mëparshëm të virusit, por ajo gjithsesi mbetet e lartë. Edhe sikur të jetë në shkallën 1 në 1,000 (pra në çdo një mijë të prekur, një prej tyre humb jetën) kjo mbetet një vdekshmëri më e lartë se ajo e virozave respiratore dhe gripit stinor.

Përfundimisht rreziku për jetën dhe shëndetin qoftë edhe nga varianti “i zbutur” omikron është shumë më i lartë se çdo efekt anësor i vaksinës. Rreziku për humbje jete, komplikacione, COVID-i i zgjatur, etj. janë argumentë më se të arsyeshëm për të mos rrezikuar një aventurë me shëndetin dhe jetën.

Rekomandimi im për të gjithë miqtë që ndjekin dhe vlerësojnë këshillat e mia është: vaksinimi mbetet zgjidhja më e mirë, më e sigurt dhe më efikase që disponojmë deri më sot për t’u mbrojtur prej COVID-it!
Përfitoni nga kjo mundësi!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura