A mund ta ndalojnë manipulimin vetëm partitë dhe media?

Nov 27, 2020 | 9:45
SHPËRNDAJE

AGIM BAÇI

agim-baci

Kushdo që beson se është detyrë vetëm e politikës dhe e elitës që të gjejë rrugët për të ndaluar manipulimet, sidomos ato më skandalozet, që janë blerja aq vulgare dhe fyese e votës me një shumë qesharake parash (edhe me shumë të majme, sërish banale është), mundet që të jetojë në një gënjeshtër. Pa dyshim që politika ka përgjegjësitë më të mëdha, pasi jo rrallë ka ndodhur që premtimet e tyre të kenë qenë në kundërshti të hapur me atë që kanë vepruar dhe veprojnë – pra, në një anë u premtojnë qytetarëve që do zhdukin korrupsionin dhe varfërinë e më pas edhe tentojnë blerjen apo manipulimin e votës. Atëherë, si mund të besojmë se dikush do jetë i ndershëm me ne kur komunikimin e nis me manipulim mbi të vërtetën dhe me blerje vote? E, njëkohësisht, a mundet që t’ia ngarkojmë këtë përgjegjësi për transparencë vetëm politikës dhe medias?

Në një garë të ethshme pushteti, ku politika provon të joshë qytetarin me qëllim që të mbajë apo që të marrë pushtetin, është marrëzi të besosh se ai që kërkon të qeverisë do ndalet për shkak të akuzave morale. Shpresa e vakët e ndokujt se politikanët që mashtrojnë në fushatë kanë gjasa të kthehen më pas zyrtarë të ndershëm, është po aq e vërtetë sa edhe ç’mund të kthehen gratë në virgjëri pas lindjes së fëmijës së tyre.

Asnjë politikë që shpreson të rikthejë besimin te vota, nuk mund të jetë e vlefshme pa bashkëpunimin me qytetarin. Pa bërë të mundur që qytetarët të qëndrojnë fort përballë tundimeve dhe të kërkojnë më shumë përgjegjësi ndaj atyre që u kërkojnë një kontratë morale pushteti, çdo rrugëtim do të jetë një mal shumë i lartë dhe gati i pamundur të ngjitet. Por, a është i lehtë ky lloj bashkëpunimi?

Politika prej kohësh ka përdorur dekurajimin ndaj qytetarit, duke ia zhvlerësuar fuqinë që çdonjëri prej nesh ka në ditën e votimeve. Këtë dekurajim, politika, sidomos partia apo partitë që kanë në dorë pushtetin, e nisin me njollosjen e burimeve të pavarura të dhënies së informacionit, sidomos ato burime që sfidojnë me fakte dhe dëshmitarë narrativën zyrtare shtetërore. Hapi i dytë, pas njollosjes së burimeve të pavarura, është fabrikimi i lajmeve gjysmë të vërteta e gjysmë të gënjeshtërta. Pra, jemi sërish në zbatim të imagjinatës së Oruellit, i cili, në romanin e tij “1984”, e parashikonte një fatkeqësi të madhe mbi demokracinë, krijimin e një situate kur qeveria, në mënyra totalitare apo autokratike, kontrollon atë që serviret si e vërtetë apo e gënjeshtërt. Pjesa e mbetur ka një presion ndaj atyre që kanë një pavarësi apo disidencë në dhënien e mendimit, duke i çuar në vetëcensurim, përmes presioneve të ndryshme. Gjithashtu, sondazhet apo lajmet false e bëjnë qytetarin që të mos ketë asnjë ide se si t’i gjykojë ato që i premtohen.

I zhytur në varfëri dhe në pasiguri mbi të vërtetën dhe gënjeshtrën, qytetari beson se duhet të shkojë drejt “të fortit”. Për këtë mendojnë shpesh edhe partitë, të cilët prej kohësh kanë hequr të ndershmit, zbatuesit e ligjit, jo vetëm nga lista e deputetëve, por edhe në shumë nivele drejtuese nëpër zyrat shtetërore.

Ajo që vlen të theksohet për zgjedhjet e ardhshme politike të 25 prillit 2021, është fakti se manipulimi mund të shkaktohet shumë më përpara sesa dita e zgjedhjeve, për të shmangur kapjen “me presh në duar”, siç ka ndodhur në hetimet e dy dosjeve (“184” dhe “339”) që u botuan edhe në gazetën prestigjioze gjermane Bild. Ky manipulim mund të ketë në sfond dy të kundërta- joshje sa më shumë për militantët, që të mos largohen dhe dekurajim për këdo që nuk kanë siguri për votën. Kjo paraprihet me slogane të tilla: “të gjithë janë njëlloj”, apo “të gjithë gënjejnë”, “të gjithë vjedhin”. Ky komunikim synon sidomos dekurajimin e atyre që tentojnë të jenë pjesë e ndryshimit, e dhënies së mundësive për një provë të re ndaj opozitës apo ndaj forcave politike që komunikojnë ndryshe nga partitë tradicionale. Duke dhënë shenjën e barazisë në të keqen, qeveritë ndërtojnë më pas një komunikim ku nuk kërkohet më një debat me alternativë, por thjesht një garë se kush do të legjitimojë më shumë kundërshtarin.

Në këtë betejë të kontrollit mbi të vërtetën dhe gënjeshtrën, qytetari e ka të vështirë të kuptojë se në fakt, paratë që i jepen për blerjen e votës nuk janë veçse paratë e taksave të tyre, që i kanë paguar, por që përmes korrupsionit i vijnë atyre si “dhuratë”. Ndaj, pa një pjesëmarrje të qytetarëve në betejën për të ndalur korruptimin e votës, është thuajse imagjinare të mendosh se politika do ndalet vetë. Çdo justifikim me sloganet se “gjithçka është vendosur që më parë”, apo “nuk kemi gjë ne në dorë” është thjesht një disfatizëm, mbi të cilën manipulimet bëhen edhe më të thjeshta dhe më me shumë dëme për të ardhmen e institucioneve demokratike dhe të drejta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura